Françesku: thirrja e të krishterëve është vëllazëria
R.SH. - Vatikan
FRANÇESKU
I dashur Éric-Emmanuel, i dashur vëlla, duke lexuar librin tuaj “Sfida e Jerusalemit”, rikujtova ditët e majit 2014, kur pata hirin të bëja një shtegtim në Tokën Shenjte, në 50-vjetorin e takimit të paraardhësit tim të nderuar Shën Palit VI me patrikun Atenagora. Ngjarje, ajo e vitit 1964, që hapi një etapë të re në udhën e afrimit të të krishterëve, të ndarë e të përçarë në shekuj, por që mori një drejtim të ri pikërisht në tokën e Jezusit.
Betlehemi, Varri i Shenjtë, Gjetsemani... vendet që keni vizituar dhe i keni përshkruar me shpirt poetik në këto faqe, m’u rikthyen fuqishëm në kujtesë. Sepse feja jonë është edhe fe "kujtese", që i ruan si thesar fjalët dhe gjestet në të cilat duket Zoti.
E, ashtu si shkruani ju, njerëzit shkojnë në Tokën e Shenjtë për të "ecur atje ku nisi gjithçka". Në Galilenë e Nazaretit dhe të Kafarnaos, vende ku Jezusi u rrit dhe filloi shërbimin e tij si lajmëtar i Mbretërisë së Perëndisë; në Judenë e Betlehemit dhe të Jeruzalemit, ku lindi dhe u përmbush shëmbëlltyra e tij tokësore; në këto vende u bëtë shtegtar për të prekur misterin e pazbuluar të krishterimit. Atë që e shpreh me fjalë, të cilat më prekin thellë: “Mishërimi. Zoti u mishërua, me kocka, me zë, me gjak! Me gjakun e Krishtit!”.
Po, Toka e Shenjtë na ofron këtë dhuratë të madhe: të përjetojmë fjalë për fjalë se krishterimi nuk është as teori, as ideologji, por përvojë e një fakti historik. Kjo ngjarje, ky Person, mund të ndeshet edhe sot atje, ndërmjet kodrave me diell të Galilesë, hapësirave të shkretëtirës së Judesë, rrugicave të Jeruzalemit. Jo si përvojë mistike, si qëllim në vetvete, por kundërprovë e vërtetë që ungjijtë na e transmetuan si fakt historik, përmes të cilit shkoi duke u shpalosur para burrave dhe grave të të gjitha kohërave, zbulesa përfundimtare e Zotit: Zoti u mishërua, Jezusi i Nazaretit u bë njeri, për të na treguar se Mbretëria e tij është pranë nesh. Ju e keni theksuar qartë këtë në ripropozimin e via crucis kur, në një pikë të caktuar, pohoni: "Zoti im është njeri, nuk është shtatore". Jo! Perëndia me të vërtetë u mishërua në Jezusin dhe si njeri jetoi, deshi, vuajti nga dashuria për ne, për secilin dhe secilën, duke dhuruar jetën e tij në kryq. Ky është me të vërtetë lajmi i mirë që e presim të gjithë: Zoti nuk është qenie misterioze, e fshehur në re, por dikush që na vjen pranë e familjarizohet me ne.
Aspekte të tjera të historisë Suaj prekëse më sfiduan. Përmendja, për shembull, e Shën Charles de Foucau që, siç më patët thënë në një nga bisedat tona, u takua me Zotin në një natë aventureske, në shkretëtirë. Si patë dhe prekët me dorë vendet ku Vëllai Çarls jetoi në Nazaret, duke fituar aty pjekurinë e përshpirtërisë, që e bëri “vëlla universal”, ju hapët edhe intimitetin e një vizioni teologjik, të cilin e përmblidhni si më poshtë: "Dëshmo! Mos u shndërro". Këtë e kam përsëritur disa herë, duke i bërë jehonë fjalëve të Benediktit XVI: "Kisha nuk rritet nga prozelitizmi, por nga tërheqja". I krishteri nuk konverton askënd, shumë-shumë dëshmon për faktin se Zoti e mori për dore, e shpëtoi nga honi i mëkateve të tij dhe i tregoi mëshirën e vet të pambaruar. Kjo është thirrja e të krishterit: të jetë dëshmitar i shëlbimit, që erdhi tek ai.
Dhe duke kujtuar Charles de Foucauld, po e mbyll këtë shkrim me huazimin e titullit, që zgjodhët për ditarin tuaj të udhëtimit, Sfida e Jerusalemit, që për mendimin tim është sfida, të cilën të gjithë e kemi përpara: ajo e vëllazërisë njerëzore. Në Jerusalem - ju e patë dhe treguat për të - takohen traditat e mëdha fetare, që nisin me Abrahamin: Judaizmi, Krishterimi dhe Islami. Dhe nuk është rastësi që gjatë rrugëtimit tim apostolik në vitin 2014 desha të më shoqërojnë dy personalitete hebreje dhe myslimane, rabini Abraham Skorka dhe përfaqësuesi mysliman, Omar Abboud. Sepse doja të dëshmoja, qoftë edhe vizualisht, se besimtarët thirren të jenë vëllezër dhe ndërtues urash, dhe jo më armiq apo luftënxitës. Thirrja jonë është vëllazëria, sepse jemi bij të të njëjtit Zot. Sfida që Jeruzalemi i paraqet ende botës sot, është pikërisht kjo: të zgjojë në zemrën e çdo njeriu dëshirën për ta parë tjetrin si vëlla të së njëjtës familje njerëzore. Vetëm me këtë ndërgjegje dhe këtë vetëdije do të jemi në gjendje të ndërtojmë një ardhmëri të mundshme, duke i bërë të heshtin armët e shkatërrimit dhe të urrejtjes dhe duke përhapur në mbarë botën “aromën e ëmbël të paqes, që Zoti na e dhuron pa u lodhur kurrë”.