Fernàndez: t’i japim përparësi lidhjes ndërmjet teologjisë dhe jetës së Popullit të Zotit
R.SH. – Vatikan
“Kisha e refuzon fideizmin, mbron vlerën e arsyes dhe nevojën për dialog ndërmjet fesë dhe arsyes, të cilat nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën”. Por nganjëherë, në Kishë i hapet udha një arsyeje të caktuar, parimeve, që duket sikur e mbajnë gjithçka në këmbë, një mendësi më tepër filozofike se sa teologjike, së cilës i nënshtrohet çdo gjë tjetër, duke ia zënë kështu vendin Zbulesës së Hyjit. Ata, që e interpretojnë saktë këtë Zbulesë konsiderohen gabimisht, njerëzit që kanë këtë mendësi. Vetëm ata “qenkëshin 'seriozë', 'inteligjentë', 'besnikë'. Kjo shpjegon pushtetin, që disa klerikë i atribuojnë vetvetes, duke arritur deri aty sa të vendosin ç’mund të thotë e ç’nuk duhet të thotë Papa". Ky s’është arsyetim, është thjesht, ushtrim i një pushteti të supozuar. Këto ide shprehen në intervistën, që prefekti i ri i Dikasterit vatikanas për Doktrinën e Fesë, imzot Victor Manuel Fernández, i jep Át Antonio Spadaro-s, drejtorit të “La Civiltà Cattolica”, të cilin sot Papa e emëroi zv.sekretar të Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin.
Shën Bonaventura dhe frymëzimi nga Rahner, Ratzinger, Congar e von Balthasar
Pjesa e parë e dialogut të gjatë me kryeipeshkvin argjentinas 61-vjeçar, bari i La Plata-s që nga viti 2018, i cili do të krijohet kardinal nga Papa Françesku më 30 shtator, i kushtohet edukimit të tij teologjik dhe filozofik. Fernández, i cili studioi Teologjinë Biblike në Universitetin Gregorian dhe mori doktoraturën në Buenos Aires, konsideron si mësues të tij Shën Bonaventurën, "gjigant të skolastikës", për teologjinë e tij "në gjendje të ushqejë jetën shpirtërore e, njëkohësisht, të ketë një ndikim në ekzistencën konkrete të njerëzve”. Ndër teologët e kohës sonë, ai përmend Karl Rahner, Hans Urs von Balthasar, Yves Congar dhe Joseph Ratzinger-Benedikti XVI, ndërsa ngar filozofët, Maurice Blondel dhe tomistët Étienne Gilson dhe Réginald Garrigou-Lagrange, por edhe Hans-Georg Gandamer e Jacques Maritain. Kujton gjithashtu teologët e Amerikës Latine si Gustavo Gutiérrez, Lucio Gera dhe Rafael Tello, të cilët i transmetuan "dashurinë e madhe për Kishën" dhe "aftësinë për ta lidhur teologjinë me ankthet, ëndrrat dhe shpresat e njerëzve të vuajtur".
Primati i bamirësisë në teologjinë morale
Autor i një vëllimi kushtuar teologjisë sistematike shpirtërore dhe i shumë eseve të njohura, kardinali i ardhshëm nënvizon se ka qenë gjithnjë i interesuar për "teologjinë e Vetjeve hyjnore" dhe për marrëdhëniet e nejrëzve me secilën prej tyre. Libri i tij “Los cinco minutis del Espíritu Santo” është botuar në mbi 350 mijë kopje në vende të ndryshme. Imzot Fernández u thotë teologëve "të mos kenë turp të shkruajnë këto lloj librash, që dinë ta shprehin teologjinë për t’u dhënë përgjigje nevojave të njerëzve”. Lidhur me teologjinë morale, imzot Fernández, i cili ka marrë pjesë në Sinodet e Ipeshkvijve për familjen, në vitin 2014 dhe në vitin 2015, nënvizon se nuk mund të mos ketë parasysh mënyrën me të cilën e përballojnë jetën “njerëzit më të varfër, më të kufizuar, më të përjashtuar nga shoqëria, të cilët duhet të luftojnë çdo ditë për të mbijetuar". Për ta, kujton ai, Papa Françesku, në “Amoris Laetitia”, kërkon "kujdes të veçantë për të kuptuar, ngushëlluar, integruar, duke shmangur vendosjen e një morie rregullash sikur të ishin gurë". Prandaj, prefekti i ri i Dikasterit për Doktrinën e Fesë nënvizon "përparësinë e dashurisë bamirëse" në teologjinë morale, si Shën Toma i Akuinit, "që e vendos mëshirën në majën e virtyteve, pasi ajo rregullon veprimtarinë e jashtme dhe prodhon kështu ngjashmërinë me veprimin hyjnor”. Një moral i reduktuar në përmbushjen e urdhërimeve absolutisht nuk i përgjigjet kësaj dinamike, shpjegon ai.
Zhvillimi i pamjaftueshëm i teologjisë që nga fundi i shekullit XX
Në pjesën e fundit të intervistës, kushtuar punës, që e pret në Pallatin e Sant’Ufficio, kryeipeshkvi argjentinas i referohet disa herë ç’i shkruan Papa në letrën e emërimit, më 1 korrik. Françesku, nënvizon ai, e fton "t’i përdorë njohuritë teologjike në dialog me jetën e Popullit të shenjtë të Zotit" dhe prefekti i ri komenton se për Atin e Shenjtë ka rëndësi që teologjia të mos hsihet vetëm si shndritja nga lart, por ta lejojë Popullin e Zotit ta stimolojë, ta plagosë, ta çarmatosë atë. Fatkeqësisht, pranon i intervistuari, "dekadat e fundit nuk na kanë dhënë ndonjë rezultat të mirë” për këtë, pasi nuk ka pasur më teologë të nivelit të "Rahner, Ratzinger, Congar apo von Balthasar". Teologë të mëdhenj "që menduan në dialog me realitetin" dhe "ndikuan fuqimisht edhe në baritorinë e famullive më të vogla dhe më të varfra". "Ka pasur kontrolle, po, por pak zhvillim", shpjegon ai, dhe teologjia, që nga fundi i shekullit, "ka bërë pak hapa përpara".
Të tolerohet me mëshirë agresioni kundër mendimit të krishterë
Ndër temat e fundit të intervistës, "mandati" i Papës Françesku për të dëgjuar më mirë “problemet e shtruara nga shoqëria", duke dhënë një mendim të krishterë për to. Imzot Fernandez fton t'i "të tolerojmë me mëshirë agresionin kundër mendimit të krishterë. Vënia në diskutim e shoqërisë, a s’mund të jetë diçka që vetë Zoti e përdor për të na çarmatosur, për të na e hapur mendjen për gjëra të tjera?". Imzot Fernandez pranon se “dhuna verbale e disa grupeve është e kuptueshme, pas shumë shekuj dhune verbale nga ana e të krishterëve, pas përfoljes tejet fyese apo manipulimit përçmues të grave sikur të ishin të klasit të dytë”. Kryeipeshkvi shpreson që, me kalimin e kohës, “të reflektohet për këto çështje pa gjithë këtë ashpërsi”. Së fundi, ftesa e Papës për të promovuar atë mendim, i cili paraqet “një Zot që do, që fal, që shpëton”, duke i kushtuar vëmendje hierarkisë së të vërtetave. Ato "më të rëndësishmet për të shprehur zemrën e Ungjillit", të kujtuara në “Evangelii gaudium”, për kardinalin e ardhshëm, janë "bukuria e dashurisë shëlbuese të Zotit, manifestuar në Jezu Krishtin e vdekur dhe të ringjallur" dhe fakti që, në sferën morale, "veprat të dashurisë për të tjerët janë manifestimi i jashtëm më i përsosur i hirit të brendshëm të Shpirtit Shenjt".