Drejt Jubileut, me “qiejtë e hapur” të El Greco-s
R.SH. – Vatikan
Një ekspozitë në zemër të Romës. Në vendin e martirizimit të njërës nga shenjtoret e para martire të krishtera, ndër më të njohurat dhe më të dashurat: shën Anjeze, e lindur më 291 në Romë dhe vdekur në vitin 304 nga shpata, pikërisht këtu, në kishën kushtuar asaj, që quhet “në Agone”, pasi është ndërtuar në anën më të gjatë të stadiumit të Domicianit, në sheshin që nga të gjithë njihet si Piazza Navona. Në këtë kishë, për ndërtimin e së cilës ka punuar arkitekti i famshëm italian Borromini, më 6 shtator, u përurua ekspozita “Qiejtë e hapur. El Greco në Romë”, e para nga ngjarjet, që do të shoqërojnë Jubileun 2025.
Vepra, për herë të parë në Itali
Është fjala për tri vepra të piktorit grek, lindur në Heraklion të ishullit të Kretës, Domínikos Theotokópoulos, i quajtur më vonë El Greco, për shkak të dekadave që kaloi në Spanjë. Dy nga këto vepra vijnë nga Toledo: “Familja e Shenjtë me Shën Anën” dhe “Pagëzimi i Krishtit” e, pikërisht nga Hospital de Tavera, ndërsa e treta, “Krishti përqafon Kryqin,” nga El Bonillo, Museo Paroquial. Gjatë paraqitjes, folën rektori i kishës, imzot Paolo Schiavon, imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin, ambasadorja spanjolle në Selinë e Shenjtë Isabel Celaá, përgjegjësi për kulturën në bashkinë e Romës Miguel Gotor dhe kuratori i ekspozitës e autori i katalogut don Alessio Geretti.
Veprat nuk janë varur në mur, por në një strukturë të posaçme, për të mos dëmtuar mermerin e kishës. Në krye të kësaj skenografie spikat fraza programatike e projektit “Jubileu është kulturë”, sepse, siç shpjegon imzot Fisichella, “jubileu është përvojë feje, por edhe kulture: në njëfarë kuptimi, shtegtari që vjen në Romë, bëhet edhe turist, bëhet kureshtar dhe kërkon të bukurën”. E kjo bukuri do të vihet në dukje gjatë Vitit Shenjt, duke organizuar ekspozita të tjera në vende të pazakonta, por kuptimplote si burgje dhe spitale, për të sjellë shpresë përmes gjuhës universale të bukurisë edhe për njerëzit në nevojë. Imzot Fisichella shpjegoi për mediat e Vatikanit arsyet dhe objektivat e kësaj ngjarjeje të parë në kuadër të Jubileut…
Është manifestim, që dëshiron të thotë se Jubileu është edhe kulturë. Pa dyshim, ai është para së gjithash përvojë fetare, por, siç na tha edhe Papa Françesku, Jubileu, përveçse ka vlerë shpirtërore, ka edhe vlerë shoqërore, prandaj, ekspozita është plotësisht një përvojë, që na përgatit për të. Të mos harrojmë, ndër të tjera, se veprat e ekspozuara flasin për një artist të madh, i cili konsiderohet edhe artist i misticizmit të shekullit XVI, prandaj, jemi këtu për një përvojë kulturore, por edhe për një përvojë të thellë feje.
Ndër objektivat është organizimi i ngjarjeve të tjera, edhe në burgje e spitale, krejtësisht falas, apo jo?
Sigurisht, ky Jubile dëshiron të sjellë bukurinë dhe mesazhin e shpresës në ato vende ku ndihet ende vetëm dëshira për to. Pra, disa ekspozita do të shkojnë në burgje, në spitale, në vende ku është e nevojshme të sjellësh, nëpërmjet shpresës, ngushëllimin e madh dhe aftësinë për të parë me guxim të ardhmen.
El Greco, "njeriu i prekur nga Zoti"
Gjatë fjalës së tij, imzot Fisichella shpjegoi se etimologjia e emrit grek të artistit, Theotokópoulos, do të thotë "njeri i prekur nga Zoti". Prandaj, zgjedhja e El Greco-s për të hapur serinë e ngjarjeve në përgatitje të Jubileut është emblematike. Piktori kretan përfaqëson sintezën ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, vertikalizmi i figurave të tij na bën të shohim transhendencën e tyre. El Greco arrin ta shprehë bukurinë e Zotit me figura, që shkojnë përtej vlerës estetike. Arrin të shprehë misterin hyjnor e para atij misteri, reagimi i parë është heshtja kundruese". Më tej, pro-prefekti shton një notë personale: “Sa herë shkoj tek Ati i Shenjtë, në Pallatin Apostolik, më del përpara një pikturë e vogël me fytyrën e Krishtit, vepër e El Greco-s. Kështu, më lindi dëshira t'ua tregoj të gjithëve këtë artist. Në një farë kuptimi, El Greco është kthyer në Romë, ku dikur, ka qëndruar për gjashtë vjet me radhë”.