Dikasteri i Vatikanit për bamirësi: memorandum asistence për të pastrehët
R.SH. / Vatikan
Një afërsi që shprehet edhe në aspektet më të vogla e në dukje margjinale të ekzistencës së atyre që janë të pastrehë. Dikasteri i Vatikanit për Shërbimin e Bamirësisë nënshkroi dje një memorandum mirëkuptimi me Universitetin Ndërkombëtar të Mjekësisë UniCamillus dhe me klinikën "Madonna della Fiducia" (Zoja e Besimit) në Romë për ndihmë dentare ndaj të pastrehëve që trajtohen, për të gjitha patologjitë e tjera, në Ambulancën “Madre di Misericordia” (Zoja e Mëshirës) në Vatikan. Falë kësaj marrëveshjeje, shpjegon kardinali Konrad Krajewski, Lëmoshtar i Papës, të varfërit që i drejtohen ambulancës "Madre di Misericordia", pas një vlerësimi fillestar, pas do të marrin trajtimin e nevojshëm në Klinikën "Madonna della Fiducia", në lagjen Appio Latino të Romës.
Për kardinalin Krajewski kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm, kur dihen mirë nevojat që kanë shumë njerëz të brishtë, që shohim çdo ditë nën shtyllat e Shën Pjetrit në Vatikan, e sepse tani të pastrehët mund të gjejnë një ndihmë mjekësore pranë Ambulancës "Madre di Misericordia". Në këtë strukturë të Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Bamirësisë, themeluar në vitin 2015 me dëshirën e Papës Bergoglio, u ofrohet ndihmë falas shëndetësore të pastrehëve e nevojtarëve, falë angazhimit të 60 mjekëve, infermierëve dhe vullnetarëve. Në fakt, çdo vit pranë kësaj ambulance ofrohen mbi 14.000 shërbime shëndetësore, duke përfshirë vizita kardiologjike, ortopedike dhe analiza laboratorike, për rreth 6.000 persona.