Catholicos ortodoks siriako- malankarez për vizitë te Papa më 11 shtator
R.SH. / Vatikan
Më 11 shtator 2023, Shenjtëria e Tij Baselios Marthoma Mathews III, Catholicos (Primati) i Lindjes dhe Mitropolit i Kishës ortodokse siriako-malankareze, do të vizitojë Papën Françesku. Ky do të jetë takimi i parë zyrtar në Vatikan i Catholicos, zgjedhur në vitin 2021, me rastin e dhjetëvjetorit të vizitës së paraardhësit të tij, Shenjtërisë së Tij Baselios Marthoma Paulose II, si dhe të përvjetorit të dyzetë të vizitës së parë në Romë të një Catholicos të Kishës ortodokse siriako-malankareze.
Pas takimit privat me Atin e Shenjtë Françeskun, Shenjtëria e Tij Baselios Marthoma Mathews III do të vizitojë Dikasterin e Vatikanit për Promovimin e Unitetit të të Krishterëve. Të dielën, më 10 shtator, Catholicos do të kremtojë një Liturgji Eukaristike në Bazilikën Papnore të Shën Palit Jashtë Mureve, në Romë, për besimtarët e komunitetit ortodoks siro-malankarez që banojnë në Romë.
Kisha ortodokse siriake e Malankarës (e njohur edhe si Kisha Ortodokse Malankareze) është një nga Kishat e të krishterëve të Shën Tomës, më e vjetra nga komunitetet e krishtera në Indi, e themeluar sipas traditës nga Shën Toma Apostull, njëri nga 12 dishepujt e Jezusit. Kisha Ortodokse siriako-malankareze, sipas statistikave që ajo i dha Këshillit Botëror të Kishave, sot bashkon afërsisht 2 milionë besimtarë në të gjithë botën. Regjistrimi i vitit 2011 bërë në Kerala (në Indi) tregoi se 493,857 besimtarët e saj përbënin 1,5% të popullsisë së shtetit, 8,0% të të krishterëve. Ajo drejtohet nga një Catholicos (Primat) me qendër në Kottayam, Kerala. Udhëheqja aktuale mbahet nga Baselios Marthoma Mathews III.