Kërko

Françesku: lufta në Ukrainë u ka hequr buzëqeshjen fëmijëve

Sot paradite Papa takoi ipeshkvijtë greko-katolikë të Ukrainës të mbledhur për Sinodin e tyre që po mbahet në Romë: lufta është djallëzore, tha Papa, ajo u heq buzëqeshjen fëmijëve. Lutja e Rruzares në muajin tetor kushtuar paqes dhe përfundimit të konfliktit

R.SH. - Vatikan
Paraditen e sotme, para Audiencës së Përgjithshme, Papa Françesku priti në një takim ipeshkvijtë e Sinodit të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës në ambiente të Sallës Pali VI në Vatikan.

Gjatë takimit, i cili zgjati gati dy orë, pas përshëndetjes së Fortlumturisë së Tij Svjatoslav Ševčuk, i cili kujtoi situatën e dhimbshme në të cilën ndodhet vendi i tij, Ukraina, me rritjen e numrit të të vdekurve, të plagosurve, të torturuarve dhe falënderoi Papën për dashuria e treguar në shumë mënyra dhe në kaq shumë raste, folën pjesëmarrës të ndryshëm të pranishëm në audiencë, secili për të rrëfyer vuajtjet që po përjeton populli ukrainas në vende dhe mënyra të ndryshme.

Papa Françesku dëgjoi me vëmendje fjalët që iu drejtuan, duke shprehur, me disa ndërhyrje të shkurtra, ndjenjat e afërsisë dhe të pjesëmarrjes së tij në tragjedinë që po përjetojnë ukrainasit, me një "dimension martirizimi" për të cilin nuk flitet sa duhet, duke iu nënshtruar mizorisë dhe krimit. Papa shprehu dhimbjen e tij për ndjenjën e pafuqisë së përjetuar përballë luftës, "vepër e djallit, që dëshiron të shkatërrojë", e kujtoi në mënyrë të veçantë fëmijët ukrainas të takuar gjatë audiencave: "ata të shikojnë dhe kanë harruar buzëqeshjen" shtoi: "Ky është një nga frytet e luftës: heqja e buzëqeshjes nga fëmijët".

Për t'iu përgjigjur mizorisë së luftës, gjatë audiencës u tha se duhet më shumë lutje, konvertim dhe përfundim i konfliktit, e, pas një kërkese të shprehur nga të pranishmit gjatë takimit, Papa tha se është dëshira e tij që në muajin tetor, veçanërisht në shenjtërore, lutja e rruzares shenjte t'i kushtohet paqes dhe posaçërisht paqes në Ukrainë.

Duke folur për takimin që pati me disa të rinj rusë ditët e fundit, Papa përmendi përgjigjen që u dha gazetarëve në aeroplan gjatë kthimit nga Mongolia. Së fundi, Ati i Shenjtë kujtoi shembullin e Jezusit gjatë Mundimeve të tij udhës së Kryqit, i cili nuk bie viktimë e fyerjeve, torturave dhe Kryqëzimit, por dëshmon guximin për të thënë të vërtetën, për të qenë pranë popullit, që të mos shkurajohet. "Nuk është e lehtë - tha Papa – sepse kjo është shenjtëri, por populli do që ne të jemi shenjtorë dhe mësues të kësaj rruge që na mësoi Jezusi".

Në përfundim, përpara se ti drejtoheshin së bashku në lutje Zojës Mari, Papa tregoi se si çdo ditë i kujton ukrainasit në lutjen e tij përpara ikonës së Virgjërës Mari Theotokos (Nënës së Hyjit) e cila i qe dhuruar nga Kryeipeshkvi Madh përpara se të largohej nga Buenos Ajres.

06 shtator 2023, 13:55