Asambleja e Sinodit të Ipeshkvijve fillon më 4 tetor në Vatikan
R.SH. - Vatikan
Sinodi mbi sinodalitetin e Kishës, me temë “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje, mision”, do të hapet më 4 tetor dhe do të sjellë në Vatikan ipeshkvij dhe kardinaj nga e gjithë bota. Asamblesë XVI të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve do t'i paraprijë një vigjilje lutjeje e kryesuar nga Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, më datën 30 shtator.
"Në vigjiljen e lutjes - shpjegoi në një konferencë shtypi nënsekretarja e Sekretariatit të Përgjithshëm të Sinodit, motra Nathalie Becquart - do të marrin pjesë shumë udhëheqës të Kishave dhe bashkësive të krishtera, si dhe anëtarë të Asamblesë së Sinodit të Ipeshkvijve, të cilët etapën romake, para nisjes së punimeve të Sinodit, do të fillojnë me tërheqjet shpirtërore 3-ditore në Fraterna Domus në Sacrofano, përpara kremtimit të Meshës së hapjes së Sinodit paraditen e 4 tetorit të ardhshëm.
E hapur për të gjithë Popullin e Zotit, kjo vigjilje ekumenike e lutjes do të nxjerrë në pah dy aspekte themelore të Popullit të Hyjit: vendin qendror të lutjes dhe rëndësinë e dialogut me të tjerët për të ecur, kështu, së bashku në shtigjet e vëllazërisë në Krishtin dhe të unitetit”. Sinodi do të fillojë punimet në tetor. Do të jenë tre momente publike: Mesha e hapjes me Papën; kongregata a mbledhja e parë e përgjithshme; sesionet e hapjes së secilit modul. Në çdo modul a rreth grupet do të takohen për herë të parë për të trajtuar temën e caktuar. Në raundin e parë çdo ndërhyrje do të zgjasë katër minuta.
Papa - shpjegoi Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për komunikim si dhe president i Komisionit për Informacionin e Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve - na fton të gjithëve të kuptojmë dhe të tregojmë se çfarë është dhe çfarë nuk është Sinodi. Siç e pohuar disa herë të njëjtën gjë Papa, Sinodi nuk do të jetë një diskutim si në Parlament”. Kuvendi i Ipeshkvijve mbi sinodalitetin, pas tri javësh lutjeje, reflektimi dhe konvertimi, do të miratojë një dokument përmbledhës i cili do të jetë publik. Por nuk do të jetë dokumenti përfundimtar. Seanca e dytë do të mbahet në vitin e ardhshëm.
Të shumta janë sfidat me të cilat do të duhet të përballet Sinodi i tetorit. Në bocën me të cilat do të punojnë Etërit dhe Nënat pjesëmarrës të Sinodit (për herë të parë do të jenë rreth dyzet gra me të drejtë vote në një kuvend ipeshkvijsh që ka rreth 370 anëtarë), ndër kërkesat e parashikuara në Instrumentum laboris janë mirëpritja ndaj personave LGBTQ, mundësia për personat e divorcuar e të rimartuar për t'iu afruar Kungimit dhe një mundësi më e madhe për gratë në rolet kryesore të qeverisjes së Kishës.
"Nuk më shqetësojnë mendimet e ndryshme brenda Kishës, janë absolutisht normale. Sinodi për natyrën e vet, nuk është përçarës. Duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin për të shqyrtuar e kuptuar çka dëshiron Zoti për popullin e tij. Prandaj jam i bindur se ne mund të përparojnë mirë së bashku”. Kështu mendon Kardinali Jean-Claude Hollerich S.J., Relator i Përgjithshëm i Asamblesë së Zakonshme XVI të Sinodit të Ipeshkvijve, me rastin e së cilës, më 30 shtatorin e ardhshëm, do të ketë lutje në stilin ekumenik në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë, në prani të Papës Françesku dhe të përfaqësuesve të Kishave të ndryshme.