Më 7 shtator bie përvjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Vatikanit e Shqipërisë
R.SH. / Vatikan
Duke shfletuar kalendarin historik, më 7 shtator kujtojmë 32-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë më 7 shtator 1991, në rang Nunciature apostolike për Vatikanin dhe në rang Ambasade për Shqipërinë.
Kujtojmë se Nunci (ambasador) i parë i Selisë së Shenjtë në Shqipëri u emërua më 22 tetor të vitit 1991 prelati indian, imzot Ivan Dias. Më 18 dhjetor 1991, Nunci Apostolik imzot Ivan Dias paraqiti Letrat Kredenciale tek Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Tiranë. Ndërsa ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Vatikanit u emërua më 1993 prof. Willy Kamsi, i cili Letrat Kredenciale tek Papa Gjon Pali II i paraqiti më 22 prill 1993, tri ditë para vizitës historike të Atit të Shenjtë Karol Wojtila në Shqipëri.
Marrëdhënie diplomatike mes Vatikanit e Shqipërisë para diktaturës komuniste
Në të vërtetë, marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Vatikanit e Shqipërisë kanë një histori më të hershme që para periudhës së diktaturës komuniste, e ishte pikërisht qeveria komuniste e Tiranës ajo që i ndërpreu, në mënyrë të njëanshme, marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë me dëbimin si person të “padëshirueshëm” të Delegatit Apostolik imzot Leone Nigris më 24 maj të vitit 1945. Kujtojmë se Delegati Apostolik imzot Leone Nigris ishte në Shqipëri si përfaqësues i Selisë së Shenjtë pranë episkopatit tё Kishës katolike vendit që nga viti 1938 e deri mё 11 tetor tё vitit 1945.
Detyra e Legatit apostolik u mor përsipër nga ipeshkvi shqiptar, imzot Frano Gjini, i cili u torturua dhe u pushkatua në vitin 1948, duke shënuar edhe fundin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë. “Vetëm një vit pas rënies së Murit të Berlinit, katolikët e udhëhequr nga disa meshtarë të guximshëm arritën të kremtojnë publikisht Meshën e parë e ky akt shënoi preludin e fundit të regjimit komunist”, pati thënë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy Shteteve, në prani të kryeministrit shqiptar Edi Rama, para dy vjetësh në Romë.
Marrëdhëniet diplomatike mes Vatikanit e Shqipërisë pas komunizmit
Më 7 shtator 1991 rifilluan marrëdhëniet diplomatike edhe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë. Më 22 tetor 1991, imzot Ivan Dias emërohet Nunc i parë Apostolik në Tiranë e nga ai çast, kryen përkohësisht edhe funksionin e Administratorit Apostolik për gjithë Shqipërinë. 2 nëntori 1991 shënoi rilindjen e katolicizmit në Shqipëri. Atë ditë, dom Simon Jubani, meshtar i moshuar, që pati kaluar 26 vite në burgjet e Enver Hoxhës e ishte liruar më 1989, i bindur nga njerëzit, kremtoi Meshën në publik në hyrje të varrezave të Shkodrës, para personave të frikësuar e të shtangur, të cilët, për herë të parë, patën guximin të dalin haptas për të marrë pjesë në një kremtim fetar.
Më 25 prill 1993 gjatë vizitës së tij historike në Tiranë dhe në Shkodër, Papa Gjon Pali II shuguroi 4 ipeshkvijtë e parë. Më 23 mars 2002 u nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë mbi Rregullimin e Marrëdhënieve të ndërsjella. Më 3 dhjetor 2007 u nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë mbi disa çështje ekonomike e fiskale. E kështu ndodhi edhe me bashkësitë e tjera fetare. Me kohë, Shqipëria plotësoi kuadrin normativ jo vetëm lidhur me marrëdhëniet me Kishën Katolike, por edhe me kultet e tjera kryesore të pranishme në vend. Së fundi, Marrëveshjet e nënshkruara zbatojnë plotësisht dispozitat kushtetuese dhe bashkësitë fetare të njohura fitojnë dinjitet të plotë ligjor dhe gëzojnë trajtim të barabartë nga shteti shqiptar.
Kështu, në periudhën pas komunizmit mund të themi se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Vatikanit e Shqipërisë janë të mira e të frytshme, për të dyja palët, megjithëse nuk mungojnë sfidat. 32-vjetori i marrëdhënieve diplomatike rrëfen për një lidhje historike, që përshkon thuajse një gjysmë shekulli nën papninë e Gjon Palit II, e vijon të forcohet nën papninë e Benediktit XVI dhe tё Françeskut. Këta tre Papë, ashtu si edhe paraardhësit e tyre gjatë shekujsh, kanë treguar gjithnjë kujdes e vëmendje të veçantë ndaj popullit shqiptar dhe Kishës në trevat shqiptare, duke ndërmjetësuar e ndihmuar vazhdimisht për përparimin e popullit dhe të vendit të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës. E kjo gatishmëri e Vatikanit u vërejt e madje është rritur edhe në kohën e papnisë së Françeskut.
Liria e fesë u dha mundësinë besimtarëve të japin kontribut pozitiv
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, me rastin 30-vjetori i marrëdhënieve diplomatike, më 2021, përmendi fjalët e Papës Françesku për këtë periudhë, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri, në shtator të vitit 2014, kur theksoi se “lejimi i fesë u dha mundësinë besimtarëve të japin një kontribut pozitiv në rindërtimin, së pari moral e pastaj, ekonomik të vendit”. Në këtë atmosferë u lidhën marrëdhëniet diplomatike me Vatikanin, më 7 shtator 1991. Gjatë viteve në vijim, Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara, nënvizoi Sekretari i Shtetit kardinali Parolin, megjithëse nuk mungojnë sfida si “konsolidimi i institucioneve demokratike dhe marrja e vendimeve të guximshme për të mbështetur zhvillimin, familjen dhe rininë”.