Papa: më 4 tetor do të botoj pjesën e dytë të Laudato si’
R.SH. / Vatikan
Gjithjnë sot në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa kujtoi Ditën Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, e cila kremtohet më 1 shtator. "E nevojshme të radhitemi përkrah viktimave të padrejtësisë mjedisore dhe klimatike, duke u përpjekur t'i japim fund luftës së pakuptimtë në shtëpinë tonë të përbashkët, luftë e tmerrshme botërore".
Thirrja e Papës Françesku, që u lartua nga Salla e Palit VI, në Vatikan, këtë të mërkurë fundgushti, na kujton Ditën Botërore të Gierana-s për Kujdesin ndaj Krijimit. Mbahet më 1 shtator të këtij viti, me temë: “Le të rrjedhin drejtësia dhe paqja”.
Papa kujtoi se Dita përuron Kohën e Krijimit, që do të zgjasë deri më 4 tetor, në festën e Shën Françeskut të Asizit. E, si e kishte paralajmëruar më 21 gusht, kur priti në audiencë një delegacion juristësh nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës, Papa kujtoi sot se pjesa e dytë e enciklikës “Laudato si'” do të botohet më 4 tetor të ardhshëm.
Përkrah viktimave të padrejtësisë ambientale
“Në atë datë kam ndërmend të botoj një Nxitje, një të dytë të Laudato si'. Të bashkohemi me vëllezërit dhe motrat tona të krishtera në angazhimin për të mbrojtur Krijimin, si dhuratë e shenjtë nga Krijuesi”. Kështu u shpreh Papa, që në vijim përmblodhi me pak fjalë mesazhin e publikuar në majin e kaluar: “Është e nevojshme të radhitemi përkrah viktimave të padrejtësisë ambientale dhe klimatike, duke u përpjekur për t'i dhënë fund luftës së pakuptimtë në shtëpinë tonë të përbashkët, luftë e tmerrshme botërore. Ju bëj thirrje të gjithëve të punoni dhe të luteni që edhe një herë që të mbushet me jetë”.
Të ndryshohen politikat publike
Në Mesazh, Papa propozon "t’i shndërrojmë zemrat tona, stilet tona të jetesës, politikat publike, që drejtojnë shoqëritë tona". E flet përsëri edhe për kthesën ekologjike si dhe për nevojën që krijimi të mos shikohet si objekt për t'u shfrytëzuar, por si realitet, që duhet ruajtur e, sidomos "si dhuratë e shenjtë e Krijuesit". Në këtë tekst, Papa vë theksin mbi nevojën e "shndërrimit të politikave publike, që drejtojnë shoqëritë tona dhe që modelojnë jetën e të rinjve të sotëm dhe të nesërm". Thekson edhe rëndësinë e sinodalitetit duke shpresuar se "në këtë Stinë Krijimi, si ndjekës të Krishtit në rrugëtimin tonë sinodal, do të jetojmë, të punojmë dhe të lutemi që shtëpia jonë e përbashkët të rimbushet përplot me jetë".