Kërko

2023.08.05 Viaggio Apostolico in Portogallo in occasione della XXXVII Giornata Mondiale della Gioventu' - Incontro privato con i Membri della Compagnia di Gesu' 2023.08.05 Viaggio Apostolico in Portogallo in occasione della XXXVII Giornata Mondiale della Gioventu' - Incontro privato con i Membri della Compagnia di Gesu'

Papa jezuitëve të Portugalisë, "gabim të shohësh doktrinën si monolit"

Revista e jezuitëve të Italisë, la Civiltà Cattolica, publikon sot relacionin e dialogut të Papës Françesku me Jezuitët, në Portugali, më 5 gushtin e kaluar, gjatë shtegtimit apostolik në Ditën Botërore të Rinisë, në Lisbonë.

R.SH. - Vatikan

Papa përfiton nga pyetjet, për të ripohuar temat që i ka më për zemër, duke kujtuar, si shembull, situatën e krijuar edhe në kohën e gjeneralit të Shoqërisë së Jezusit, Atë Arrupes. Mbasi, shpjegon Françesku, është e vërtetë se Atë Arrupe dukej se i kishte marrë përsipër, veçanërisht lidhur me analizat marksiste, por "ai ishte njeri që dinte të shikonte përpara". Fjalë që duken se janë kundërshtim i fshehtë i punës së Kompanisë, vendosur nga Roma.

Situata në Shtetet e Bashkuara.

Jezuiti, që bën pyetjen, kujton situatën "jo të lehtë" në Shtetet e Bashkuara, me "qëndrim reaksionar shumë të fortë, të organizuar,  që krijon një ndjenjë emocionale përkatësie". Papa Françesku rrimerr fjalën dhe u kujton këtyre njerëzve se "rikthimi mbrapa është i kotë. Është e nevojshme të kuptohet se ka një evolucion të saktë në interpretimin e çështjeve të fesë dhe të moralit" dhe se ndryshimi "zhvillohet nga rrënja, drejt tjetrit”, sipas asaj që pati thënë Vincenzo di Lerins, domethënë se doktrina “përparon, zgjerohet me kalimin e kohës e konsolidohet me moshën”.

Papa Françesku jep tre shembuj: se sot të kesh armë atomike është mëkat, se dënimi me vdekje është mëkat dhe se edhe skllavëria është "toleruar, por sot gjërat janë ndryshe". Shkurtimisht, doktrina e Kishës nuk mund të shihet si një "monolit", por disa janë jashtë saj.

Janë “të prapambeturit”, të cilët duke shkuar prapa hamendësojnë “kritere   të ndryshme nga ato që të jep feja për t’u rritur dhe për të ndryshuar”. E kjo krijon “efekte shkatërruese në moral”. Papa Françesku pranon se njeriu mund të jetojë “një klimë mbylljeje”, por “tradita e vërtetë humbet dhe njeriu i drejtohet ideologjive për mbështetje, madje për mbështetje të të gjitha llojeve. Me fjalë të tjera, ideologjia zëvendëson fenë, përkatësia në një sektor të Kishës zëvendëson përkatësinë ndaj Kishës”.

Prandaj guximi i Atë Arrupes, i cili gjeti "një kompani e rrëmujshme", pas "Epitome-s" së gjeneralit Lédochowski, një lloj përmbledhje praktike të Kushtetutave dhe të Rregullave, që për një kohë të caktuar i formuan jezuitët aq, sa disa madje nuk e morën mundimin as t’i lexojnë kushtetutat. Papa e quan atë "Kompania e Epitome"(Shoqëria e mishërimit),  përshpirtëri që vetë Françesku e mori në noviciat dhe që Arrupe më pas vendosi ta "vënë në lëvizje".

Sigurisht "diçka doli jashtë kontrollit, gjë e pashmangshme, siç ishte çështja e analizës marksiste të realitetit", dhe atij iu desh të sqaronte disa gjëra, por Arrupe - kujton Papa Françesku - ishte "njeri që dinte të shikonte përpara” dhe që e përballoi realitetin duke filluar nga Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit dhe duke lënë si testament atë të lutjes, në një fjalim drejtuar jezuitëve që kujdeseshin për refugjatët në Tajlandë.

Përvoja e jezuitëve, edhe sot, është themelore për Papën. Françesku  nënvizon se shumëkush “e vë në diskutim Koncilin II të Vatikanit, pa e përmendur me emër”, por duhet ndjekur Shpirti Shenjt dhe, në këtë kuptim, vlerëson dokumentin që bën bilancin mbi gjendjen e Shoqërisë së Jezusit, që "flet për sot, por gjithmonë me hapje". E po, pika kryesore është lutja, sepse me këtë "jezuiti shkon përpara, nuk ka frikë nga asgjë,  e di se Zoti do t'ia frymëzojë në kohën e duhur, çka duhet të bëjë".

Papa Françesku nënvizon gjithashtu shqetësimin e tij për një "shoqëri të globalizuar", por paralajmëron edhe se "ne duhet të dialogojmë me botën, sepse nuk mund të jetosh i mbyllur, si turshitë", ose më mirë "nuk duhet të jesh fetar introvert, që i buzëqesh vetevetes, flet me veten, mbron mjedisin e vet, pa thirrë askënd”.

Papa kujton se ekziston problemi i një jete të lehtë, borgjeze, erotike dhe se ai, duke folur me priftërinjtë që punojnë në Kurie vitin e kaluar, theksoi problemin e atyre që shikonin pornografi në celular dhe nënvizoi se sot nuk ka asnjë arsye që problemet të fshihen, si dikur.

Problem serioz - shton Papa - krijohet nga “strehët e fshehura të vetëkërkimit, që shpesh kanë të bëjnë me seksualitetin, por edhe gjëra të tjera”. Duhet një “rrëmim i ndërgjegjes”, para së gjithash, e Papa “nuk ka frikë nga shoqëria e seksualizuar”, por nga mënyra se si njeriu lidhet me këtë seksualitet. Kjo është arsyeja pse Papa flet për shoqërinë e kësaj bote, një term që përfshin gjithashtu "maninë për të promovuar veten".

Papa Françesku rithekson rëndësinë themelore të përkushtimit të të varfërve, sepse "jeta ndërmjet të varfërve na ndihmon, na ungjillëzon", sepse “të varfërit kanë një urti të veçantë, mençurinë e punës dhe gjithashtu urtinë për ta pranuar punën dhe gjendjen e saj me dinjitet”.

Kështu - shton Papa Françesku - “kur të varfërit bëhen ‘të këqij’ sepse nuk mund ta durojnë më gjendjen e tyre - dhe kjo është e kuptueshme – atëherë inati dhe urrejtja mund të hapin rrugën e tyre. Atëhere edhe kjo është puna jonë: ndërsa i shoqërojmë, duhet të parandalojmë që të varfërit të mbingarkohen, me qëllim që t’i ndihmojmë të ecin, të përparojnë dhe të njohin dinjitetin e tyre. Në lagjet e varfëra ka probleme serioze, të cilat nuk janë më serioze se ato që ndonjëherë ekzistojnë në zonat e banuara, përveçse mbeten të fshehura.

Papa Françesku gjithashtu nënvizon, si gjithmonë, edhe problemet e botës dhe të klerikalizmit dhe vëren se "laikët e klerikalizuar janë të frikshëm". Ilaçi është "rrëmimi serioz i ndërgjegjes", i cili duhet "të paralajmërojë për t’u ruajtur nga demonët që i bien kumbonës".

Pyetet edhe për homoseksualët në Kishë dhe për faktin se ndoshta ata nuk i shikojnë marrëdhëniet e tyre si mëkate. Papa Françesku nënvizon se "nuk ka diskutim" për thirrjen drejtuar të gjithëve. "Është e qartë, vëren, se sot çështja e homoseksualitetit është shumë e fortë dhe ndjeshmëria në këtë drejtim ndryshon sipas rrethanave historike", megjithatë, ai argumenton se. atij nuk i pëlqen që "ta shikojë të ashtuquajturin mëkat të mishit me lente zmadhimi", dhe kështu "nëse i ke shfrytëzuar punëtorët, nëse ke gënjyer apo mashtruar, nuk ka vlerë; ndërsa përkundrazi mëkatet në bel e teposhtë janë tejet domethënëse”.

Prandaj Papa Françesku na fton të "mbajmë qëndrimin më të përshtatshëm baritor për secilin rast dhe jep shembullin e një grupi trans të njerëzve, të sjellë nga një kapelane e Cirkut të Romës, një murgeshë e Charles de Foucauld", e cila "herën e parë që erdhi, qau”, por pastaj “u mësua të vijë”. Me pak fjalë, “të gjithë janë të ftuar! E kam kuptuar se këta njerëz ndihen të refuzuar e kjo është vërtet e vështirë”.

Më në fund, gëzimet dhe pikëllimet. Papa Françesku pohon se është më i vetëdijshëm për “gëzimin e përgatitjes së Sinodit”, që nuk është “shpikja e tij”, edhe nëse pati një rrugë me “të meta”. E rithekson se “sinodaliteti nuk ka të bëjë me kërkimin e votave, siç do të bënte një parti politike, nuk është çështje preferencash, përkatësi e kësaj apo asaj partie. Në Sinod protagonist është Shpirti Shenjt. Ai është protagonist. Pra, duhet ta lëmë Shpirtin t’u prijë gjërave. Ta lëmë të shprehet, siç bëri në mëngjesin e Rrëshajëve. “Mendoj se kjo është rruga më e fortë”.

Por shqetësimi i Papës buron kryesisht nga luftërat, sepse “që nga mbarimi i Luftës II Botërore, luftërat kanë qenë të pandërprera në të gjithë botën”.

Së fundi, Françesku i fton jezuitët që ta mirëpresin "shqetësimin e të rinjve dhe t'i ndihmojnë ta zhvillojnë, në mënyrë që ky shqetësim të mos bëhet kujtim i së kaluarës. Me fjalë të tjera, shqetësimi duhet të zhvillohet pak nga pak, duke i hapur rrugë të reja jetës”.

28 gusht 2023, 16:06