Kërko

Papa Gjon Pali II me kardinalin Geraldo Majella Papa Gjon Pali II me kardinalin Geraldo Majella  

Ndërroi jetë kardinali Geraldo Majella Agnelo: ishte 89 vjeç

Kardinali, i cili banonte që nga viti 2014 në Londrina të Brazilit, në shtetin Parana, ndërroi jetë sot në mëngjes. I prekur nga një ictus dhjetorin e vitit të kaluar, gjendja e tij shëndetësore u keqësua pak ditë më parë aq, sa t’i shkatonte vdekjen.

Lajme nga Vatikani

Sot në mëngjes, në Londrina të Brazilit, ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare. Kardinali Geraldo Majella Agnelo, kryeipeshkëv nderi i São Salvador da Bahia. Që nga viti 2014 banonte në qytetin e shtetit Parana, ku dhjetorin e kaluar pësoi një goditje në tru, gjë që ia keqësoi më tej shëndetin “Zoti e mirëpret në shtëpinë e tij të përjetshme: shndritët mbi të drita e Tij”, shkruan kryeipeshkvnia e Londrinës në një letër të përmortshme. Konferenca Kombëtare e Ipeshkvijve të Brazilit (CNBB) në një notë dhimbjeje dhe ngushëllimi, kujton me mirënjohje kardinalin dhe ngushëllon kryeipeshkvin e Sao Salvadorit, kardinalin Sergio da Rocha, familjen e të ndjerit, besimtarët dhe gjithë popullin e Zotit.

Studimet

I lindur më 19 tetor 1933 në Juiz de Fora, në shtetin e Minas Gerais, Kardinali Majella Agnelo filloi studimet filozofike në seminar në vitin 1951. Në vitin 1954 u regjistrua në Fakultetin e Teologjisë Nossa Senhora da Assunção në São Paulo, ku u diplomua tri vjet më pas. U shugurua meshtar më 29 qershor 1957 në Katedralen e Shën Palit, për të kryer më pas detyra të shumta.

Në tetor 1967 filloi studimet për liturgji në institutin liturgjik papnor të Shën Anselmit në Romë, ku më 3 dhjetor 1969 mori doktoraturën. Gjatë qëndrimit në kryeqytet, në Pontificio Collegio Pio Brasiliano, merrte pjesë çdo javë në programin e Radio Vatikanit për Brazilin me titull "Liturgjia dhe jeta" dhe ishte bashkëpunëtor baritor në famullinë e San Clemente Papa në rrethin Montesacro.

Angazhimi në Brazil

Në vitin 1970 u kthye në vendin e tij dhe dha mësim në Sao Paulo. Më 5 maj 1978, Pali VI e emëroi ipeshkëv të Toledos, në shtetin e Paranës. Më 4 tetor 1982, Gjon Pali II e zgjodhi kryeipeshkëv metropolitan të Londrinës, për ta emëruar më 16 shtator 1991 Sekretar të Kongregatës për Adhurimin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve. Më pas kreu edhe detyura të tjera të larta, derisa u krijua kardinal nga Gjon Pali II, më 21 shkurt 2001.  La pas shumë libra dhe artikuj shpërndarë në revista dhe gazeta të ndryshme braziliane dhe italiane.

Varrimi

Në një letër shkruar në mars 2020 - njofton në ueb faqja e kryeipeshkvnisë së Londrinës - kardinali pati shprehur dëshirën për t'u varrosur në qytetin e Londrinës. Prandaj, Kryeipeshkvnia e Londrinës dhe Kryeipeshkvi i saj, Dom Geremias Steinmetz, pranojnë dëshirën e kardinalit, i cili do të varroset në kriptën e Katedrales Metropolitane të Londrinës.

Kolegji i Kardinajve

Me vdekjen e kardinalit Majella Agnelo, Kolegji i Kardinajve përbëhet nga 221 kardinaj, nga të cilët 120 janë zgjedhës, 101 jozgjedhës.

26 gusht 2023, 17:15