Kryeipeshkvi Caccia, në OKB, kërkon ndalimin universal të provave të armëve bërthamore
R.SH. / Vatikan
Delegacioni i Selisë së Shenjtë "mbështet përpjekjet për hyrjen në fuqi të Traktatit për Ndalimin Gjithëpërfshirës të Provave Bërthamore". Është edhe në favor të "fuqizimit të ndalimit të provave të eksplozivëve bërthamorë të përfshirë në Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPNW). Vëzhguesi i përhershëm vatikanas, Kryeipeshkvi Gabriele Giordano Caccia, e përsëriti këtë duke folur dje në takimin plenar të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për të përkujtuar dhe për të promovuar Ditën ndërkombëtare kundër testeve bërthamore.
Françesku mbi potencialin shkatërrues të armëve bërthamore
Kryepeshkopi Caccia kujtoi ftesën e Papës Françesku drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për të "mësuar nga ata, që u prekën nga provat bërthamore". Në Mesazhin me rastin e Konferencës së Vjenës mbi ndikimin humanitar të armëve bërthamore, më 7 dhjetor 2014, Papa i pati cilësuar ato "zëra profetike", sepse shprehin me forcë përpara botës "rreziqet e armëve bërthamore, që kanë forcë të na shkatërrojnë ne e qytetërimin tonë”.
Dëmet serioze, shkaktuara nga provat bërthamore
Kryeipeshkvi Caccia kujtoi testin e parë bërthamor në New Mexico, para 78 vjetësh, që i hapi rrugën garave të armatimit dhe provave të pajisjeve bërthamore për të gjithë shekullin e kaluar. Foli edhe për pasojat e tyre të rënda "duke përfshirë zhvendosjen, problemet shëndetësore të shumë brezave, ushqimin dhe ujin e helmuar si dhe ndërprerjen e lidhjeve shpirtërore të njerëzve me Tokën, shtëpinë tonë të përbashkët". Popujt indigjenë, gratë dhe fëmijët të cilëve u është dhënë pak ndihmë, vuajtën më shumë, ndërsa shtetet - paralajmëroi - "kanë detyrim moral dhe ligjor për të mbrojtur jetët, bashkësitë dhe ekosistemet e dëmtuara nga këto teste".
Selia e Shenjtë: ndaloni armët dhe eksperimentet!
Ipeshkvi paralajmëron: "Për fat të keq, perspektivat e rifillimit të eksperimenteve me eksplozivët bërthamorë mbeten reale" e, përballë këtij rreziku, duhet një përgjigje. Prandaj vëzhguesi i përhershëm përsëriti qëndrimin e Selisë së Shenjtë, e cila kërkon hyrjen në fuqi të Traktatit për Ndalimin Gjithëpërfshirës të Provave Bërthamore dhe forcimin e ndalimit të testimit të eksplozivëve bërthamorë, të përfshirë në Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPNW), me objektiv themelor "një botë pa armë bërthamore". Duke cituar përsëri mendimin e Papës Françesku, Imzot Caccia përfundon duke theksuar se "ndalimi universal për provat e eksplozivëve bërthamorë e ripërtritja e jetëve dhe e mjediseve të dëmtuara nga teste të tilla, janë udha në të cilën duhet ecur për të ndërtuar, në vend të tyre, klimën e besimi dhe të dialogu i sinqertë”.