Kard. Parolin: Papa pret shumë nga takimi me të rinjtë e DBR-së
R.SH. / Vatikan Massimiliano Menichetti
Të rinjtë që kanë mbërritur në Lisbonë, presin që Françesku ta jetojë së bashku me ta Ditën e 37-të Botërore të Rinisë, e para pas pandemisë së Covid-19. Papa Françesku niset për në Portugali me vetëdijen se këto "mbledhje kanë një forcë të madhe në vetvete, madje edhe forcën për t’ia ndryshuar shumëkujt jetën". Kështu Kardinali Parolin - ndan me mediat e Vatikanit - mendimet e Atit të Shenjtë i cili do t’i takojë, do t’i dëgjojë dhe do të flasë me të rinjtë ardhur nga e gjithë bota për këtë festë të madhe feje.
Ati i Shenjtë Bergoglio do të jetë në kryeqytetin portugez nga data 2 deri më 6 gusht: udhëtimi i tij i 42-të ndërkombëtar pikërisht për DBR-së. Sekretari i Shtetit i Vatikanit karidnali Parolin u bën thirrje të gjithë atyre që nuk mund të marrin pjesë fizikisht në këtë Ditë të "ndihen të përfshirë dhe plotësisht protagonistë" dhe shpjegon se ndalesa e Papës në Shenjtëroren e Zojës Bekuar në Fatima ka për qëllim takimin me të sëmurët e të vuajturit si dhe lutjen për paqe.
Hirësi, Françesku do të jetë me të rinjtë e DBR-së në Lisbonë, Portugali. Si po përgatitet Papa për këtë takim?
Ati i Shenjtë pret shumë nga kjo Ditë Botërore e Rinisë në Lisbonë e, në disa videomesazhe, tashmë i ka ftuar të rinjtë të bashkohen me të në këtë shtegtim dhe të përgatiten për këtë ngjarje kishtare, veçanërisht me lutje. Lutet, Papa, për të gjithë të rinjtë që tashmë janë nisur për në Lisbonë në këto ditë, me bindjen, me vetëdijen se këto takime, këto tubime kanë një forcë të madhe në vetvete, madje edhe forcën për t’ua ndryshuar disave edhe jetën. Ai vetë pak kohë më parë pohoi "ne rritemi shumë në ditë të tilla!". Ndaj Ati i Shenjtë po përgatitet për Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë me shpresë të madhe dhe po i inkurajon të rinjtë të kenë të njëjtin qëndrim ndaj të gjitha çasteve, që do t’i jetojë me ta. Para disa javësh ai mori edhe, le ta quajmë 'çantën e shpinës', pikërisht atë, që do të marrin edhe shtegtarët e rinj në Lisbonë.
Ditët Botërore të Rinisë kanë lindur nga intuita e Shën Gjon Palit II. Çfarë do të thotë ky takim botëror në vitin 2023?
Do të thosha se zgjedhja e Gjon Palit II ishte padyshim zgjedhje profetike, intuitë profetike, e cila pati kujtuar se Kisha dëshiron t’i shoqërojë të rinjtë, dëshiron t’i shoqërojë për t'ua shpallur Ungjillin dhe për t'ua lehtësuar takimin me Krishtin; se Kisha duhet të ndihet gjithnjë e më e përkushtuar, në nivel botëror, në favor të të rinjve, në favor të anktheve, të shqetësimeve të tyre, të shpresave të tyre dhe gjithashtu t'u përgjigjet pritshmërive të tyre, gjithmonë në këndvështrimin e takimit me Krishtin që është Rruga, e Vërteta, Jeta.
Prandaj, kjo intuitë profetike më duket se ndjehet në të gjithë rëndësinë e saj edhe në ditët tona. Edhe sot, kjo intuitë profetike ruan gjithë vlerën, sepse dëshiron të riafirmojë përkushtimin e Kishës ndaj brezave të rinj. Bota jonë, që po kalon një ndryshim të thellë, që ka njohur përvojën tragjike të pandemisë Covid dhe që po jeton konflikte të shumta, sot, në mbarë planetin, ka më shumë nevojë se kurrë që të rinjtë ta takojnë fytyrën e Jezu Krishtit, ta njohin Fjalën e tij të shëlbimit dhe të bëhen dishepujt e tij. Dhe kështu, Dita Botërore e Rinisë dëshmon ende se është mjet dhe rast i rëndësishëm për ungjillëzimin në botën e të rinjve.
E është aspekt i vëllazërisë universale, fakti që këta të rinj, të ardhur nga vende të ndryshme, pra me kultura, gjuhë, stile jetese të ndryshme, mund të takohen me njëri-tjetrin dhe të shkëmbejnë përvojat e tyre, të shkëmbejnë dhuratat e tyre. Ndaj duhet të jemi mirënjohës që kjo përvojë është çuar përpara për 40 vjet dhe që sot ka një shans të madh të ndikojë mbi jetën e të rinjve.
Çfarë mund të mësojë sot Kisha nga të rinjtë?
Besoj se Kisha ka përpara sfidën e madhe të transmetimit të fesë, transmetimin e fesë në botë, në përgjithësi. Dhe besoj se në këtë detyrë që ka Kisha, të rinjtë kanë diçka për të na thënë. Në botën e sotme nuk janë të paktë ata që nuk e njohin Jezu Krishtin ose ndoshta e kanë refuzuar, ndaj numri i atyre që kanë humbur besimin dhe sillen sikur Zoti të mos ekzistonte, po rritet. Papa ka folur shpesh për këtë ndërprerje në transmetimin e fesë ndërmjet brezave të popullit të Zotit, duke shpjeguar se është disi normale që ata të ndjehen pothuajse të zhgënjyer nga Kisha dhe të mos identifikohen më me traditën katolike. Numri i prindërve që nuk i pagëzojnë fëmijët e tyre, që nuk i mësojnë të luten ose që shkojnë në bashkësi të tjera fetare, po rritet (EG 70).
Kjo situatë, të cilën duhet ta kuptojmë dhe ta kemi parasysh, ndikon nga afër mbi jetën e të rinjve që i bëjnë vetes pyetje: shumë dyshime dhe shumë pyetje, të cilave ata nuk janë në gjendje t'u përgjigjen. Prandaj, ajo që të rinjtë kërkojnë nga Kisha është që Kisha të ripërtërijë zellin e saj apostolik dhe, pa frikë, të ndërmarrë rrugën e kthesës baritore e misionare, aq të dëshiruar nga Ati i Shenjtë. Duhet të jesh krijues, duhet gjetur guximi dhe gjuha e duhur për t'ia paraqitur Jezu Krishtin të rinjve të sotëm, me gjithë freskinë e tij, me gjithë kohën e tij, në atë mënyrë që edhe të rinjtë e kësaj kohe, të cilët kanë ndjeshmëri, stile, mënyra për të bërë gjëra të ndryshme nga bashkëmoshatarët e tyre të së shkuarës, të mund ta takojnë atë dhe të jetojnë një përvojë besimi të thellë, dhe nga kjo përvojë e besimit të thellë të lindë dëshira për ta ndarë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Prej këndej, ftesa për të mos u mbyllur të qetë brenda mureve tona, por për t'u bërë vërtet misionarë të të rinjve dhe për t'i përfshirë më shumë në këtë rrugëtim besimi.
Shumë kriza po kalon bota: luftëra, varfëri, indiferencë, braktisje, egoizëm, laicizëm... A mund t'i kapërcejnë të rinjtë këto sfida?
Po, dhe besoj se treguesi na vjen pikërisht nga Mesazhi, që Ati i Shenjtë u drejtoi të rinjve për DBR-së, ku u flet për Zojën e Bekuar, Virgjrën Mari e cila, menjëherë pas lajmit të Engjëllit të Zotit, ngrihet me nxitim dhe niset (Lk 1,39) tek kushërira e saj, Elizabeta, për ta ndihmuar. Ja, atëherë Zoja na tregon, u tregon të rinjve mbi të gjitha, rrugën e afërsisë dhe të takimit. Dhe besoj se të rinjtë, pikërisht kur ecin në këto shtigje, në këto shtigje afërsie dhe takimesh, kanë në vetvete aftësinë për të përballuar sfidat e shumta të shoqërisë sonë dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e tyre.
E di, kam parasysh dëshmitë e shumë të rinjve, të cilët, ashtu si Zoja e Bekuar, nuk kanë frikë të braktisin rehatinë, për të qenë pranë nevojtarëve, por përdorin talentet e tyre, dhantitë e tyre, aftësitë e tyre në shërbim të së mirës në botë. Besoj se ky është kontributi që të rinjtë mund të japin për sfidat e mëdha të kohës sonë.
Etapa e Fatimës është shtuar në DBR. Çfarë do të thotë kjo vizitë në shenjtëroren e Zojës?
Është vizitë e rëndësishme, në të cilën Ati i Shenjtë do të takohet me të rinj të sëmurë dhe do të thotë Rruzaren e Shenjtë me ta. Një çast intensiv. Unë mendoj se Papa dëshiron të përsërisë mesazhin e Zojës Bekuar transmetuar tre barinjve të vegjël, kur u duk në vitin 1917. Ato ishin fjalë ngushëllimi, ishin fjalë shprese për një botë në luftë, jo shumë të ndryshme nga realiteti që po përjetojnë sot. Zoja e Bekuar i ftoi barinjtë e vegjël dhe, nëpërmjet tyre, burrat, të luten dhe të thonë veçanërisht Rruzaren e Shenjtë me fe të madhe për të arritur paqen në botë.
Kështu që Papa Françesku, i cili mbart gjithmonë në zemrën e tij dramën e të përfshirëve në konflikte, me këtë vizitë në Shenjtëroren e Fatimes gjatë DBR-së 2023, na kërkon të mos e humbasim shpresën dhe të ngulmojmë në lutje, sidomos, në Rruzaren Shenjte.
DBR-ja mund dhe duhet të jetë çast dëgjimi. Çfarë mendoni se mund të dalë nga ky takim?
Aty është hiri i Zotit që vepron në zemrat e njerëzve dhe në zemrat e të rinjve, por dua të nënvizoj se janë tre çaste takimi, që më duken shumë të rëndësishme. I pari është të dëgjosh Zotin, thirrjen e tij. Një çast veçanërisht domethënës, në këtë kuptim, është kremtimi i lutjes Mbrëmësore të shtunën në mbrëmje, gjatë së cilës ka edhe një kohë adhurimi Eukaristik. Të takosh Zotin të pranishëm në Eukaristi dhe ta lejosh të ndeshet me ty i pranishëm në Eukaristi do të thotë të jesh i gatshëm të dëgjosh edhe Fjalën e tij: takim që mund të ndryshojë vërtet jetën e shumë të rinjve.
Çasti i dytë i dëgjimit është ai i fjalës së Papës. Ne e dimë se sa aftësi ka Papa të hyjë në kontakt dhe të jetë në harmoni me të rinjtë, sa i aftë është për t'u folur atyre, për t'u thënë fjalë që mund t'i trondisin, t’i inkurajojnë. Edhe takimi me Pasardhësin e Pjetrit, si dëshmitar dhe mësues i besimit, mund të bëhet një pikë kthese në jetën e të rinjve.
Çasti i tretë, pastaj, është ai i takimit dhe i dëgjimit të të rinjve: çdo Ditë Botërore e Rinisë është rast për të takuar, siç thashë, të rinj që vijnë nga vende të tjera, për të mësuar se si bashkëmoshatarët e tyre e jetojnë jetën dhe si mund ta pasurojmë njëri-tjetrin.
Çfarë mund t'u thuash të rinjve të shumtë, që nuk do të jenë në Lisbonë, edhe pse dëshirojnë?
Po, ne e dimë se ndërsa Dita Botërore e Rinisë po mbahet në Lisbonë, do të ketë edhe ngjarje lokale dhe do të jetë e mundur të ndiqet DBR-ja përmes mediave sociale. Ata që nuk munden - për arsye të ndryshme - të shkojnë në Lisbonë, i ftoj të bashkohen shpirtërisht me Papën dhe me bashkëmoshatarët e tyre që janë në Portugali dhe ta jetojnë, qoftë edhe nga larg, këtë përvojë duke u lutur me ta dhe për ata, për ata që janë në Lisbonë. Prandaj edhe ata duhet të ndihen pjesë e gjallë e kësaj DBR!
Dua ta mbyll duke kujtuar fjalët e Atit të Shenjtë: Ditët Botërore të Rinisë nuk janë “fishekzjarre”, pra çaste entuziazmi, ndoshta entuziazmi të madh, të cilat megjithatë mbeten të mbyllura në vetvete: nuk mjaftojnë, duhet të integrohen në baritorinë e zakonshme rinore të Kishës. Prandaj, para çdo DBR-je duhet të ndjehet puna baritore e dioqezave dhe famullive kishtare, që thirren për të përgatitur tubimet botërore, të cilat më pas duhet të ndiqen. Besoj se në këtë çast të gjithë të rinjtë, edhe ata që nuk mund të jenë fizikisht të pranishëm në Lisbonë, duhet ta ndjejnë veten të përfshirë dhe plotësisht protagonistë.