Kërko

2023.08.16Il cardinale Parolin incontra a Malakal, in Sud Sudan, i rifugiati e gli sfollati 2023.08.16Il cardinale Parolin incontra a Malakal, in Sud Sudan, i rifugiati e gli sfollati 

Kard. Parolin në Sudanin e Jugut: e keqja nuk e ka fjalën e fundit

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, pasi mbërriti dje në Juba, vazhdon udhëtimin në Afrikë. Dje, gjatë Meshës në katedralen e Malakal, kujtoi afërsinë e Papës me sudanezët. Mendimet e mijëra të shpërngulurve dhe lutja për t'i dhënë fund hakmarrjeve

R. SH. - Vatikan

Ngjitja e Zojës në parajsë është shenjë ngushëllimi dhe shprese. Atë duhet ta shikojmë, ndërsa vijojmë shtegtimin mbi dhe e jetojmë pasojat e së keqes, siç ndodh me luftën e vazhdueshme në Ukrainë, në Sudan si dhe në shumë vise të tjera të Afrikës, si dhe së keqen së luftës civile në Sudanin e Jugut, vend që sot lufton për të shëruar plagët e shumta. Kështu u shpreh Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin gjatë Meshës së kremtuar dje, ditën e Zojës së Ngjitur në Qiell, në katedralen e Malakal, vizita e dytë e udhëtimit të tij në Sudanin e Jugut, e treta pas asaj të korrikut 2022 dhe të shkurtit të kaluar, së bashku me Papën. Kardinali Parolin, që ishte në kryeqytetin Juba, i ardhur nga Angola, do të qëndrojë në Sudanin e Jugut deri të enjten, më 17 gusht.

Tragjedia e të shpërngulurve

Të pranishëmve në Meshë, ndërmjet të cilëve edhe të zhvendosurit e Malakalit si dhe të rikthyerit, që ikën nga konflikti në Sudan, kardinali u solli afërsinë, lutjet dhe bekimet e Françeskut: u foli për kujtimin e gjallë që ka Papa për vizitën e tij; u kujtoi se Ipeshkvi i Romës e ka në zemër këtë popull, me vështirësitë e plagët, ëndrrat dhe shpresat. Kriza e refugjatëve në Sudanin e Jugut mbetet më e madhja në Afrikë, me 2.3 milionë njerëz që jetojnë në vendet fqinje dhe 2.2 milionë të tjerë të zhvendosur brenda vendit. Sudani vazhdon të vuajë pasojat e luftës civile, konfliktet e vazhdueshme etnike dhe, së fundmi, efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike, që lënë miliona njerëz pa bukë e pa strehë!

Plaga e hapur e hakmarrjes

“Ju – kujtoi kardinali Parolin gjatë homelisë - vuajtët shumë dhe jetuat konflikte të dorës së parë, tensione, uri, pasiguri, përmbytje, grindje etnike, luftë për pushtet dhe lojëra politike.

“Deri kur, o Zot, do të na duhet t'i vuajmë të gjitha këto të zeza? Kur do të kthehen paqja dhe qetësia në bashkësitë tona? Thirrja e nënave, gjysheve dhe njerëzve të pafajshëm arrin në qiell. E deri kur, o Zot?”. Kardinali kujtoi mijëra njerëz të zhvendosur dhe përmendi "murtajën e madhe të hakmarrjes" që po shkatërron komunitetet. Pikërisht në Malakal, në fillim të qershorit të kaluar, 13 persona humbën jetën gjatë një përleshjeje të dhunshme ndërkomunitare në kampin Unimiss për të zhvendosurit, drejtuar nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut, i destinuar si vend për mbrojtjen e civilëve, ngritur 10 vjet më parë për të strehuar rreth 12,000 njerëz, ndërsa dhjetorin e kaluar numëronte mbi 37,000.  

Kur Françesku pati thënë: bëhuni farë shprese

Më pas, kardinali Parolin i qetësoi besimtarët, duke u kujtuar se e keqja nuk e ka fjalën e fundit dhe nuk fiton gjithmonë. Zoja e Ngjitur në Qiell është mbrojtëse ndër shtigejt e botës: është “shenjë ngushëllimi dhe shprese, që ndriçon errësirën dhe vuajtjet e jetës”. E sa "shumë nevojë" për shpresë ka Malakali, si dhe pjesa tjetër e vendit, Sudani fqinj dhe mbarë bota.

Gjatë predikimit, Kardinali Parolin kujtoi edhe takimin e Papës me të zhvendosurit në Juba, kur Françesku u kërkoi atyre të ishin fara e shpresës, "fara e një Sudani të ri Jugor, një farë për rritjen pjellore dhe të harlisur të këtij vendi". Papa ftonte “për të mos iu përgjigjur të keqes me të keqe”, për të zgjedhur vëllazërinë dhe faljen, për të kultivuar “një të nesërme më të mirë”, për të bashkëpunuar dhe për të nisur rrugët e pajtimit me këdo, edhe me atë që, ndonëse i ndryshëm “nga etnia dhe origjina”, mbetet fqinj.

Takimet e djeshme

Ditën e tij të parë në vend, në Juba, Sekretari i Shtetit i Vatikanit u takua me presidentin e Sudanit të Jugut, Salva Kiir, dhe i dorëzoi një mesazh nga Papa. Parolin dhe presidenti - sipas njoftimit të burimeve të qeverisë vendase - diskutuan "një gamë e gjerë çështjesh në lidhje me zbatimin e paqes dhe përgatitjen e vendit për zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm”. Kardinali Parolin "ftoi më pas popullin e Sudanit të Jugut të ndjekë frymën e paqes dhe të pajtimit për të ndërtuar një shoqëri plot harmoni në vend". Pastaj, në katedralen e Shën Terezës, në Juba, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, së bashku me Këshillin e Kishave të Sudanit të Jugut, organ në të cilin bëjnë pjesë përfaqësues të katolikëve, presbiterianëve, pentekostalëve, episkopalëve mbolli një pemë, si një gjest paqeje e simbol i fuqishëm shprese dhe bashkimi për brezat e ardhshëm. Nga Malakal, Kardinali Parolin do ta përfundojë shtegtimin me një vizitë në dioqezën e Rumbek, në Shtetin e Liqeneve.

16 gusht 2023, 11:22