Kard. Parolin në Angola për nuncin e parë angolan: "Ju sjell bekimin e Papës"
R. SH. - Vatikan
Nesër, më 12 gusht, Sekretari i Shtetit të Vatikanit do të kryesojë, në Onxhiva, shugurimin ipeshkvnor të Imzot Penemote, emëruar nga Papa në qershor si përfaqësues i tij në Pakistan. Sot, mbërritja në Luandë, i mirëpritur nga përfaqësues të kishës dhe të qeverisë e i përshëndetur përzemërsisht nga besimtarët: “I lum, që jam këtu, për herë të parë”. I pyetur nga mediat lokale për shtegtimin e mundshëm të Papës në vend, kardinali u përgjigj: “Mendoj se Ati i Shenjtë e uron këtë me gjithë zemër”.
Kard. Parolin në Angola për nuncin e parë angolan: "Ju sjell bekimin e Papës"
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, u prit sot, më 11 gusht, në Luanda të Angolës me këngë, valle dhe duartrokitje të një grupi murgeshash dhe grash me veshje tradicionale. Në vendin afrikan, kardinali do të kryesojë nesër kremtimin për shugurimin ipeshkvnor të nuncit të parë të Angolës, Imzot Germano Penemote, i emëruar nga Papa më 16 qershor si përfaqësues i tij në Pakistan.
Hera e parë në Angola
Për kardinalin Parolin, i cili e ka vizituar Afrikën në shumë raste, është vizita e parë në Angola. “Shumë i lumtur që jam këtu, hera e parë që shkel këtë tokë” - pohoi para grupit të besimtarëve, të cilët i bënë pritje festive jashtë Nuncaturës së Luandës. “Muito obrigado”, tha kardinali, duke shtuar: “Ju sjell edhe bekimin e Papës Françesku. Edhe nëse nuk do të kemi shumë kohë para se të shkojmë menjëherë në Onxhiva, e di që e gjithë Kisha Angoleze do të jetë e pranishme në shugurimin e nuncit të parë apostolik nga këto troje”.
Mesha e shugurimit të Imzot Penemote do të kremtohet në dioqezën e Onxhivës, në provincën e Cunene, në orën 9.30 (8.30 në Romë) nesër, e shtunë 12 gusht. Të dielën, Sekretari i Shtetit të Vatikanit do të kthehet në kryedioqezën e Luandës për t'u lutur me Bashkësinë e Shën Palit.
Pritja e besimtarëve
Kardinali Parolin mbërriti në Angola sot në mëngjes. Pasi zbarkoi në Aeroportin Ndërkombëtar 4 de Fevereiro (Luandë), u prit nga disa ipeshkvij të Konferencës Ipeshkvnore të Angolës dhe São Tomé (CEAST), nga besimtarë dhe përfaqësues të organeve qeveritare. Menjëherë u transferua në Nunciaturë për pritjen e përzemërt të besimtarëve me të cilët tha Atynën dhe përshëndeti personelin papnor e, më pas, u lut në Kapelë.
Shtegtim i mundshëm i Papës
I intervistuar nga mediat lokale, Kardinali Parolin përsëriti se ishte në Angola për shugurimin ipeshkvnor: “Mendova se ishte mundësi e mirë për të theksuar këtë ngjarje”. "Ngjarje e rëndësishme për Kishën universale dhe për këtë tokë", të cilën - përsëriti ai - nuk e kisha vizituar kurrë më parë: "Isha i interesuar të vija këtu për këtë rast të çmuar". Shugurimi i nuncit Penemote - shtoi - "ka lidhje të veçantë me Romën, sepse ipeshkvi që do të shugurohet, do të jetë përfaqësues i Papës, madje, përfaqësuesi i parë i Papës, që vjen nga kjo tokë". Kur u pyet për një shtegtim të mundshëm të Papës Françesku në Angola, Sekretari i Shtetit të Vatikanit gjegji: "Kush e di... Unë nuk jam profet, por mendoj se Papa është shumë i interesuar për një udhëtim të mundshëm. Ka thënë tashmë se dëshiron të bëjë një shtegtim tjetër në Afrikë. Mendoj se dëshiron me gjithë zemër të vijë këtu”.