Kërko

Shugurimi ipeshkvnor në Angola i Imzot Germano Penemote, kryesuar nga Kard Parolin, më 12 gusht 2023 Shugurimi ipeshkvnor në Angola i Imzot Germano Penemote, kryesuar nga Kard Parolin, më 12 gusht 2023 

Kard. Parolin: Ambasadori i Papës, shenjë pajtimi ndërmjet popujve

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kryesoi sot, 12 gusht, në Ondjiva, Angola, Meshën për shugurimin ipeshkvnor të Imzot Germano Penemote, nunc i ri apostolik në Pakistan.

R. SH. - Vatikan

"Për të qenë paqebërës i besueshëm, për të sjellë pajtimin që ofron Zoti, për të qenë ambasador i së mirës, ​​duhet para së gjithash të duash Dashurinë dhe të duash të afërmin, ashtu siç e deshi Krishti, deri në kryqëzim". Ky është mandati që kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit, i besoi - gjatë shugurimit të tij ipeshkvnor - Imzot Germano Penemotes, i emëruar nga Papa Françesku, më 16 qershorin e kaluar, nunc apostolik në Pakistan. Riti u kremtua në Explanada de Nossa Senhora das Graças, në Ondjiva (Kunene) në Angola, të shtunën në mëngjes, më 12 gusht.

Nunci i parë i Angolës

“Është biri i parë i këtij vendi, që thirret për të kryer misionin e nuncit apostolik” - kujtoi sekretari i Shtetit, duke shpjeguar se deshi ta shuguronte personalisht, në Angola, Imzot Penemoten, kryeipeshkëv titullar i Treias, pikërisht për të nënvizuar “rëndësinë e këtij çasti dhe për të ndarë bashkërisht gëzimin”.

Kur dikush thirret, si ipeshkëv i Kishës, "që të bashkëpunojë në një mënyrë krejtësisht të veçantë me Zotin për shpëtimin e të gjithëve" - vazhdoi Kardinali Parolin gjatë predikimit - himni i gëzimit bëhet "edhe më i fortë e mirënjohja, më e madhe, ashtu siç duhet të jetë më e madhe ndjenja e përgjegjësisë dhe e përkushtimit të atyre që janë thirrur për këtë nder dhe këtë shërbim”.

Shenjë paqeje dhe uniteti

Pikërisht kjo ndodh me nuncin e parë të Angolës - vazhdoi kardinali - duke vënë në dukje se tani imzot Penemote “quhet ambasador i Atit të Shenjtë, ambasador i Selisë së Shenjtë, ambasador i Krishtit”. E ky është "nder dhe mision i shkëlqyer".

Pastaj, duke iu drejtua ipeshkvit të ri, i kujtoi se dërgohet për të qenë "shenjë pajtimi dhe paqeje ndërmjet popujve e shteteve dhe shenjë uniteti dhe solidariteti ndërmjet Kishave". Ky është misioni - shtoi - që i takon çdo përfaqësuesi papnor.

Nuncët, ambasadorë të Lajmit të mirë

Mbi të gjitha, nuncët janë "shenjë e pajtimit të thellë dhe përfundimtar ndërmjet Zotit dhe njeriut,  Krijuesit dhe krijimit, aspiratës për të vërtetën, drejtësisë dhe lumturisë gdhendur në thellësitë e çdo njeriu dhe historisë së trazuar të njerëzimit, me pushtimet dhe tragjeditë e tij, që shëlbimin e gjen vetëm në zbulimin e Krishtit Zot” - tha Kardinali Parolin.

Guxim, mos kini frikë!

Sot Krishti i përsërit secilit prej nesh: "Guxim, jam unë, mos kini frikë!". Guxim, pra sepse jam këtu, sepse nuk je më vetëm në ujërat e trazuara të jetës - vijoi predikatari - Pra, çfarë të bëjmë kur ndodhemi në det, në mëshirën e erërave të kundërta? Çfarë të bëjmë, kur shohim vetëm errësirë ​​dhe ndihemi të humbur? Dy gjëra, që i bëjnë dishepujt në Ungjill: ta thërrasim dhe ta mirëpresin Jezusin. Pasi kemi pyetur veten: si të sillem? A vazhdoj vetëm, me forcën time, apo t’i kërkoj ndihmë Zotit? Si është besimi im? A besoj se Krishti është më i fortë se dallgët dhe erërat e kundërta? Por mbi të gjitha: a lundroj me Të? A e mirëpres, a i bëj vend në barkën e jetës, a ia besoj timonin?

Pas këtij enumeracini pyetjesh, kardinali Parolin i drejtoi Marisë lutjen:

“Mari, ylli i detit, na ndihmo të kërkojmë dritën e Jezusit në udhëtime të errta”.

Me sekretarin e Shtetit të Vatikanit bashkëkremtuan nunci apostolik në Angolë, kryeipeshkvi Giovanni Gaspari; ipeshkvi i Ondjivas, imzot Pio Hipunyati dhe ipeshkvij të tjerë të Konferencës ipeshkvnore të Angolës dhe të Sao Tomé.

Nesër, kardinali Parolin  do të kryesojë meshën në Luanda.

12 gusht 2023, 15:35