Kard. Czerny: Amazona, themelore për njerëzimin, të krijohen modele zhvillimi
R. SH. - Vatikan
Vijon vizita e kardinalit Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, në Manaus të Brazilit, ku mori pjesë në Asamblenë e Konferencës Kishtare të Amazonës (CEAMA), e cila filloi më 8 gusht - e përfundoi sot, e premte, 11gusht. Një prani, që vetë Kardinali e përkufizoi si "themelore për Dikasterin sot", kur “takohemi dhe shoqërojmë njëri-tjetrin në udhëtimin që po bën CEAMA".
Amazona, kardinali Czerny në Manaus viziton qytetet periferike
Në fjalën e tij, Kardinali Czerny reflektoi mbi temën "Të jetosh dhe të kujdesesh për procesin kishtar të Amazonës", duke u ndaluar tek vizita e fundit e një delegacioni nga Dikasteri për Zhvillimin Njerëzor në Rrjetet Kishtare, domethënë, në "jetët dhe zërat e trojeve”, gjë që ishte edhe “privilegj”: “Vizita na bëri shumë mirë, mbasi na mundësoi të jetojmë përvojën e takimit, të dëgjimit dhe të kërkimit të mundësive për të ecur së bashku përballë sfidave të kohës sonë. Ishte çast i ndarjes dhe i shkëmbimit”- theksoi –për të citur më pas fjalët e Marcivana Sateré, një udhëheqëse indigjene që jeton në Manaus: "Identiteti ynë vjen nga trojet tona", duke ftuar që "në fytyrën popullit indigjen, të shikohet fytyra e Zotit". Më pas shpjegoi rëndësinë e shoqërimit dhe të mbështetjes së proceseve kishtare në Amazonë, me thirrjen për t'u kujdesur për larminë e pafundme të vendit.
CEAMA, një propozim i Sinodit për Amazonën
Në fjalimin e kardinalit nuk mungoi citimi nga Querida Amazonia, nxitja post-sinodale e Papës Françesku, botuar pas Sinodit në Rajonin Pan-Amazon të tetorit 2019. Kardinali Czerny pohoi se CEAMA (Konferenca Kishtare e Amazonës) është fryt i atij Sinodi, gjatë të cilit "temat e trajtuara" ishin rezultat i një "shpalljeje të gjallë" dhe "pjesë e përvojës së mishërimit kishtar, i cili vazhdon të lëvizë në këtë vend teologjik, që është Amazona". Në këtë kuptim, "angazhimi për të kërkuar një përvojë konvergjence nga ndryshimi, është pasojë e faktit se Amazona dhe popujt e saj janë burim jete, pavarësisht nga kërcënimet dhe ëndrrat e shumta, të përshkruara nga Papa Françesku në Querida Amazonia.
Populli i Zotit, me sy gjithnjë të hapur
Duke u ndaluar tek asambleja e CEAMA-s, e cila mblidhet si Popull i Zotit me "sy të hapur" e edhe me horizonte të hapura të Shpirtit, kreu i Dikasterit kujtoi figurën e kardinalit Claudio Hummes, "kryetarit të parë dhe promotorit të palodhur të CEAMA-s”, i cili gjithmonë “ngulte këmbë në faktin se Kisha do të mund ta përmbushte misionin e saj në këtë territor vetëm kur popujt dhe ata që e banojnë, të jenë subjekt i historisë së tyre”.
Prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e Përgjithshëm Njerëzor kujtoi edhe Dokumentin e Aparecid-ës ku - nënvizoi - fjala që përsëritet më shumë, mbi 600 herë, është "jeta". Ai dokument - vijoi të kujtojë - është ftesë për të "kryer veprimtari baritore e për të sjellë një mesazh shprese për ata që vuajnë nga gabimet e shumta, dhimbjet dhe pengesat me të cilat u duhet të ndeshen". Baritori e Samaritanit të Mirë, "për t'u përkulur para atyre që janë të plagosur në botën tonë, duke i mbajtur mbi supe dhe duke siguruar çka është e nevojshme që ata të mund të ngrihen përsëri në këmbë dhe të rifitojnë dinjitetin e tyre si fëmijë të dashur".
Fara e shpresës
Në këtë këndvështrim, Kardinali Czerny pohoi se e sheh CEAMA-n si "farë shprese, që lind nga procesi i dëgjimit dhe i shoqërimit të popujve", shprehje e "verës së re, në shakuj të rinj", gjë që lind nga shoqërimi i territorit dhe shpreh unitetin, në larminë e Kishës sonë dhe thirrjes së saj për një praktikë sinodale gjithnjë e më të madhe". Kardinali e sheh CEAMA-n si diçka që "dëshiron të jetë lajm i mirë dhe mjet për të sjellë në jetë së bashku, frytet e Sinodit".
Prej këndej, thirrja e trefishtë për të "krijuar ndërgjegjësim në Amerikë, për rëndësinë e Amazonës dhe për të gjithë njerëzimin", që të mund të krijohet "një model baritor global zhvillimi, i cili favorizon të varfërit dhe i shërben të mirës së përbashkët", "duke mbështetur, me burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare, Kishën e Amazonës, që të mund të vazhdojë të shpallë Ungjillin dhe të zhvillojë veprimtarinë e saj baritore në formimin e laikëve dhe të priftërinjve”.