Kërko

Ushqimi e uria në botë Ushqimi e uria në botë  

Imzot Paglia: ekonomia të drejtohet nga logjika e solidaritetit, pa shpërdoruar ushqimin

Kryetari i Akademisë Papnore për Jetën foli në Santiago de Kili në një konferencë të FAO-s, duke theksuar se për të përballuar fenomenin e trishtuar të shpërdorimit të ushqimit, krerët e ekonomisë duhet të njohin përgjegjësinë e tyre sociale dhe ndërlidhjen që ekziston ndërmjet të gjithë njerëzve. Por duhet të kemi edhe të dhëna të sakta si dhe ndryshime në zakonet e sofrës.

R. SH. - Vatikan

Mbeturinat e ushqimit përcaktojnë fatin e miliona njerëzve e tema e ushqimit nuk mund të trajtohet vetëm me logjikën e pastër ekonomike dhe me atë të tregut. Këtë nënvizoi Imzot Vincenzo Paglia, kreu i Akademisë Papnore për Jetën, duke folur në konferencën me titull “Parandalimi dhe reduktimi i humbjeve dhe mbetjeve ushqimore në kuadrin e sigurisë ushqimore, sfidë ndërsektoriale”, organizuar në Santiago de Kili dje, më 24 gusht, në selinë e Përfaqësisë së FAO-s për Amerikën Latine dhe Karaibet. Prelati, i cili prej dy ditësh ndodhet në Amerikën Latine për një udhëtim që, përveç Kilit, përfshin edhe ndalesën në Argjentinë deri më 30 gusht, trajtoi temën duke kujtuar, para së gjithash, fjalët që tha Papa Françesku më 18 maj 2019 në fjalimin e tij drejtuar Federatës Evropiane të Bankave të Ushqimit: "Të flakësh ushqimin, do të thotë të flakësh tutje njerëzit". Duke shtuar, më pas, se kjo humbje e njerëzve "është e padurueshme e burim i jashtëzakonshëm turpi" e se të gjithë janë "përgjegjës përpara Zotit e përpara historisë".

Shpërdorimi i ushqimit dhe uria

Nëse mbetjet ushqimore në Amerikën Latine kanë një përqindje të ulët, pasi mbulojnë vetëm 6 të përqindjes botërore, megjithatë në kontinent ka 47 milionë njerëz të kequshqyer - kujtoi jo pa trishtim imzot Paglia, duke theksuar se shkalla e kequshqyerjes vitet e fundit është rritur, por edhe se me 69 kg ushqim të harxhuar çdo vit nga çdo banor - shifër e regjistruar nga OKB-ja – mund të kontribuojmë ndjeshëm në ushqimin e 30 milionë prej këtyre njerëzve. Ka situata tragjike në disa vende – theksoi prelati - i cili më pas kujtoi një vizitë në Haiti, dy vjet më parë, si edhe në lagjet e varfra të kryeqytetit Port au Prince, ku takoi "njerëz të fryrë nga ushqimi i padëshiruar ose të dobësuar nga kequshqyerja kronike". "Si është e mundur të vazhdosh të pretendosh se asgjë nuk ka ndodhur, e të rrish me duar kryq duke bërë sehir?” – reflektoi idhshëm, duke ftuar më pas “që  ky problem tejet i mprehtë e me përgjegjësi të rëndë të trajtohet seriozisht dhe me përgjegjësi”.

Logjika e solidaritetit

Ndodh që struktura ekonomike mbi të cilën bazohet prodhimi, shpërndarja dhe transformimi i ushqimit "tejkalohet, e sasia është më e madhe", megjithatë "ekonomia nuk mund të konsiderohet si qëllimi përfundimtar - vërejti imzot Paglia - por si mjet në shërbim të njerëzve, të jetës dhe të ndërtimit të një shoqërie të drejtë”. Papa Françesku e vuri në dukje këtë në Mesazhin e tij për Ditën e Ushqimit 2021, duke theksuar se "lufta kundër urisë kërkon kapërcimin e logjikës së ftohtë të tregut, të lakmisë për përfitim të thjeshtë ekonomik, të reduktimit të ushqimit dhe të forcimit të logjikës së solidaritetit”. Kjo e fundit - vuri në dukje Prelati - duhet të na kujtojë se "çdo përvojë njerëzore, përfshirë përvojën ekonomike, shartohet dhe bashkëpunon në ndërtimin e një familjeje vëllazërore njerëzore", siç pohon Papa në Fratelli Tutti. Prandaj, për aktorët ekonomikë do të thotë të njohin “përgjegjësinë sociale të punës së tyre, ndërlidhjen ndërmjet subjekteve të ndryshme, kujdestarinë e njerëzve dhe botës ku ata banojnë”.

Tri pista, për të mos humbur

Për kreun e Akademisë Papnore, “që askush të mos përjashtohet nga tryeza e jetës”, duhen ndjekur “tri rrugë konkrete”. Para së gjithash, të vihen në dukje të dhënat për mbetjet ushqimore e, për këtë arsye, të vlerësohet "pesha sociale të këtij fenomeni", në lidhje me të cilën "numri i orëve të humbura të punës ose kostoja e energjisë e aktiviteteve të tilla nuk janë indiferente". Prandaj do të ishte e nevojshme "të tregohet edhe çfarë humbjeje në aspektin social dhe njerëzor ka shpërdorimi i një produkti bujqësor". Së dyti, është e nevojshme të shikohet i gjithë zinxhiri ushqimor - vazhdoi Imzot Paglia - sepse "mbeturinat ushqimore mund të trajtohen vetëm përmes njohjes së përgjithshëm të realitetit", prandaj duhet pasur parasysh "shpërndarja në shkallë të gjerë  e organizuar nga supermarketet dhe tregjet informale gjatë rrugëve, teknologjitë më të rafinuara dhe përvoja e lashtë fshatarake”. Së fundi duhet “treguar vlera e ushqimit dhe e tryezës”. Është rrugë kulturore. "Na duhet përgjegjësia, madje edhe shpirtërore" - nënvizoi prelati - duke kujtuar disa studime "që tregojnë se një nga hapat kyçe për reduktimin e mbetjeve ushqimore, është edukimi që lejon ndryshimin e praktikave të dëmshme shtëpiake". "Nëse njeriu është i vetëdijshëm për dinjitetin dhe mirësinë e tij, të të dashurve dhe të mirave që ka në dispozicion - përfundoi imzot Paglia - atëherë shpërdoron më pak dhe e trajton ushqimin si veprim thellësisht njerëzor".

25 gusht 2023, 11:28