Apsa, me transparencë, në shërbim për misionin e Kishës
R.SH. – Vatikan
Në vitin 2022, Administrata për Trashëgiminë e Selisë Apostolike (APSA) kontribuoi me 32,27 milionë euro në mbulimin e nevojave financiare të Kuries Romake. Kjo është shifra, që spikat në bilancin e këtij organizmi vatikanas, i cili u publikua të enjten, 10 gusht. Rezultati ekonomik i APSA-s tregon se shpenzimet janë të barabarta me fitimin e arritur.
Faqet e paraqitura dhe shifrat, që përmbahen në to - shkruan presidenti i APSA-s, imzot Nunzio Galantino, në letrën që shoqëron bilancin - dëshmojnë për "një administratë që, si gjithë të tjerat, vazhdon të përballet me pasojat e pandemisë dhe me pasigurinë, që rrjedh nga konfliktet e vazhdueshme”. Megjithatë, janë faqe që tregojnë transparencën e punës së organizmit. Nëse jo për të tjetër, edhe për të sqaruar se Vatikani paguan të gjitha taksat për pronat e tij të paluajtshme në territorin italian. Për vitin 2022, shifra e destinuar për këtë arrin në 6,05 milionë euro për taksën IMU dhe 2,91 milionë euro për taksën IRES.
Përsa u përket të ardhurave, sqaron imzot Galantino, viti 2022 karakterizohet nga një përmirësim rezultati në administrimin e pasurive të paluajtshme, por nga një përkeqësim në sektorë të tjerë të veprimtarisë së APSA-s. Pasojat e kombinuara të rimëkëmbjes së pjesshme pas pandemisë së Covid-19 dhe të ndikimit të luftës në Ukrainë mbi ekonominë botërore, kanë sjellë realizimin e një rezultati pozitiv nga veprimtari të ndryshme, por kjo, para kontributit të destinuar për mbulimin e defiçitit të Kuries: 32,27 milionë euro, më pak se 38,1 milionët e vitit 2021, me një variacion negativ prej 5,84 milionësh.