Kërko

Ambasadorja e Mongolisë në Selinë e Shenjtë, ndërsa paraqet letrat kredenciale Ambasadorja e Mongolisë në Selinë e Shenjtë, ndërsa paraqet letrat kredenciale

Ambasadorja e Mongolisë: vizita e Papës ndihmon paqen në rajon

Teksa përgatitet të presë Papën Françesku në vendin e saj, ambasadorja e Mongolisë në Selinë e Shenjtë, znj. Gerelmaa Davaasuren, shpreh mirënjohjen për vizitën historike, e cila, nënvizon ajo, do të vërë Mongolinë në plan të parë në skenën globale dhe do të promovojë dialogun ndërfetar e respektin për fetë e ndryshme - “një kontribut i madh për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajonin tonë dhe në botë”

R.SH. – Vatikan

Ambasadorja mongole në Selinë e Shenjtë, znj. Gerelmaa Davaasuren, i dorëzoi letrat kredenciale Papës Françesku në dhjetor 2022, 30 vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mongolisë. Ai përvjetor u kremtua në Vatikan me vizitën e parë zyrtare të një delegacioni budistësh mongolë, që u prit nga Ati i Shenjtë.

Në një intervistë me Radio Vatikanin/Vatican News, ambasadorja Davaasuren flet për gëzimin e vendit të saj ndërsa pret ardhjen e Papës, i cili niset sot, në orën 18.30, për në kryeqytetin Ulan Bator, ku do të qëndrojë deri më 4 shtator. Duke nënvizuar se ai është Papa i parë i Romës, që shkel në tokën mongole, ajo vë në dukje marrëdhëniet e mira ndërfetare në vend dhe respektin për njerëzit e feve e të kulturave të tjera, theksuar edhe nga prania e Françeskut, i cili ka folur shpesh për këto tema. Ambasadorja shpreh edhe ndjenjat e saj, ndërsa Mongolia është gati për të pritur Papën…

Si ambasadore e Mongolisë, ndihem e nderuar që mongolët do të presin Papën Françesku. Kjo vizitë ka rëndësi të madhe, pasi përfaqëson një çast historik në marrëdhëniet tona me Selinë e Shenjtë dhe e vë në pah Mongolinë në skenën globale, duke tërhequr vëmendjen e botës drejt vendit dhe popullit tonë. Prania e Papës nënkupton impenjimin për të promovuar paqen, dialogun dhe mirëkuptimin ndërmjet kulturave dhe feve të ndryshme. Ne do t’i urojmë mirëseardhjen Shenjtërisë së Tij me mikpritje dhe respekt të madh.

Siç e thatë, prania e Atit të Shenjtë e vë vendin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. A ka ndonjë aspekt të veçantë të Mongolisë, që dëshironi të vihet më tepër në dukje?

Ndoshta e dini se Mongolia është një komb ku budizmi ka rrënjë të thella dhe ka nxitur një kulturë bashkëjetese paqësore ndërmjet feve dhe bashkësive të ndryshme, përfshirë atë katolike. Mongolia bashkëkohore e vazhdon traditën e krijuar gjatë Perandorisë Mongole më se 800 vjet më parë, kur fetë e ndryshme bashkëjetonin paqësisht. Vizita e Papës është mundësi unike për të nxjerrë në pah aspekte të ndryshme të panoramës shoqëroro-politike të Mongolisë. Dëshirojmë që vëmendja ndërkombëtare të përqendrohet në larminë tonë të pasur kulturore dhe në lirinë fetare që gëzon populli ynë, e cila garantohet me Kushtetutë. Impenjimi i Mongolisë në favor të tolerancës fetare dhe të praktikimit paqësor të feve të ndryshme është aspekt thelbësor i identitetit tonë kombëtar dhe dëshmi e vlerave tona përparimtare.

Shumë katolikë nga vendet e afërta pritet të vizitojnë Mongolinë për të ndjekur këtë ngjarje historike, duke nxitur më tej shkëmbimin kulturor dhe dialogun ndërfetar. Vizita historike e Papës Françesku përkon me faktin se qeveria mongole i ka deklaruar vitet 2023-2025 si më të përshtatshmet për të vizituar Mongolinë. Kjo nismë synon të vërë në dukje historinë e pasur, kulturën dhe bukuritë natyrore të Mongolisë, duke i ftuar turistët dhe udhëtarët të zbulojnë mrekullitë e kombit tonë. Vizita e Papës Françesku ia shton rëndësinë kësaj fushate, pasi vizitorët mund të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, ndërsa përjetojnë mikpritjen dhe traditat e Mongolisë. Gjithashtu, shpresoj se do të vihen në dukje përpjekjet tona për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për ruajtjen e ambientit, duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet një vend pa dalje në det në Azinë Verilindore. Vizita mund të tërheqë vëmendjen për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë sonë unike kulturore dhe rëndësinë globale të qëndrimeve të përgjegjshme ndaj ambientit.

Mongolia ka një traditë të gjatë budizmi e përqindja e katolikëve është vërtet shumë e vogël. Megjithatë, Papa Françesku dëshiron t’i qëndrojë pranë kësaj Kishe të vogël. Cili është mendimi juaj për këtë?

Po, i jemi shumë mirënjohës Papës Françesku, i cili dëshiron t’i tregojë afërsinë e tij bashkësisë katolike në Mongoli. Me vizitën e tij, Ati i Shenjtë dëshmon besimin e tij të thellë në vlerën e dialogut dhe të mirëkuptimit ndërfetar. Mendoj se prania e tij do ta frymëzojë si bashkësinë katolike, ashtu edhe gjithë shoqërinë mongole që të respektojë larminë dhe fetë e ndryshme, duke punuar së bashku për një të ardhme më gjithëpërfshirëse dhe më harmonike.

Zonja ambasadore, ju paraqitët letrat kredenciale në vitin 2022, 30 vite pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe qeverisë mongole. Si do t’i përshkruanit këto marrëdhënie sot?

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Mongolisë dhe Selisë së Shenjtë, në vitin 1992, është çast historik i rëndësishëm në lidhjet tona dypalëshe. Dua të theksoj se Mongolia ka pasur lidhje historike me Selinë e Shenjtë shumë kohë para marrëdhënieve zyrtare. Gjatë Perandorisë Mongole, ka pasur kontakte ndërmjet khanëve mongolë dhe papëve. Kur u vendosën marrëdhëniet zyrtare diplomatike, lidhjet tona me Selinë e Shenjtë u forcuan dhe u gjallëruan, përmes bashkëpunimeve për çështje të ndryshme, përfshirë arsimin, shëndetësinë dhe kulturën. Kontributi i Kishës Katolike ka ndikuar pozitivisht në jetën e shumë mongolëve, veçanërisht në atë të grupeve më në vështirësi.

Gjithashtu, dua të vë në dukje se vizita e presidentit të Mongolisë në Vatikan më 2000 dhe 2011, si edhe ngjarjet e fundit, si vizita e Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, imzot Gallagher, në Mongoli këtë vit, janë dëshmi e rëndësisë dhe e dinamizmit të marrëdhënieve tona. Këto shkëmbime të nivelit të lartë i kanë zgjeruar më tej lidhjet në përkushtimin e përbashkët për dialog dhe bashkëpunim. Nga ana tjetër, dua të theksoj se emërimi i kryeipeshkvit Georgio Marengo si kardinali i parë me qendër në Mongoli është dëshmi e rëndësisë së marrëdhënieve ndërmjet nesh.

Përmendët kontributin e Kishës Katolike në projektet e ndryshme shoqërore, për zhvillimin e vendit. A mund të na thoni diçka më shumë për punën e saj me të varfërit e Mongolisë?

Projektet e Kishës Katolike në Mongoli janë themelore për zhvillimin e vendit, veçanërisht për bashkësitë më nevojtare, të pafavorizuara ekonomikisht. Këto projekte zhvillimi kanë ndikim pozitiv në sektorë të ndryshëm si kujdesi shëndetësor, infrastruktura e bashkësisë dhe sigurimi i jetesës. Ato, jo vetëm që kontribuojnë në lehtësimin e varfërisë, por promovojnë edhe përfshirjen shoqërore dhe mundësitë e barabarta për të gjithë mongolët. Puna e Kishës në favor të edukimit dhe të zhvillimit përputhet me përparësitë e qeverisë, prandaj, e vlerësojmë thellësisht kontributin e saj në zhvillimin tonë shoqëroro-ekonomik.

Tani që kreu i Kishës Katolike do të vizitojë Mongolinë, presim që të lërë pas një trashëgimi të qëndrueshme paqeje, bashkëpunimi dhe vullneti të mirë. Shpresojmë që Papa të frymëzojë përpjekje të reja për zhvillimin, përparimin shoqëror dhe mbrojtjen e ambientit. Jemi shumë optimistë se fryti i kësaj vizite historike do të jetë një e ardhme më e bashkuar dhe më e begatë për kombin tonë, si edhe do të forcojë pozitën tonë si vend-anëtar i përgjegjshëm i bashkësisë ndërkombëtare.

31 gusht 2023, 14:15