Kërko

Shtegu i Papës Françesku çon drejt paqes

Për Françeskun, është urgjente të rishikohet stili dhe forca e ars politica - artit të polikës. Aspektet humanitare janë në qendër të kësaj përpjekjeje, që mund të jenë hapi i parë drejt përfundimit të luftës e të luftërave!

R.SH. / Vatican News

Në enciklikën Fratelli Tutti, Papa Françesku tregon se paratë e investuara në armë dhe shpenzime ushtarake duhet të përdoren për të ndërtuar një fond global të caktuar për vendet më të varfra, në mënyrë që banorët e tyre të mos jenë pre e zgjidhjeve të dhunshme ose mashtruese dhe të detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre, në kërkim të një jete dinjitoze.

Për Françeskun, është urgjente të rishikohet stili dhe forca e ars politica - artit të politikës. Dialogu dhe vëllazërimi janë vatra themelore për tejkalimin e krizave të çastit. Papa i kujton bashkësisë ndërkombëtare se duhet të kërkojë zgjidhje për ndeshjet e pafundme, të cilat ndonjëherë marrin formën e luftërave të vërteta.

Që nga fillimi i konfliktit ruso-ukrainas, në shkurt 2022, Ati i Shenjtë  bëri vazhdimisht thirrje për paqe, për të rithemeluar arkitekturën e paqes në nivel global, atë arkitekturë, në të cilën shtëpia evropiane, e lindur për ta garantuar pas luftërave botërore, ka një rol parësor. Në një deklaratë zyrtare të Selisë së Shenjtë të datës 30 gusht 2022, dënohet qartë  "lufta në shkallë të gjerë në Ukrainë e nisur nga Federata Ruse".

Për Françeskun, lufta e rrënon kopshtin e tokës. Sakrilegje është lufta, e cila po zhvillohet në zemër të Kontinentit të Vjetër! I lë të pandjeshëm ata subjekte, që e deshifrojnë si mosmarrëveshje brendaevropiane, ndërsa mendojnë se për Jugun global duket si e njëjta ndeshje ndërmjet evropianëve të bardhë kristianë.

Shumica dërrmuese e vendeve anëtare të OKB-së, 141 nga 193, votuan më 2 mars të vitit të kaluar në favor të rezolutës që dënon sulmin e pushtimin rus të Ukrainës. Të tjerët, kundër. Abstenime, 35. Ndërmjet tyre, partnerët historikë të Federatës Ruse në Saharë-Sahel, Indi dhe Kinë, të cilët, nga pikëpamja demografike, i bëjnë që ato pak vende abstenuese të përfaqësojnë shumicën e popullsisë botërore.

Por Kisha, e drejtuar nga Papa Françesku, nuk dorëzohet përballë luftës së tmerrshme. Prandaj edhe kjo fazë e tretë e itinerarit të paqes, që po bën, në emër të Papës Françesku kardinali Zuppi në Uashington (pas atyre në Kiev dhe Moskë, përkatësisht në fillim dhe në fund të qershorit), shikohet si themelore për qëllimet e fillimit të një dialogu, që mund t’i përfshijë palët e ndryshme në konflikt, parë si përpjekje dhe shpresë për paqen. Aspektet humanitare janë në qendër të kësaj përpjekjeje dhe mund të jenë hapi i parë. Një lloj akullthyesi, për të vazhduar më pas në zhvillimet e mëtejshme drejt paqes, të cilat janë më të nevojshme, duke pasur parasysh edhe situatën e vështirë krijuar në front, për shembull, eksportin e drithit, si dhe operacionet e luftës në vetvete e për vetveten!

21 korrik 2023, 10:09