Kërko

2023.07.06 Logo Viaggio Mongolia Reise-Logo der Mongolei-Reise 2023.07.06 Logo Viaggio Mongolia Reise-Logo der Mongolei-Reise

Shtegtimi i Papës në Mongoli, kulm i takimeve të budistëve dhe katolikëve

Shtegtimi i ardhshëm i Atit të Shenjtë në Mongoli (31 gusht - 4 shtator) është kulmi i takimeve të vazhdueshme të budistëve me të krishterët. Papa do të shkelë në vendin, me popullsi prej vetëm 3.3 milionë banorësh, sipas regjistrimit kombëtar të vitit 2020.

R.SH. / Vatican News

nga Victor Gaetan*

Mongolia vendosi marrëdhënie diplomatike me Vatikanin në vitin 1992. Është vendi më i madh në botë, pa dalje në det, me një popullsi prej vetëm 3.3 milionë banorësh. Sipas regjistrimit kombëtar të vitit 2020, 52% e banorëve janë budistë, 41% e konsiderojnë veten "jofetarë", 3.2% janë myslimanë dhe 1.3%, të krishterë. Shtegtimi i ardhshëm i Atit të Shenjtë (31 gusht - 4 shtator) është kulmi i takimeve me dekada mes budistëve dhe të krishterëve.

 Shtegtimi i afërt i Papës Françesku në Mongoli po përshëndetet si shtegtimi i parë papnor, pasi asnjë Papë nuk ka udhëtuar ndonjëherë në atë vend. Pa harruar se dekadat e punës misionare dhe diplomatike kanë hedhur themelet e këtij shtegtimi,  që do të vijojë nga 31 gushti - deri më 4 shtator.

Qëllimi i kësaj vizite papnore

 Lind natyrshëm pyetja: “Pse Papa Françesku i dha përparësi Mongolisë? Ne e dimë se ai kujdeset për dialogun ndërfetar, të cilin e shikon si  kundërhelm ndaj konfliktit dhe demonizimit të kundërshtarëve, të praktikuar nga shumë politikanë.

Ndaj po ndjek tri linja të angazhimit afatgjatë të Kishës për të gjetur gjuhën e përbashkët me bashkësitë budiste. Duke vërtetuar, më pas, pse i përshpejtoi në mënyrë aktive këto prirje, shikojmë se si misionarët dhe diplomatët janë në harmoni, veçanërisht nën udhëheqjen e tij. Ësht prijës i fuqishëm, gjë që do të theksohet edhe në Mongoli.

Përmes Dikasterit për Dialogun Ndërfetar (DID), Federatës së Konferencave të ipeshkvijve aziatikë (FABC) të Dialogut Ndërfetar Monastique (DIM-MID) dhe figurave individuale që dhanë jetën e tyre për mirëkuptim më të madh të ndërsjellë, u bë një progres i vërtetë për krijimin e "Kulturës së mëshirës” , titull  i një libri të shkëlqyer kushtuar takimit të budistëve e katolikëve (Urbaniana University Press, 2020) me një hyrje të çmuar nga studiuesi i Universitetit Georgetown, John Borelli.

Mesazhi Vesak

Imzot Indunil Janakaratne Kodithuwakku, nga Sri Lanka, është sekretar i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar (DID), i emëruar në vitin 2019, pasi ka qenë nënsekretar që nga viti 2012. E quan veten "i lindur në dialog ndërfetar", sepse nëna e tij u rrit në një familje budiste. Ndërsa fqinjët dhe shokët e tij të klasës ishin budistë, myslimanë dhe të krishterë:

“U rrita në një kulturë pluraliste dhe ky pluralizëm i formoi qëndrimet e mia, perceptimet e mia, botëkuptimin tim”, shpjegon ai. Ndërsa jepte mësime për misionologji në Universitetin Papnor Urbanian, i çoi studentët e tij në një tempull budist në Romë, për të takuar murgjit budistë.

Kodithuwakku pohon se dialogu ndërfetar është një "proces evolucionar". Sipas tij, ishte Koncili II i Vatikanit, në veçanti, Deklarata Nostra Aetate,  shtysa kryesore për nxitjen e këtij procesi. Në vitin 1986 budistët morën pjesë në lutjen e Asizit, të udhëhequr nga Papa Gjon Pali II.

Vijnë, pastaj, dy nisma të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar nga viti 1995 - mesazhi i parë Vesakh dhe kolokiumi teologjik – që ofrojnë shembullin e takimeve të rregullta dhe të respektueshme për krijimin e   marrëdhënieve më të mira.

Urimet vatikanase për Vesakun

Hëna e plotë prill-maj është festë e shenjtë për budistët në mbarë botën. Festojnë këtë ditë lindjen, ndriçimin dhe vdekjen e Gautama Budës. Nën udhëheqjen e kardinalit Francis Arinze, Këshilli Papnor (tani Dikasteri) për Dialogun Ndërfetar nisi t’ua urojë Vesakun duke u dërguar urime "miqve budistë", përmes nuncëve apostolikë. Përshëndetjet, që vijojnë, përkthehen dhe shpërndahen në gjuhët lokale.

Së fundmi, më 21 prill, Prefekti i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, Kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot dhe Imzot Kodithuwakku dërguan një përshëndetje për Vesakun me titull "Budistët dhe të krishterët: Shërimi i plagëve të njerëzimit përmes Karuna dhe Agape".

Dialogu teologjik

E njëjta temë do të trajtohet në kolokiumin e shtatë budist-kristian, sponsorizuar nga Dikasteri, që do të mbahet në nëntor në Bangkok të Tajlandës, pranë Universitetit Maha Chulalongkorn Raja Vidhyalaya. Ngjarja koordinohet nga Universiteti Budist Maha Makut, i lidhur me traditën Mahayana, kështu do të përfaqësohen të dy shkollat​​​​më të rëndësishme budiste të mendimit.

Kolokiumi i parë budist-kristian i sponsorizuar nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar u organizua në vitin 1995 nga Urdhri Budist Fo Guang Shan në manastirin e tij në Kaohsiung, Tajvan. Tre vjet më vonë, kolokiumi i dytë u mbajt në një manastir benediktin në Bangalore, Indi.

"Ne jetojmë në një epokë ku tribalizmi po rritet", vëren Imzot Kodithuwakku. "Në shoqërinë fisnore njeriu është i lidhur me grupin e vet. Mendon vetëm për grupin e vet. Të tjerë mund të ekzistojnë, por janë të dorës së dytë. Në vend të kësaj, Papa Françesku po promovon “një shoqëri vëllazërore", në të cilën “njëri përpiqet ta trajtojë tjetrin si vëlla dhe motër, e kjo është pikërisht e kundërta e shoqërisë fisnore. E si dialogu fetar, që në fillim, ka promovuar shoqërinë vëllazërore. Edhe nëse secili është i rrënjosur thellë në identitetin e tij, ne përpiqemi t’ia hapim zemrën njëri-tjetrit, me respekt dhe mirëkuptim. Kjo nuk do të thotë t’i fshehim apo t’i zhdukim dallimet tona. Dallimet mbeten. Fetë nuk janë të barabarta. Por në të njëjtën kohë, diversiteti respektohet dhe, bazuar në vlerat universale, përpiqemi ta bëjmë këtë botë një vend më të mirë, ku njeriu mund të rrojë i lum”.

Personalitete të jashtëzakonshme

Urdhri Benediktin zyrtarizoi shkëmbimet ndërmjet murgjërve të krishterë dhe budistë në vitet 1960 dhe 1970. Sekretariati i Dialogut Ndërfetar  përmban një logo që përfshin një kryq dhe një Zen enso, apo rreth. E DIM-MID është një komision i Konfederatës Benediktine në lidhje formale me të dy degët e Urdhrit Cistercien.

Gjatë 30 viteve të fundit murgjërit budistë patën të paktën 15 shkëmbime dhe qëndrime të gjata në bashkësitë murgare të krishtera dhe anasjelltas.

I nderuari Phra Dr. Anil Sakya është një studiues budist dhe ndihmës i kreut të manastirit mbretëror të Wat Bovoranives Vihara në Bangkok, Tajlandë.

Sakya lindi në Nepal në vitin 1960 dhe në moshën 14-vjeçare u dërgua nga babai i tij, prift budist, për të studiuar në Tajlandë. Ishte murgu i parë që  pati garant mbretin tajlandez për të studiuar antropologjinë sociale në Universitetin e Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar, ku ishte i vetmi murg budist në shkollë dhe ndoshta në qytet.

"Isha si i rënë nga qielli, nga ndonjë planet tjetër, kudo që shkoja," rrëfen Phra Sakya. Që atëherë, ai ka lëvizur nëpër vende dhe tradita nga më të ndryshmet. Me qetësi lirike përshkruan se si punoi me Patriarkun Suprem të Tajlandës, u takua me Papën Françesku kur Papa ishte në Tajlandë dhe mori pjesë në një konferencë mbi zhvillimin e qëndrueshëm në Selinë e Shenjtë:

"Ndërmjet priftërinjve katolikë që kam takuar ka interes për të mësuar rreth dharma - shpjegon murgu - Kjo çiltërsi është reciproke me budistët. Ne kemi pasur shumë takime të mrekullueshme".

Papa Françesku dhe vëllazëria

Ishte një murg budist, i pari që uroi ipeshkvin Marengo, kur Papa e zgjodhi  anëtar të Kolegjit të Kardinajve në vitin 2022 - kujton kardinali:

"Isha në Itali dhe shkova në Meshën e së dielës me dy meshtarë katolikë mongolë që po udhëtonin me mua, së bashku me një murg budist" tha Marengo.

Më pas shkuam për të vizituar një bashkësi murgeshash misionare kushtuar Zojës Ngushëlluese, jashtë Romës. Patëm një takim të këndshëm. Ndërkohë, ndoqëm shpalljen e kardinajve të rinj, gjatë lutjes së Engjëllit.   Dhe abati budist ishte i pari që më përgëzoi. Surprizë e madhe për mua, por ne e dimë se sa i rëndësishëm është dialogu ndërfetar".

Kulm i viteve të vëllazërimit

Në të vërtetë, vizita e Papës në Mongoli është kulmi i afro 60 vjetëve të vëllazërisë në rritje me vëllezërit dhe motrat tona budiste.

Siç shkruan Prefekti i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, Kardinali Miguel Ayuso Guixot "Të shoqëruar nga dialogu i vëllazërisë dhe i respektit të Papës Françesku, budistët dhe të krishterët nga e gjithë bota kanë qenë në gjendje të gjejnë mënyra krijuese për të ndarë së bashku gëzimet dhe misteret e jetës dhe për të bashkëpunuar për të mirën e të gjithëve dhe të shtëpisë sonë të përbashkët". (Agenzia Fides 24/7/2023).

26 korrik 2023, 10:39