Rruga sinodale: vazhdon dialogu ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Episkopatit të Gjermanisë
R.SH. / Vatican News
Përfaqësuesit e Kuries Romake dhe të Konferencës së Ipeshkvijve të Gjermanisë (CET) u takuan më 26 korrik në Vatikan. Lajmi u njoftua nga zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë. Është fjala për vazhdimin e dialogut të nisur gjatë vizitës ‘ad limina apostolorum’ të ipeshkvijve gjermanë në nëntor të vitit 2022. Në atë takim, në fakt, u ra dakord që çështjet teologjike dhe disiplinore që u shfaqën veçanërisht në "Rrugën sinodale" do të shtoheshin e shtroheshin diskutimeve të më tejshme.
Takimi – thuhet në një deklaratë të përbashkët nga Selia e Shenjtë dhe Konferenca e Ipeshkvijve të Gjermanisë - u zhvillua në një atmosferë pozitive dhe konstruktive. Do të ketë edhe takime të tjera në të ardhmen.
Nga Kuria Romake, në takim ishin të pranishëm kardinajt Luis Ladaria Ferrer, Kurt Koch dhe Pietro Parolin dhe kryeipeshkvijtë Filippo Iannone, Robert Prevost dhe Vittorio Viola. Nga ana e Episkopatit gjerman, ipeshkvijtë Georg Bätzing, Stephan Ackermann, Michael Gerber, Bertram Meier, Franz-Josef Overbeck, përkatësisht kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve të Gjermanisë dhe kryetarët e Komisioneve Episkopale për Liturgjinë, për Thirrjet e shenjta dhe Shërbimet kishtare, për Kishën Universale, për Fenë, si dhe sekretari i përgjithshëm, dr. Beate Gilles dhe zëdhënësi i Konferencës, Matthias Kopp.