Françesku u takua me kryeministren e Ugandës, mirënjohje për mikpritjen e emigrantëve
R. SH. / Vatikan
Papa Françesku priti në audiencë, sot në mëngjes, në Vatikan, zonjën Robinah Nabbaja, kryeministre e Ugandës. Biseda private zgjati rreth 20 minuta. Papa i dhuroi mysafires një vepër prej bronzi: një pëllumb, me degë ulliri në sqep, simbol i paqes, me shënimin “Bëhuni lajmëtarë të paqes”, vëllimet e dokumenteve papnore, Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes të këtij viti, Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore dhe librin mbi Statio Orbis të 27 Marsit 2020, redaktuar nga Lev.
“Ndër temat e trajtuara gjatë bisedës - njofton Salla e Shtypit e Vatikanit - ishte ajo e mirëpritjes së migrantëve dhe refugjatëve, që vijnë jo vetëm nga rajoni i Afrikës, por deri nga vendet e Azisë Qendrore. Papa u prek nga kjo bujari e institucioneve të Ugandës”. Kryeministrja e Ugandës do të ketë edhe nesër takime, në Sekretarinë e Shtetit.