Marrëveshja Seli e Shenjtë-Vietnam për Statutin e Përfaqësuesit Papnor rezident në vend
R.SH. / Vatican News
Selia e Shenjtë dhe Qeveria e Republikës Socialiste të Vietnamit arritën një marrëveshje për Statutin e Përfaqësuesit Papnor rezident dhe të Zyrës papnore rezidente të Selisë së Shenjtë, në Vietnam. Marrëveshja u nënshkrua me rastin e vizitës së sotme të Presidentit Vo Van Thuong në Vatikan, sipas një deklarate të përbashkët, mbi bazën e sesionit të dhjetë të grupit të përbashkët të punës Vietnam-Seli e Shenjtë, mbajtur më 31 marsin e kaluar, në Vatikan, me dëshirën për të vazhduar fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë bisedimeve të presidentit vietnamez me Papën Françesku e, më pas, me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, të dyja palët shprehën vlerësimin e madh për përparimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për kontributet pozitive të ofruara deri tani nga bashkësia katolike në vend. Të dyja palët shprehën edhe besimin se përfaqësuesi papnor rezident do të përmbushë rolin dhe mandatin e miratuar në Marrëveshje - thuhet në komunikatë - do të mbështesë bashkësinë katolike vietnameze në angazhimet e saj, në përkim me ligjin dhe me frymëzimin nga Magjisteri i Kishës për të realizuar thirrjen “për shoqërimin e kombit” dhe për të qenë “katolikë të mirë, e qytetarë të mirë”, duke kontribuar në zhvillimin e vendit. Përfaqësuesi papnor do të jetë urë lidhëse për përparimin e e marrëdhënieve ndërmjet Vietnamit dhe Selisë së Shenjtë - përfundon deklarata.
Marrëdhëniet ndërmjet palëve qenë ndërprerë në vitin 1975, për të pasur zhvillime inkurajuese që nga viti 1990. Në vitin 2011, Benedikti XVI emëroi një përfaqësues papnor jorezident.
Ndërsa Papa, dje, u takua me Presidentin Vo Van Thuong në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, në një audiencë, që zgjati 30 minuta. Në fund, Papa Françesku i dhuroi personalisht secilit prej anëtarëve të delegacionit nga një medalje papnore, ndërsa kreut të shtetit, Mesazhin e këtij viti për Paqen, Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore, librin mbi Statio Orbis të 27 marsit 2020, redaktuar nga Lev, albumin e fotografive mbi Banesën Papnore dhe një basoreliev prej bronzi. Vepra, që përfaqëson mëshirën, mikpritjen dhe vëllazërinë, ka në qendër një grua me një fëmijë në krahë, në hyrje të kolonatit të Sheshit të Shën Pjetrit. Pas saj, një varkë ende në det të hapur, emigrantë në këmbë dhe duar që shtrëngohen. Në bazë, mbishkrimi "T’i mbushim duart me duar të tjera" të kujton thirrjen e vazhdueshme të Papës Françesku për mirëseardhje, mikpritje dhe mëshirë. Presidenti Vo Van Thuong i dhuroi Papës një vazo qeramike të realizuar në Vietnam, ku ishte pikturuar Bazilika e Shën Pjetrit.