Kërko

Imzot Víctor Manuel Fernández Imzot Víctor Manuel Fernández  

Kryeipeshkvi Fernández: na shpëton një Vetje, jo një doktrinë

Në bisedë me kryeipeshkvin e La Plata-s, të cilin Papa Françesku e emëroi prefekt të Dikasterit për Doktrinën e Fesë: "Ruajtja sigurisht që nuk e përjashton vigjilencën, por besimi ruhet mbi të gjitha duke u rritur në kuptimin e tij".

R. SH. - Vatikan

Andrea Tornielli

Një teologji, që zhvillohet dhe thellohet “në dialog ndërmjet teologëve dhe në bashkëbisedim me shkencat e me shoqërinë”. Por gjithmonë në shërbim të ungjillizimit. Kryeipeshkvi i La Platës, Victor Manuel Fernández, mendon se kjo është detyra që ia besoi Françesku, siç  kuptohet nga letra që ipeshkvi i Romës deshi t'ia dërgonte njëkohësisht me emërimin e tij si prefekt i Dikasterit për Doktrinën e Fesë. Fernández qe bashkëpunëtor i ngushtë i Papës Bergoglio që kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajres. Në këtë bisedë me mediat e Vatikanit, prefekti i ri, i cili do ta nisë detyrën në shtator, shpjegon se çfarë do të thotë të shpallësh Ungjillin dhe ta ruash fenë sot.

Shkëlqesi, pse Papa e shoqëroi takimin tuaj me një letër? Ç’kuptim ka kjo?

Ka padyshim një kuptim të rëndësishëm. Papa më paralajmëroi se, së bashku me dekretin e emërimit, do të më dërgonte një letër për të 'sqaruar' kuptimin e misionit tim. Në Letër, të paktën gjashtë pika të forta të ftojnë për reflektim, por mua më duket se me këtë tekst ai parashikoi disi zbatimin e Kushtetutës Apostolike Praedicate Evangelium. E kjo, sepse kërkon një Teologji që fiton pjekurinë, që rritet, që thellohet në dialogun ndërmjet teologëve dhe në bisedë me shkencat e me shoqërinë. Dhe e gjithë kjo, në shërbim të ungjillizimit. E letra e Françeskut e bën më të qartë. Fakti që ai zgjodhi për prefekt një teolog, i cili ishte edhe famullitar, e vërteton edhe në një mënyrë tjetër.

Çfarë do të thotë sot ta “ruash” fenë?

Françesku tregon se shprehja "ta ruash" ka një kuptim të pasur. Sigurisht që nuk e përjashton vigjilencën, por kryesisht shpreh mendimin se doktrina e fesë mbrohet mbi të gjitha duke u rritur në kuptimin e saj. Edhe një situatë, në të cilën dikush ndeshet me herezi të mundshme, duhet të çojë në një zhvillim të ri teologjik, që kuptimi ynë për doktrinën të fitojë pjekuri; e kjo është mënyra më e mirë për ta ruajtur fenë. Nëse zhansenizmi, për shembull, mundi të vazhdonte kaq gjatë, kjo ndodhi sepse kishte vetëm dënime, por asnjë përgjigje ndaj qëllimeve të caktuara legjitime që mund të fshiheshin pas gabimeve dhe asnjë zhvillim teologjik të përshtatshëm me kohën.

Si shpallet Ungjilli, si transmetohet feja në kontekstet gjithnjë e më të laicizuara të shoqërive tona?

Duke u përpjekur gjithnjë të tregojë sa më mirë gjithë bukurinë dhe forcën e saj tërheqëse, pa e shpërfytyruar duke e infektuar me kriteret e kësaj bote, por gjithmonë duke gjetur një pikë kontakti, që i krijon mundësinë të jetë vërtet domethënëse, elokuente, e çmuar për ata që e dëgjojnë. Pa dialog me kulturën, rrezikojmë që mesazhi ynë, sado i bukur, të bëhet i pavlerë! Ndaj shpreh mirënjohjen për kohën e kaluar si anëtar i Këshillit Papnor për Kulturën, ku mësova shumë pranë kardinalit Ravasi.

Çfarë kuptimi dhe rëndësie kanë fjalët e Benedikti XVI në krye të prologut të enciklikës Deus caritas est: “Në fillim të qenies i krishterë nuk është një vendim etik apo një ide e madhe, por më tepër, takimi me një ngjarje, me një Vetje, që i hap jetës një horizont të ri e, bashkë me të, i jep edhe drejtimin vendimtar”?

Është e nevojshme t’i kujtojmë këto fjalë sot. Asnjë doktrinë fetare nuk e ka ndryshuar kurrë botën, nëse nuk ka ndodhur një ngjarje feje, një takim që e riorienton jetën. E kjo nuk vlen vetëm për krishterimin, por mund të  vërehet në të gjithë historinë e feve. Për shembull, në krizën e hinduizmit dhe ripërtëritjen e tij të mëvonshme me himne për Krishna-n, e edhe në shumë raste të tjera. Pa një përvojë të Krishtit të gjallë, që do dhe shpëton, ne nuk mund ta plazmojmë "krishterimin tonë" e përqëndrimi në debatin dhe diskutimin me të gjithë, nuk do të ndihmojë për ta sjellë këtë zhvillim te njerëzit. Kjo frazë e Benediktit XVI na fton të zhvillojmë një teologji solide dhe të bazuar, por qartësisht të orientuar në shërbim të kësaj ngjarjeje.

09 korrik 2023, 09:43