Kard. Zuppi: t’i kthejmë fëmijët ukrainas në shtëpitë e tyre
R. SH. - Vatikan
"Po, natyrisht që e pashë Papën". Kështu u shpreh kryetari i CEI-t, Kardinali Matteo Zuppi, para se të merrte fjalën për paraqitjen e librit të Andrea Riccardit, titulluar "Britma e paqes" (San Paolo), mbajtur mbrëmë në selinë e Shën Egjidit, në Romë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, që dëshironin të dinin nëse e kishte takuar Papën në fund të misioneve të tij në Kiev dhe në Moskë. Në radhë të parë - shpjegoi Kard. Zuppi - duhet të punojmë për më të ligshtit, siç janë fëmijët, dhe të shohim pastaj, nëse mund ta çojmë përpara përpjekjen për ta dhe të ndihmojmë në aspektin humanitar. U nisëm pikërisht nga më të vegjlit, sepse janë më të brishtit. Fëmijët duhet të kthehen në Ukrainë! Hapi tjetër do të jetë fillimisht kontrolli i fëmijëve e, më pas, të shohim se si do t'i kthejmë, duke filluar nga më të brishtët”.
Gjatë paraqitjes - e cila u drejtua nga profesor Marco Impagliazzo, historian dhe kryetar i Bashkësisë së Shën Egjidit - folën edhe gazetari Marco Damilano, profesori Giuseppe De Rita, kreu i Censis dhe profesori Donatella Di Cesare. Ndërsa Kardinali nënvizoi se "Libri i Riccardi-t është shumë i dobishëm sot, sepse na ndihmon të ndërgjegjësohemi për çastin që po jetojmë, na tregon aftësinë për të endur telajon mbi atë, që Giuseppe De Rita e quan "thellësia e historisë" dhe për të kuptuar se zgjidhjet për luftën duhen kërkuar në kompleksitetin e realitetit”. Lufta - shtoi - "është humbje për të gjithë". Për këtë arsye, është e nevojshme që "edhe Kisha sot të dijë të ndihmojë, ta fillojë nga e para punën për ndërtimin “tonë”, për të kaluar nga “unë”, në një “ne” më të madhe.
Andrea Riccardi nënvizoi se është koha “ për t’u kthyer e për të arsyetuar çka është paqja”. E edhe lufta! Lufta është e keqe - pati thënë një këmbësor i Luftës II Botërore, "e keqe dhe e shëmtuar, sepse të çon nën dhe". Edhe sot lufta të kall frikën “po, por ndoshta jo edhe aq shumë” shtoi. Prandaj sot “duhet zhdukur vizioni i luftës parë si lojë, sepse kjo të çon në familjaritet, në njohje të papranueshme me luftën, pothuajse në rehabilitimin e saj”. Prandaj - vazhdoi Riccardi - problemi është "të rizbulosh emocionin e tmerrit për luftën dhe shtysën drejt paqes". Por, pyesim, ku është lëvizja e paqes? "Nuk e di, nuk e shoh - është përgjigja – ndonëse ka shumë forca në lëvizje, prandaj jemi thirrur t'i riorganizojmë për të rindërtuar bashkësinë, domethënë vetveten". Prandaj, nga ana e politikës “duhen mendime më të gjata dhe vizione më të gjera, e doemos, edhe investim më i madh në diplomaci. Është e nevojshme të rifitohet historia dhe kujtesa e Luftës II Botërore dhe e Shoahut. E të kapërcehen fjalimet e derbit e kthesat e stadiumit. Çka duhet bërë, është të ushqehet kultura e paqes, e të përhapet ndërmjet njerëzve”.