Kard. Parolin: të garantohen të gjitha liritë për të krishterët në Lindjen e Mesme
R. SH. - Vatikan
Thirrje, që të bëhet gjithçka është e mundur për të gjetur Atin Paolo Dall'Oglio dhe të gjithë të tjerët, që u zhdukën - 120,000 vetë, sipas OKB-së - në këto vite të luftës në Siri. Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit i Vatikanit, e deklaroi këtë mbrëmë, në kishën e Shën Injacit të Loyolës, në Romë, gjatë një meshe kremtuar dhjetë vjet pas rrëmbimit të rregulltarit jezuit.
Një gjest mëshire, që nuk mund të mohohet
Kardinali kujtoi edhe kryeipeshkvijtë Boulos Yazigi, Mitropolit greko-ortodoks dhe Youhanna Ibrahim, mitropolit siro-ortodoks, për të cilët nuk ka asnjë lajm që nga 22 prilli 2013, por edhe dy presbitër të tjerë: armeno-katolikun Michael Kayal dhe greko-ortodoksin Issab Mahfoud, të cilët u zhdukën që më 9 shkurt 2013. Kardinali Parolin kujtoi thirrjet e shumta që u bënë në këto vite pritjeje, kërkimesh dhe psherëtimash, mbi të gjitha nga Papa Françesku, i cili ka kërkuar vazhdimisht të shpeshohen përpjekjet për të gjetur sa e sa të zhdukur dhe të rrëmbyer në Siri: "edhe sikur - kujtoi Sekretari i Shtetit - të bëhet ky gjest mëshirë, që nuk mund t'i mohohet askujt, domethënë të qahen, duke i varrosur me dinjitet trupat e tyre".
Takimi me Jezusin dhe nxitje drejt dialogut
Çka e shtyu Atë Paolo Dall'Oglio-n të shkonte në shkretëtirën siriane dhe të ndërtonte ura dialogu me myslimanët - theksoi kardinali - ishte "frymëzimi nga besimi në Krishtin dhe nga dashuria për vëllezërit. Feja - saktësoi - nuk vjen nga aderimi i paqartë intelektual me figurën historike të Jezusit, por nga takimi personal me Të", "gurrë e pashterrshme për të gjithë vëllezërit dhe motrat".
Kujtimi i Atë Dall'Oglio, dëshmitarit të paqes dhe të shpresës
“Për të qenë në dialog të sinqertë me njerëzit e besimeve të tjera, siç janë vëllezërit tanë myslimanë” - pohoi Parolin në predikimin e tij - “nuk duhet të fshehim kurrë identitetin tonë si të krishterë, por ta tregojmë në përmasën e tij më të vërtetë”, “të flasim me gjuhën e Mbretërisë së Qiellit që është ajo e respektit, e vlerësimit të vëllait”. “Vetëm kështu logjika e arrogancës, krenarisë, armëve, diskriminimit dhe luftës do të zëvendësohet nga logjika e qiellit, ose më mirë, nga ajo e bamirësisë, dhembshurisë” dhe “takimi me tjetrin mund të bëhet miqësi”. Nuk është e lehtë. Kardinali nuk e fshehu këtë, duke ua drejtuar mendimet, afërsinë dhe bashkimin sidomos të krishterëve në Lindjen e Mesme.
Mendim për të krishterët në Lindjen e Mesme
Në këtë drejtim, kardinali ftoi për ta kapërcyer konceptin e pakicës dhe më pas paralajmëroi: "Prania e krishterë në Lindjen e Mesme nuk duhet thjesht të ‘tolerohet’", "Të krishterët në Siri, ashtu edhe në Palestinë, në Liban, në Izrael, në Irak dhe në çdo komb tjetër, janë qytetarë të cilëve duhet t'u garantohen të gjitha liritë", "ata janë pjesë e popujve, që gjithmonë kanë kontribuar në zhvillimin e tyre kulturor, ekonomik dhe politik me përkushtim dhe kompetencë".
Të kërkojmë hirin e ngushëllimit
“Të mos pushojmë së kërkuari hirin e ngushëllimit” - theksoi sërish Parolin, duke u lutur për Atë Paolon, për të gjithë të zhdukurit, për familjet e tyre, për sirianët në atdhe dhe refugjatë në vende të tjera, për “Sirinë e munduar”, siç e quan shpesh Ati i Shenjtë Françesku, që “plagët e zemrave të thyera të fashohen, të burgosurit të lirohen, të munduarit të ngushëllohen, qytetet e shkreta të rindërtohen, vendet e shkretuara të lulëzojnë”.
Kremtimi eukaristik i organizuar nga Shoqëria e Jezusit, Kryeparkia Siro-Katolike e Homsit, Hamah dhe Nebek, Bashkësia e Manastirit al-Khalil i Deir Mar Musa dhe Familja e At Paolo Dall'Oglio u parapri nga paraqitja e librit "Paolo Dall'Oglio. Testamenti Im”, me një parathënie të Papës Françesku.
Një mesazh për t’u ngushëlluar
Para Meshës, i pyetur nga gazetarët, Sekretari i Shtetit i Vatikanit kujtoi përsëri përpjekjet e pandërprera të Selisë së Shenjtë për të gjetur Atë Dall' Oglion: "mesazhi i tij i paqes dhe i dialogut - tha ai - duhet mbajtur gjallë: kuvendi i tij ishte themeluar saktësisht për dialog me Islamin”. Një referencë për komunitetin monastik të Deir Mar Musa-s, themeluar në vitin 1982 në shkretëtirën siriane, në vendin ku jezuitët kishin zbuluar rrënojat e Manastirit të lashtë të Shën Moisiut të Abisinisë.
Së fundi, i pyetur për një fazë të mundshme në misionin e paqes për Ukrainën të të dërguarit të Papës, kardinalit Matteo Zuppi në Pekin, Parolin sqaroi: "Tani për tani, asgjë nuk dihet. Nuk mund të shprehemi. Të presim DBR-në, pastaj do të shohim”.