Kard. Parolin: “edhe gjestet humanitare mund të jenë rrugë drejt paqes”
R.SH. – Vatikan
Ai i kardinalit Zuppi në Kiev dhe në Moskë “ishte mision shumë i rëndësishëm. U përqendrua sidomos në anën humanitare: në shkëmbimin e të burgosurve dhe në riatdhesimin e fëmijëve e kjo kërkonte bashkëbisedim me Moskën”. Kështu deklaroi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për emisionin e lajmeve të televizionit italian RaiUno, Tg1. Sipas tij, "tani duhen gjetur mekanizmat, që lejojnë zbatimin e rezultateve të arritura, ndoshta, edhe me ndihmën e ndonjë organizate ndërkombëtare”. Për kardinalin Parolin, “nëse kjo funksionon, dhe sinqerisht shpresojmë që kjo të funksionojë, do të mund t’i riatdhesojmë fëmijët. Nuk e di tani sa dhe në çfarë përmasash. Për ne kjo është e rëndësishme, sepse edhe këto gjeste humanitare mund të jenë rrugë dhe shtigje, që çojnë drejt paqes”.
“Për një paqe të drejtë, të njihen të drejtat dhe detyrat e njëri-tjetrit”
“Misioni në Moskë ishte pjesë e nismës globale të propozuar nga Papa Françesku. Kardinali Zuppi u përqendrua sidomos në anën humanitare. Paqja në Ukrainë duhet të jetë e drejtë. Kjo do të thotë se duhet të njihen të drejtat dhe detyrat reciproke. Mbi të gjitha, duhet pasur parasysh dinjiteti i njerëzve”, nënvizoi kardinali Parolin në intervistën me vatikanistin Ignazio Ingrao, transmetuar dje (6 korrik) në dy pjesë, në edicionet e Tg1-s, në orë 13.30 dhe në orën 20.00.
"Nga Lufta e Ftohtë kaluam në Luftën III Botërore pjesë-pjesë"
Kur u pyet nëse bota rrezikon të ndahet sërish në blloqe kundërshtare, kardinali Parolin u përgjigj se kemi kaluar “nga Lufta e Ftohtë në Luftën e Tretë Botërore pjesë-pjesë, siç i pëlqen të përsërisë Papës Françesku. Unë besoj se absolutisht nuk mund të dorëzohemi para kësaj gjendjeje. Duhet të kthehemi në frymën, që e karakterizoi bashkësinë ndërkombëtare menjëherë pas Luftës II Botërore”.
E, kur u pyet nëse nevojitet një reformë e OKB-së, Sekretari i Shtetit të Vatikanit u përgjigj: “po, nevojitet një reformë e Kombeve të Bashkuara. Pra, një OKB, ku nuk mbizotërojnë interesat specifike, të veçanta, ku nuk mbizotërojnë ideologjitë. Një OKB, ku respektohet dinjiteti i çdo shteti, pa mbizotërimin e shteteve më të forta”.
“Rreziku i shkallëzimit bërthamor? Të kemi një plan serioz çarmatimi”
“Sot janë nëntë shtete, që kanë armë bërthamore – vërejti më pas, kardinali Parolin, duke komentuar rrezikun e shkallëzimit bërthamor. - Më duket se prirja nuk është pakësimi i arsenaleve bërthamore, por shtimi i tyre. Mbajtja dhe përdorimi i armëve bërthamore është i pamoralshëm, sepse nënkupton shkatërrimin e njeriut dhe të botës. Si të shmanget kjo? Mendoj se mënyra e vetme është të fillojmë një program serioz për çmontimin e këtyre arsenaleve. Nuk ka rrugë tjetër”.
“Në Lindjen e Mesme, rruga drejt paqes është njohja e dy shteteve”
Përsa i përket Lindjes së Mesme dhe tensioneve të reja, pas ndërhyrjes ushtarake izraelite në Jenin, kardinali Parolin bëri thirrje “të shmanget përdorimi i dhunës. Zgjidhja përfundimtare, horizonti në të cilin duhet të lëvizim është ai i njohjes së dy shteteve”.
"Përsa u përket emigrantëve, përçarjet i shtojnë vështirësitë"
“E dimë se problemi i emigrantëve sot është një nga çështjet më të mëdha globale – pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, duke iu përgjigjur pyetjes së fundit. Na duket se rruga e zgjidhjes është solidariteti dhe gjetja e një zgjidhjeje të përbashkët për të. Mendoj se ndarjet nuk janë të dobishme dhe aktualisht, shtohen vështirësitë për t’i bërë ballë këtij fenomeni në mënyrë humane dhe të rregullt”, përfundoi kardinali Parolin.