Kërko

Peshkatari Peshkatari

Kard. Czerny: Kisha "lundron së bashku" me punëtorët e detit

Dikasteri për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor publikoi sot Mesazhin me frymë sinodale për të Dielën e Detit 2023, që kremtohet më 9 korrik. Mbi një milion, njerëzit që përshkojnë dete e oqeane për të transportuar mallra nëpër botë. Prefekti: “Kisha është pranë jush. E ka për zemër çka ju gëzon e çka ju shtyp”

R.SH. - Vatikan

Rast për ta përqendruar vëmendjen e çdo bashkësie të krishterë tek ata, falë të cilëve marrim një pjesë të madhe të mallrave që hamë a që i përdorim çdo ditë. Kjo është e Diela e Detit, që Kisha e kremton më 9 korrik 2023 sipas mesazhit të Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor publikuar sot, nënshkruar nga Prefekti, Kardinali Michael Czerny.

Nuk është e diel për punëtorët

Janë më se një milion punëtorë në anijet që transportojnë mallra nëpër botë. E Diela e Detit "nuk kremtohet për ta", por për t’i bërë thirrje bashkësisë katolike botërore të lutet për këta njerëz, falë të cilëve - thekson dokumenti - "ushqehet jeta jonë e përditshme e mbështetet ekonomia". Asaj i drejtohet mesazhi!

Të lundrojmë së bashku!

"Jemi Kishë sinodale", "duhet të ecim përpara së bashku, të lundrojmë së bashku" "në një shkëmbim të vazhdueshëm që e bën punën tuaj më pak të largët nga rruga dhe feja e të gjithëve". “Kisha është pranë jush. Çka ju gëzon dhe ju mjeron, është pranë zemrës sonë” - shkruan Kardinali Czerny. - "Nuk kemi vetëm diçka për t’ju dhënë, por edhe diçka për t’ju marrë": "pikëpamjet për punën, për ekonominë, për marrëdhëniet ndërmjet feve dhe kulturave të ndryshme, për kushtet e detit dhe të tokës, fenë, e cila vetëm nga përvoja juaj mund të arrijë në të gjitha Kishat e, përmes tyre, në të gjitha shoqëritë tona”.

Mos harroni askënd

E diela është dita e Eukaristisë, dita e Pashkëve javore dhe - shënon mesazhi për të dielën buzë detit - "ka shumë që nuk kanë mundësi ta kremtojnë, sepse janë larg bashkësive të tyre". "Për të gjithë Kishën, të kremtosh Ngjalljen, do të thotë të mos harrosh askënd".

Në anije, si apostujt

Nga ana tjetër - lexojmë përsëri - Besëlidhja e Re rrëfen "mënyrat e shumta të jetës që lajmëtarët e Lajmit të Mirë i kalonin me punëtorët e detit", duke ndarë jetën e përditshme dhe duke i mbushur mendjet dhe zemrat me ngushëllimin fesë. "Apostujt mbi anijet flisnin për Jezusin dhe mblidhnin në çdo qytet e çdo port bashkësitë, të pranishme në një botë, që sot njihet gjithnjë e më pak". Prej këndej buron sfida për të hedhur dritë mbi thesaret shpirtërore dhe nevojat materiale të njerëzve të përvuajtur, shpesh edhe të lënë "në hije” nga “shoqëritë tona" dhe nga "një farë prirjeje që synon t’i fshehë pabarazitë".

03 korrik 2023, 12:57