Imzot Fernandez, Prefekt i ri i Dikasterit për Doktrinën e Fesë
R. SH. - Vatikan
Françesku emëroi Imzot Victor Manuel Fernández, aktualisht kryeipeshkëv i La Plata-s, Argjentinë, prefekt të ri të Dikasterit për Doktrinën e Fesë, kryetar të Komisionit Biblik Papnor dhe të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, detyrat që do të nisë t’i kryejë nga gjysma e shtatorit 2023. Kryeipeshkvi pason Kardinalin Luis Francisco Ladaria Ferrer, S.J. të cilin Papa e falenderoi për punën si Prefekt.
Imzot Fernández lindi më 18 korrik 1962 në Alcira Gigena, në provincën e Kordobës, Argjentinë. Më 15 gusht 1986 u shugurua meshtar për dioqezën e Villa de la Concepción del Río Cuarto, në Argjentinë. U diplomua në teologji me një specializim biblik në Universitetin Papnor Gregorian (Romë) dhe më pas mori doktoraturën në teologji, në Fakultetin e Teologjisë në Buenos Ajres.
Nga viti 1993 deri në vitin 2000 ishte famullitar i Santa Teresita në Río Cuarto (Córdoba). Ishte edhe themelues e drejtor i Institutit të Formimit Laikal dhe i Qendrës së Formimit të Mësuesve “Jesús Buen Pastor”, në të njëjtin qytet. Në dioqezën e tij ishte edhe formator i Seminarit, Drejtor për Ekumenizmin dhe Drejtor për Katekizmin.
Në vitin 2007 mori pjesë në Konferencën V të Ipeshkvijve të Amerikës Latine (Aparecida) si prift, që përfaqësonte Argjentinën dhe më pas, si anëtar i grupit hartues të dokumentit përfundimtar.
Nga viti 2008 deri në vitin 2009 ishte Dekan i Fakultetit Teologjik të Universitetit Katolik Papnor të Argjentinës dhe Kryetar i Shoqatës Teologjike Argjentinase.
Nga viti 2009 deri në vitin 2018, rektor i Universitetit Katolik Papnor të Argjentinës.
Më 13 maj 2013 u emërua Kryeipeshkëv nga Papa Françesku.
Mori pjesë, si anëtar, në Sinodet e Ipeshkvijve për familjen më 2014 dhe 2015, edhe në grupet e redaksisë.
Në Asamblenë e Konferencës Ipeshkvnore Argjentinase të vitit 2017, u zgjodh Kryetar i Komisionit Ipeshkvnor për Fenë dhe Kulturën (Komision Doktrinor).
Në qershor 2018, mori detyrën e Kryeipeshkvit të La Platës.
Ishte anëtar i Këshillit Papnor për Kulturën dhe Këshilltar i Kongregatës për Arsimin Katolik. Aktualisht është anëtar i Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin.
Ndërmjet librave dhe artikujve shkencorë, ka më shumë se 300 botime, shumë prej të cilave janë përkthyer në gjuhë të ndryshme. Këto shkrime flasin për një bazë të rëndësishme biblike dhe për përpjekje të vazhdueshme të dialogut të teologjisë me kulturën, misionin ungjillëzues, përshpirtërinë dhe problemet shoqërore.