Dhjetë vjet më parë vizita profetike e Papës në Lampeduza
R.SH. / Vatikan
Dhjetë vjet më parë, vizita e Papёs Françeskut në Lampedusa, një ishull italian që simbolizon gjendjen e vështirë të emigrantëve në Mesdhe. Në atë udhëtim të paharrueshëm të parë të Papnisë, Ati i Shenjtё Bergoglio nënvizoi çështjen vendimtare të vëllazërisë. Që sonte, deri të diel, në ishullin e Lampeduzës, një sërë ngjarjesh - në kujtim të kësaj ngjarjeje profetike që na fton tё zbulojmë fytyrën e Jezusit tek emigrantët.
Ka ngjarje të kësaj Papnie, zgjedhje të bëra nga Françesku, të cilat me kalimin e viteve marrin një forcë gjithnjë e më të madhe dhe një dimension që, në disa raste, nuk është ekzagjerim të përkufizohet si profetik. Më 8 korrik, dhjetë vjet më parë, disa muaj pas fillimit të shërbimit të tij pjetrin (papnor), Bergoglio bëri udhëtimin e tij të parë apostolik, duke shkuar në Lampeduza tё Italisё. Një udhëtim që ishte edhe mesazh sepse në ato pak orë të kaluara në ishullin e Lampeduzёs, simbol i dramës së emigrantëve në Mesdhe, Papa Françesku dëshmoi me gjeste dhe shenja se çfarë donte të thoshte me shprehjen “Kisha nё dalje”, Kisha nё terren. Dhe tregoi pse duhet të nisemi konkretisht dhe jo metaforikisht nga “periferitë ekzistenciale”, nga “periferitё e jetёs” nëse duam të ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më solidare, një njerëzim të pajtuar me vetveten.
"Kush prej nesh qau? Deti gurra e jetës". 10 vjet pas vizitës së Papës në Lampeduza - ishte 8 korriku i vitit 2013 - me këtë slogan nisin sonte veprimtaritë, për të kujtuar shtegtimin e parë apostolik të Françeskut. Në orën 21.00, në Kishën e Shën Gjerlandos, mjeshtri Ulrich von Wrochem do të japë një koncert me violë, titulluar "Muzikë e fjalë nga deti", ndërsa aktori Michele La Ginestra do të recitojë "Kush prej nesh nuk lotoi?”.
Nesër, në orën 9.30, nga oborri i Kishës San Gjerlandos e deri në Porta e Evropës, do të nisë udha përkujtimore. Në tremen e kishës, kryebashkiaku Filippo Mannino dhe kryeipeshkvi i Agrixhentos, Alessandro Damiano, do të përshëndesin të pranishmit. Përballë portit, don Bruno Bignami, drejtor i zyrës kombëtare të CEI për Apostullimin e Detit, do të reflektojë mbi temën, titulluar “Deti është jetë”. Ndërsa përballë Portës së Evropës, do të mbajë fjalimin e rastit Kryeipeshkvi i nderit i Agrigentos, Kardinali Francesco Montenegro.
Në orën 20.30, në tremen e Kishës mund të dëgjohen dëshmi për fenomenin e hidhur të emigracionit dhe për rëndësinë e vizitës së Papës. Të pranishëm, kryeipeshkvi i Ferrarës, kryetar i Fondacioni Migrantes, Gian Carlo Perego; Don Stefano Nastasi, ish famullitar i Lampeduzës; peshkatari Enzo Riso; Fardusa Osman Ahmed, refugjat nga Somalia dhe Moussa Modibo Camara, refugjat nga Mali.
Ngjarjet - organizuar nga Kryedioqeza italiane e Agrixhentos, nga Fondacioni i Migrantëve dhe Apostullimi i Detit - do do të përfundojnë të dielën, në orën 11, me Meshën Shenjte, drejtpërdrejt në Rai1, kryesuar nga Kardinali Montenegro.