Castel Gandolfo, observatori astronomik i Papës rihapet për publikun
R. SH. - Vatikan
Shtegtim ndërmjet yjesh, pa u larguar nga Toka: kjo propozohet, duke filluar nga 3 gushti i ardhshëm, në Observatorin e Vatikanit të Castel Gandolfos, ku ekspertët e astronomisë do t'i marrin vizitorët për dore e do t’u prijnë për të zbuluar shkëmbinj hënor, mostra meteoritësh, por edhe tekste të rralla dhe vepra arti me tematikë gjithnjë mes yjesh. Shetitje nga poshtë, atje lart…Pasurohet kështu, oferta kulturore e vilave papnore, ku tashmë mund të vizitohen kopshtet dhe pallati apostolik, të cilave u janë shtuar hapësirat muzeale të qendrës së vizitorëve Specola dhe kupolat sugjestive Barberini, selia e teleskopëve historikë dhe ende funksionalë, Hartat e qielli dhe Schmidt.
Papët dhe observatori
Fotot e shumta dhe gjigandografitë e varura në muret e ambienteve që do të jenë të hapura për vizitorët nga 3 gushti i ardhshëm, “flasin” për marrëdhëniet e Papëve të ndryshëm me Observatorin në rrjedhë vitesh. Sugjestive, për shembull, fotografia e bërë më 20 korrik 1969, me portretin e Papës Pali VI duke soditur hënën nga teleskopi, disa orë përpara uljes së Apollo 11, ndërsa në një pikturë “takohemi me Papën” duke u dhënë mesazhin e bekimit astronautëve. Një kompozim tjetër të kujton vizitën e Papës Benedikti XVI duke mbajtur në dorë meteoritin Nakhla, quajtur kështu me emrin e një lokaliteti egjiptian, ku u gjend në vitin 1911 e ku mendohet se erdhi nga Marsi.
Historia e Observatorit të Vatikanit
Observatori i Vatikanit është institut kërkimor-shkencor, që varet drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë. Emri i tij nisi të njihej që në fund të shekullit të 16-të kur, më 1578, Papa Gregori XIII ftoi astronomët dhe matematikanët jezuitë të Kolegjit Romak për të përgatitur reformën e kalendarit, të shpallur më pas në vitin 1582. Specola punoi në Vatikan për rreth 40 vjet, por në fillim të viteve tridhjetë, përhapja e dritave elektrike njëheresh me rritjen urbane të kryeqytetit e ndriçuan qiellin e Romës aq, sa t’ua bënte të pamundur astronomëve studimin e yjeve më të zbehta. Për këtë arsye, Piu XI mendoi që observatori të zhvendosej në selinë e tij verore Castel Gandolfo. Në vitin 1981 u themelua "Grupi Kërkimor i Observatorit të Vatikanit", qendër e dytë kërkimore në Tucson, Arizona, ndërsa në vitin 1993 Observatori, në bashkëpunim me Observatorin Steward, përfundoi ndërtimin e Teleskopit të Vatikanit me teknologji të avancuar në malin Grahams, në Arizona. Sot Observatori i Vatikanit bashkëpunon me shumë institute ndërkombëtare astronomike dhe është anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar Astronomik, i Qendrës Ndërkombëtare për Astrofizikën Relativiste dhe, që nga viti 1986 organizon, në Castel Gandolfo, një shkollë verore të astronomisë. Të vizitosh Observatorin do të thotë ta ndjesh për disa orë veten mes yjesh….