Kërko

55-vjetori i ‘Humanæ Vitæ’, Enciklikës mbi doktrinën e Kishës për martesën

Më 25 korrik 1968, para 55 vjetësh, Pali VI botonte enciklikën ‘Humanæ Vitæ’, e cila la një gjurmë në ndërgjegje të besimtarëve dhe të të gjithë njerëzve vullnet mirë. Fjala kyçe për të kuptuar Humanae vitae "është dashuria". Kisha mori një pozicion duke ripohuar dhe mbrojtur jetën e njeriut sipas vizionit të krishterë, vizionin e martesës dhe dinjitetin e saj, pikërisht në momentin kur ai vizion do të synohej të anulohej në emër të ‘lirisë’

R.SH. - Vatican News

55 vjet më parë, më 25 korrik të vitit 1968, Papa Pali VI botonte enciklikën Humanæ Vitæ’, që shpjegonte doktrinën e Kishës katolike romake mbi jetën e njeriut, sipas vizionit të krishterë, vizionin e martesës dhe dinjitetin e saj, ashtu siç e kishte përcaktuar Koncili II i Vatikanit

55 vjet më parë, më 25 korrik 1968 Papa Pali VI botonte enciklikën "Humanae Vitae", e cila la një gjurmë të thella në ndërgjegje të besimtarëve dhe të të gjithë njerëzve vullnet mirë. Ende sot flitet për risinë dhe trashëgiminë e kësaj Enciklike, po fjala kyçe për të kuptuar Humanae vitae "është dashuria". Një akt magjistar i Papës Palit VI që pa dritë në një nga momentet më delikate të historisë së fundit, veçanërisht në vendet perëndimore.

Kështu, më 25 korrik 1968, Papa Montini nënshkroi Encyclical 'Humanae vitae', duke shprehur pozicionin e Kishës e duke ripohuar dhe mbrojtur jetën e njeriut sipas vizionit të krishterë, vizionin e martesës dhe dinjitetin e saj, pikërisht në momentin kur ai vizion do të synohej të anulohej në emër të ‘lirisë’.

“Detyra e vështirë për ta transmetuar jetën njerëzore, në të cilën bashkëshortët janë bashkëpunëtorë të lirë e të përgjegjshëm të Hyjit Krijues, ka qenë gjithnjë burim gëzimi, ndonëse nuk kanë munguar kurrë as ankthi e vështirësitë…”. Me këto fjalë nis enciklika e Palit VI Humanæ Vitæ. E kjo enciklikë është fryt i një vendimi të thelluar, gjest guximtar në përpjekjen për të ripohuar vazhdimësinë e doktrinës e të traditës së Kishës. Është fjala për një mësim jo të lehtë, mbi një të vërtetë të pandryshueshme, që pas kaq kohe e nxjerr edhe më në pah largpamësinë me të cilën përballohet çështja. 

Pa e lënë vetën të sundohet nga joshja e teknikës, Kisha katolike vijon ta shikojë dashurinë bashkëshortore ndërmjet burrit e gruas si pjesëmarrje në veprimtarinë krijuese të vetë Hyjit. Është një vështrim plot respekt, i vëmendshëm ndaj asaj gjëje misterioze e mahnitëse, që ndodh në transmetimin e jetës. Natyrisht, logjika e reciprocitetit të mirëpritjes, e sundimit të vetvetes, e respektit të bashkëshortit, e përshpirtërisë dhe e përgjegjësisë, që karakterizon këtë vizion, mund të duket me vjet drite larg prej ndarjes së seksualitetit nga përgjegjësia, prej përpjekjes “për ta shndërruar seksualitetin në drogë, që sot çirret nga çdo skaj i rrugëve tona e i qyteteve tona, nga çdo ekran i TV–ve, nga faqet e internetit e tjera.

Por pikërisht për këtë enciklika Humanæ Vitæ është largpamëse. Duke marrë guximin të thotë fjalë të vështira, na kujton të vërtetën dhe dinjitetin e njeriut, të jetës e të dashurisë, që tepër shpesh bie në harresë. E, si pasojë, njeriu nuk bëhet aspak më i lumtur, përkundrazi, mbyllet në rrethin e egoizmit mbytës që rri gjithnjë në pritë. Ndërsa dashuria dhe arsyeja së bashku mund të bëjnë diçka shumë të madhe. Pra duhet shpëtuar dashuria, për të sotmen e për të nesërmen. Për të gjithë!

“Diçka, që prek nga afër jetën dhe lumturinë e njerëzve”: kështu shkruante Papa Pali VI, më 25 korrikun e vitit 1968, në hyrjen e Letrës enciklike “Humanae Vitae”, duke folur për “detyrën e rëndësishme të transmetimit të jetës njerëzore". Një temë që, në të gjitha kohët, ka vënë para ndërgjegjes së bashkëshortëve probleme e çështje serioze, e veçanërisht në ato vite, kur shoqëria përshkohej nga ndryshime të jashtëzakonshme, periudhë hipish e revolucioni seksual, që nuk mund të mos ngrinte pikëpyetje për Kishën.

Kujtojmë se kishin kaluar tre vjet nga përfundimi i Koncilit II të Vatikanit, por enciklika e Papës Montini, që i sensibilizonte prindërit mbi përgjegjësinë, që merrnin përsipër, kur sillnin në jetë një fëmijë, nuk u prit pa kritika. Dikush e akuzonte se ishte dorëlëshuar, pasi fliste për metodat natyrore të parandalimit të shtatzënisë e, të tjerë e akuzonin se ishte treguar tepër dorështrënguar me metodat kontraceptive.

Sa ishte profetike ajo Letër enciklike edhe për kohët e sotme?        

Me këtë Enciklikë, Papa Pali VI – në vazhdën e Koncilit II të Vatikanit – deklaroi pa dyshim se ushtrimi i përgjegjshëm i atësisë është vlerë objektive për familjet e krishtera. Njëkohësisht, ai tregoi mënyrat e përshtatshme për ta jetuar këtë vlerë, duke pasur parasysh të gjitha përmasat e dashurisë njerëzore. Duhet të kujtojmë se në ato vite, shumë e konsideronin planifikimin e lindjeve si një lloj “konçesioni mirëdashës” për çiftin e jo si vlerë pozitive për t’u ndjekur. Atëherë, Kisha katolike theksonte jashtëzakonisht detyrën e lindjes së fëmijëve si qëllim kryesor i martesës, gjë që, për një kohë të gjatë, e bëri të vështirë kumtimin teologjik e të ekuilibruar të vetë bashkimit martesor.

Enciklika u mbrojt haptazi nga Papa Shën Gjon Pali II, i cili foli shpesh mbi dashurinë bashkëshortore, në katekizmin e tij. Por kritikat ndaj saj i shkaktuan vuajtje Palit VI aq sa për dhjetë vjet pas “Humanae Vitae” ai nuk shkroi enciklikë tjetër. Gjithsesi, çështja e dashurisë familjare meriton të shqyrtohet dhe të studiohet më thellë, së paku në dy drejtime: nga njëra anë, duhet ta konsiderojmë në kontekstin e të gjitha gjërave të rëndësishme e të frytshme që ka thënë Kisha mbi martesën e familjen gjatë këtyre 50 vjetëve.

Pastaj, nga pikëpamja e punës kërkimore historiko-teologjike, do të ishte e dobishme të rindërtohej rruga sipas së cilës u përpilua Enciklika, nga qershori 1966 deri më 25 korrik 1968. Për këtë priten rezultatet nga shqyrtimi i dokumenteve të ruajtura në arkivat e Selisë së Shenjtë. Disa studiuese e teologë kanë marrë lejen për t’i bërë këto kërkime arkivore.  Nga këto të dhëna që pritën të dalin në dritë, do të kuptohen synimet dhe shqetësimet për të cilat u vu në lëvizje Papa Pali VI, që e zgjidhi pozitivisht çështjen, pavarësisht nga vështirësitë e shumta.

Duhet theksuar se nuk u përkrah gjithnjë, ashtu siç duhej në ato vite… e gjithë çështja e ndërlikuar e Komisionit Papnor, që punoi nga viti 1963 në vitin 1966 e në fund të fundit, nuk arriti t’i jepte në dorë çfarë i duhej për të hartuar Enciklikën. Kështu që Papës Palit VI iu desh gati t’ia fillonte vetë nga e para. Mbi të rëndonte opinioni publik kishtar i atyre viteve, që, së bashku me bashkësinë e teologëve, ishte i ndarë në pro e kundër pilulës kontraceptive.

A ekziston një fill që e lidh “Humanae Vitae” me enciklikën “Amoris Laetitia” të Papës Françesku?

Filli është ai që nis me “Gaudium et Spes”, me të cilën Kisha katolike e konsideron parësor kujdesin për martesën dhe familjen. Ajo sheh në këto realitete vendin kryesor, ku bashkësia e krishterë është e thirrur të takojë njerëzit e kohës së vet, duke u kujdesur për gjithçka që ka të bëjë me njeriun e duke ofruar risinë e kumtit të krishterë. Në këtë kuptim, ekziston një vazhdimësi e veçantë ndërmjet Palit VI e Françeskut, që kalon përmes Papës Shën Gjon Palit II e Papës Benediktit XVI. 

26 korrik 2023, 13:56