Kërko

Kard. Parolin: krizat aktuale kanë nevojë për përgjigje globale dhe vëllazërore

Kardinali Parolin: në një botë e një epokë të përshkuar nga copëzime serioze, tundimi për t'u strehuar "në sferën private" duke i kthyer shpinën krizave, është i fortë. Është rrezik që mund t’i ndodhë edhe politikës, nën shtytjen e interesave private të kufizuara dhe jo të përpjekjeve për të mirën e përbashkët, që përfshin kujdesin edhe për ata, të cilët që nuk marrin kurrë vendime. Janë dy faktorë që mund të çojnë në kohezion dhe integrim më të madh: "miqësia shoqërore" e "kultura e takimit"

R.SH. / Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, hapi takimin dy-ditor të Fondacionit Centesimus Annus Pro Pontifice, në Vatikan, me rastin e përvjetorit të tridhjetë: miqësia sociale dhe kultura e takimit janë vlera gjithëpërfshirëse, të cilat dinë të nxisin zhvillimin e shoqërive dhe të individëve - nënvizoi.

Në një botë dhe një epokë të përshkuar nga copëzime serioze, tundimi për t'u strehuar "në sferën private" duke i kthyer shpinën krizave, është i fortë. Është rrezik që mund t’i ndodhë edhe politikës, nën shtytjen e interesave private të kufizuara dhe jo të përpjekjeve përfshirë në vizionin e së mirës së përbashkët, që përfshin kujdesin edhe për ata, të cilët që nuk marrin kurrë vendime, të lënët pas dore të të gjitha llojeve. E megjithatë ka dy faktorë që mund të çojnë në kohezion dhe integrim më të madh, për të cilët Papa këmbëngul shumë: "miqësia shoqërore" dhe "kultura e takimit".

Nuk mjaftojnë thirrjet e përgjithshme për paqe

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin vuri theksin mbi këto dy vlera, tejet të dashura për Françeskun, gjatë fjalës, mbajtur në hapjen e takimit dyditor, organizuar nga Fondacioni Centesimus Annus Pro Pontifice me rastin e 30-vjetorit të themelimit. Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë foli në Sallën Klementine, në Vatikan, para audiencës së pjesëmarrësve me Papën Françesku, duke u përqendruar tek termi "bashkësi" që e përmban titulli i takimit "Kujtesa për të ndërtuar të ardhmen: të mendosh e të veprosh me termat e bashkësisë”. "Tashmë është e qartë për të gjithë - vërejti kardinali Parolin - se problemet, kërkimi i zgjidhjeve dhe pritjet e shumë prej vëllezërve dhe motrave tona kanë përmasë globale dhe kërkojnë përgjigje po aq globale". Prandaj – vazhdoi - “ duhet të punojmë së bashku për të mirën e bashkësisë: nuk mjaftojnë thirrjet e përgjithshme për paqe, për zhvillim ekonomik as për të mirën e ambientit”.

Dy vlerat

Duhet të kuptohet, dhe ndoshta të rikuptohet, "nocioni i së mirës së përbashkët" - nënvizoi kardinali Parolin - për të shmangur "politikat ose aktivitetet që promovojnë zgjidhje 'të veçanta', pasi këto mund të krijojnë përjashtime ose të jenë mundësi të humbura për të gjithë". Edhe këtu miqësia sociale dhe kultura e takimit -  theksoi Sekretari i Shtetit - krijojnë një këndvështrim të dobishëm për arritjen e një të mire konkrete të përbashkët, sepse të dyja janë karakteristika “të një shoqërie të hapur dhe të orientuar drejt së ardhmes”. Miqësia sociale sepse - shpjegoi - është për nga natyra e saj gjithëpërfshirëse dhe ndihmon në planifikimin e aktiviteteve "që nuk kufizohen brenda komunitetit apo vendit tënd". Kultura e takimit sepse, larg "akteve sporadike të bamirësisë", të cilat krijojnë iluzionin e zhdukjes së diskriminimit, është "mënyrë jetese" që di të respektojë vërtetësisht dinjitetin dhe lirinë e të gjithëve.

Realizimi i të gjithëve

Nëse në Centesimus Annus të Gjon Palit II, botuar në 1991, në atë çast historik Papa “u jepte rëndësi të madhe vlerave të tilla si demokracia dhe liria", sot - thekson kardinali Parolin - skena aktuale gjen vetevten në reflektimin e zhvilluar nga Françesku në Fratelli tutti,  ku pohohet se fjalë të tilla si demokraci, liri, drejtësi ose unitet "janë krijuar e modeluar për të shërbyer si mjete sundimi e si etiketa pa pikën e kuptimit", të mira për çfarëdo lloj rasti. Dobësimi i "kompleksit të vlerave" me të cilin duhet të maten sot ata që marrin vendime politike apo ekonomike kërkon - shtoi Sekretari i Shtetit - "gjykim të kujdesshëm për të mbrojtur interesat e përgjithshme". Në thelb - përfundoi Kardinali Parolin - është çështje “përgjegjësie”, që i drejton vendimet dhe burimet drejt “realizimit të plotë të të gjitha qenieve njerëzore, rritjes dhe aspiratave, mbi bazën e dinjitetit dhe identitetit të tyre”.

05 qershor 2023, 16:12