Kërko

Papa pret kryeministrin e Kosovës Albin Kurti

Papa priti në Vatikan, kryeministrin e Kosovës, z. Kurti, së bashku me delegacionin. Më pas, z. Kurti u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin. Gjatë bisedave të përzemërta u fol për bashkëpunimin ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Kosovës dhe u diskutuan tema me interes të përbashkët në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet bashkësive kishtare e bashkësisë civile. Ndër temat, dialogu ndërfetar dhe kontributi i Kishës për të mirë e përbashkët

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite në audiencë, në Vatikan, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Gjatë bisedës së përzemërt u fol për situatën në vend, bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, familjen e rolin e saj në shoqëri, për të rinjtë që janë e ardhmja dhe për rëndësinë e dialogut. U kujtua historia e lashtë e vendit dhe roli i bashkësive fetare, bashkëpunimi që synon promovimin e vlerave etike e shoqërore për përforcimin e vëllazërimit e të takimit, në shërbim të paqes, në gjithë rajonin.

“Kam ardhur për t'Ju shprehur mirënjohjen dhe dashurinë e popullit të Kosovës për magjisterin Tuaj të lartë shpirtëror e moral, për kujdesin e vëmendshëm ndaj vendit dhe realitetit ndërkombëtar", tha kryeministri Kurti. Më pas, kujtoi lashtësinë e krishterimit në Kosovë dhe figurën madhore të shenjtes Nënë Terezë, e cila pikërisht në shenjtëroren e Zojës së Madhe në Letnicë, dëgjoi për herë të parë thirrjen e Zotit në jetën e përkushtuar rregulltare. Ajo është shembull e frymëzim për të gjithë ne, është Nëna jonë, tha Kurti dhe e njoftoi Atin e Shenjtë për përpjekjet demokratike të vendit dhe kujdesin e qeverisë, ndaj "nënave lehona dhe fëmijëve deri në moshën 16 vjeç, si politikë mbështetëse për ta”.

Gjatë takimit u përmend roli pozitiv i Kishës Katolike në mbështetjen e qytetarëve dhe në ndërtimin e shoqërisë, si edhe u nënvizua rëndësia e dialogut ndëretnik e ndërfetar në Kosovë.  Një temë e veçantë, që Papa e ka veçanërisht për zemër, ishte ajo e familjes dhe e të rinjve, që janë e ardhmja. Kryeministri Kurti i kërkoi Papës Françesku që Selia e Shenjtë ta njohë Kosovën dhe e ftoi për një vizitë në vend.

Në delegacionin e kryeministrit bënin pjesë Znj. Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë; Z. Vehbi Miftari, përfaqësues për RKS-në pranë Selinë së Shenjtë; Znj. Lendita Haxhitasim, ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali; Znj. Nora Arapi Krasniqi, këshilltare politike e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit; Znj. Leonora Visoka-Weller, bashkëkryesuese e Komisionit Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin/inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.

Pas audiencës me Atin e Shenjtë Françesku, kryeministri Kurti u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin.

22 qershor 2023, 13:35