Kërko

Ipeshkvijtë e Meksikës në Vizitë "ad Limina Apostolorum" Ipeshkvijtë e Meksikës në Vizitë "ad Limina Apostolorum"  (Vatican Media)

Françesku pret ipeshkvijtë e Meksikës, flitet për emigrantët dhe sfidat e vendit

Konferenca Ipeshkvnore e Meksikës, për vizitë ad limina. Kardinali Aguiar Retes shpjegon se gjatë dialogut me Françeskun u prekën probleme si situata socio-politike, fenomeni migrator dhe episodet e dhunës. Papa miratoi përpjekjet e ipeshkvijve, në mbështetje të atyre që ikin.

R. SH. - Vatikan

Problemi i emigrantëve, situata shoqërore-politike dhe episodet e dhunës në vend ishin temat qendrore të bisedës së Papës mëngjesin e sotëm, 2 qershor, me grupin e dytë të ipeshkvijve të Konferencës Ipeshkvnore Meksikane ardhur nga zonat qendrore, për vizitë ad limina apostolorum. I pranishëm, edhe kryeipeshkvi primat i Meksikës, Kardinali Carlos Aguiar Retes, i cili ceku, për Vatican News, disa nga temat e trajtuara me Papën, gjatë bisedës.

Sfidat e vendit

Sfidat me të cilat po ndeshet Meksika janë të njëjta me ato të botës - shpjegoi Kardinali - për shembull, ndryshimi epokal, që e vështirëson transmetimin e fesë tek brezat e rinj dhe shqetësimi për t'i bindur se duhet ecur në udhën që i çon drejt lirisë e që, mbi të gjitha, i ndihmon të gjejnë thirrjen e tyre të vërtetë.

Situata shoqërore-politike

Pika tjetër - vijon Kardinali meksikan Aguiar Retes - është situata shoqërore-politike, problemet e së cilës janë gjithnjë në rritje për shkak të pabarazisë së madhe sociale dhe problemeve të krijuara prej kohësh. Për Kardinalin, shpesh "nuk ka harmoni të mjaftueshme ndërmjet forcave politike dhe shoqërore, që të mund të bien dakord për të mirën e shoqërisë".

Çështja e emigrantëve

U përmend edhe çështja e emigrantëve, problem serioz për një vend si Meksika, që synojnë zhvendosjen drejt Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Ipeshkvijtë merren shumë me "Shtëpitë e shtegtarit", por përballë karvaneve tejet të mëdha, është e vështirë t’i ndihmosh të gjithë mërgimtarët dhe t’i plotësosh nevojat e tyre. “E edhe më e vështirë t'i inkurajosh, t'i ushqesh, t'u japësh strehë” - pohon kardinali Aguiar Retes, duke nënvizuar se Papa i miratoi përpjekjet e ipeshkvijve. “Duhet të  bashkohen forcat - shtoi - për t’u krijuar mundësinë e një kalimi më të sigurt në destinacionin e tyre”. Prelatët meksikanë po bashkëpunojnë me ipeshkvijtë e Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, për t'i bërë këto ura kalimi sa më të sigurta për njerëzit.

Ky nuk është grupi i parë i prelatëve meksikanë, që pret Papa. Grupin e parë të ipeshkvijve nga zonat veriore të Meksikës, nga provincat kishtare të Baja California, Bajío, Monterrey, Chihuahua, Durango, Hermosillo dhe San Luis Potosí e pati pritur më 26 prill.

03 qershor 2023, 14:52