Kërko

Lublini pret Dikasterin e Komunikimit: mediat janë të nevojshme për të ndërtuar ura

"Mediat dhe teknologjitë moderne në komunikimin e Kishës": kjo ishte tema e një takimi organizuar nga Universiteti Katolik Gjon Pali II i qytetit polak. Të pranishëm, Andrea Tornielli, drejtor editorial i mediave të Vatikanit dhe Massimiliano Menichetti, përgjegjës i Radio Vatikanit - Vatican News. Duhet të “dialogojmë” dhe të themi të vërtetën duke parapëlqyer histori dhe dëshmi, nënvizuan në praninë e një grupi të madh studentësh.

R. SH. - Vatikan

Ndjehet fort nevoja për mediat që nuk përçajnë, por ndërtojnë ura. Kjo, bindja e Andrea Torniellit, drejtor redaktues i medias së Vatikanit dhe Massimiliano Menichetti-t, drejtues i Vatican Radio-Vatican News, shprehur në një takim organizuar në Lublin të Polonisë, nga Universiteti katolik vendas Gjon Pali II.

Media duhet të krijojë frymën e dialogut

Media nuk duhet të ngrejë mure, por të mbështesë dialogun - nënvizuan përfaqësuesit e medias së Vatikanit gjatë një takimi me studentët e universitetit polak me temë "Media dhe teknologjitë moderne në komunikimin e Kishës", duke përsëritur rëndësinë e përhapjes së informacionit të bazuar mbi të vërtetën dhe mbi dëshminë e jetës së njerëzve. “Kur hyjmë në marrëdhënie me tjetrin, përballë përvojës së tij jetësore, edhe nëse nuk pajtohemi me parimet e tij, duhet të ndjejmë vlerësimin dhe respektin më të madh” - vërejti Tornielli - i cili kujtoi se Ungjilli është përhapur sidomos falë dëshmisë së njerëzve që "u tërhoqën dhe u mahniten nga Jezusi". Duke paraqitur misionin dhe veprimtaritë e ndryshme të medias së Vatikanit, drejtori i redaksisë theksoi se çdo mesazh, qoftë edhe për ngjarje tragjike, duhet të paraqitet në mënyrë të tillë, që të mund të ngjallë shpresë! "Në punën tonë të përditshme, edhe kur duhet të flasim për realitete dramatike si lufta, përpiqemi ta bëjmë këtë duke lënë gjithnjë vend për shenja shprese. Sepse për këtë kanë nevojë të gjithë".

Sipas teknologjive moderne

Menichetti, nga ana e tij, theksoi se një aspekt domethënës i veprimtarisë së Dikasterit të Komunikimit është rrëfimi i ngjarjeve që ndodhin në botë përmes prizmit të Doktrinës Sociale të Kishës. “Kjo do të thotë se nëse, për shembull, shpërthen një bombë në Ukrainë, natyrisht informojmë për shkatërrimin, por në të njëjtën kohë tregojmë edhe kush ndihmon, kush punon për të mirën e njerëzve të tjerë, për paqen, për vëllazërinë, dhe kjo në çdo nivel, duke përfshirë edhe përpjekjet e diplomacisë e rrugëzgjidhjet e mundshme”.

U përsërit edhe nevoja për përdorimin e teknologjive moderne në fushën e medias: "Kemi nevojë ta komunikojmë të mirën, të ndërtojnë shkëmbime, t’i dëgjojmë të tjerët, ta dëshmojnë bukurinë e fesë së krishterë, pa e shndërruar kurrë të vërtetën apo identitetin në një shkop a në një mur”, pohuan dy të ftuarit e Vatikanit.

Një nga universitetet më të mëdha katolike

Gjatë takimit, profesor Mirosław Kalinowski, rektor i Universitetit Katolik të Lublinit (KUL) ftoi Torniellin dhe Menichettin të vizitojnë Athenaeum, një nga universitetet më të mëdha katolike në botë, qendër e veprimtarive shkencore, që i formon të rinjtë në teologji, filozofi, shkenca shoqërore, juridike dhe humane, si dhe në shkencat matematike dhe natyrore. Në fjalën e tij, Kalinowski përmendi Gjon Palin II, rolin e tij në hapjen e rrugëve të botës dhe në përdorimin e mjeteve të komunikimit që transmetojnë të vërtetën. Në Universitetin ku zhvillohen studimet për gazetari, media vlerësohet kaq shumë, saqë kohët e fundit, ndër të gjitha universitetet polake, është bërë më aktivja ndërmjet mediave shoqërore.

Në diskutim morën pjesë studentë të shumtë, kryesisht të gazetarisë, si dhe bursistë nga Fondacioni Shtëpia e Gjon Palit II, në Lublin.

02 qershor 2023, 12:45