Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher Imzot Paul Richard Gallagher

Imzot Gallagher: diplomacia e Vatikanit, vepër e barinjve të Kishës, jo e funksionarëve

Në konferencën e promovuar nga shoqata “Bamirësia Politike”, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare theksoi vlerën e kulturës së takimit në punën e përfaqësuesve të Vatikanit në mbarë botën: për ta promovuar atë, ata duhet të jenë njerëz të palodhur të paqes

R.SH. – Vatikan

“Të zhvillojmë “kulturën e takimit”, pasi vetë diplomacia bart në vetvete përpjekjen për takim”: mbi këtë nevojë themelore u mbajt më 19 qershor, në Romë, konferenca e organizuar nga shoqata e së drejtës papnore “Bamirësia Politike”. Vërtet, diplomacia është "mjet dialogu, bashkëpunimi dhe pajtimi" e jo pretendime e kundërvënie vëllavrasëse; është në gjendje ta zëvendësojë përdorimin e forcës, siç thuhet në një notë të shoqatës. Konferenca "Diplomacia e Selisë së Shenjtë dhe kultura e takimit" u koordinua nga Alfredo Luciani, president i “Bamirësisë Politike”, me pjesëmarrjen e imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, të Mahmoud Talaat, ambasador i Republikës Arabe të Egjiptit në Selinë e Shenjtë dhe të Marcus Bergmann, ambasador i Austrisë në Selinë e Shenjtë.

Kultura e takimit, baza e thirrjes misionare të përfaqësuesve papnorë

"Kultura e takimit - pohoi imzot Gallagher - qëndron në themel të thirrjes misionare që përjetojnë përfaqësuesit papnorë, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, gjatë shërbimit në vende të ndryshme të botës". Në fjalën e tij, kryeipeshkvi vuri në dukje disa episode biblike, bazë për reflektimin mbi diplomacinë papnore: nga takimi ndërmjet Abrahamit dhe priftit Melkizedek (Zan 14,17-20) - shembull i qartë i miqësisë ndërmjet popujve, që në kohëra të lashta - në atë të Elizeut profet me Naamanin, kreun e ushtrisë së mbretit të Aramit (2 Mbret 5) e deri në takimin ndërmjet Darit, mbretit të persianëve, dhe Danielit profet, i cili u hodh në mes të luanëve për shkeljen e dekretit, që ndalonte lutjet për çdo lloj hyjni, përveçse për vetë monarkun (Dan, 6). Në Ungjij rrëfehen disa takime me të huajt, të cilët kanë Jezusin si protagonist: shërimi i shërbëtorit të centurionit romak (Mt 8,5-13) dhe i vajzës së një gruaje siro-fenikase në rajonin e Tirit e të Sidonit (Mk 7,24-30), shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë (Lk 10,25-37), biseda me gruan samaritane, pranë pusit (Gjn 4,1-42) dhe dialogu me Poncin Pilat (Gjn 18, 33-40).

Diplomatët e Selisë së Shenjtë nuk janë zyrtarë, por barinj të Kishës

Takimet e Jezusit kanë gjithmonë karakter personal, nënvizoi imzot Gallagher, e kështu duhet të jetë edhe për takimet e diplomatëve të Selisë së Shenjtë, të cilët “nuk janë zyrtarë, por barinj të Kishës, prandaj u flasin zemrave të njerëzve, që presin në audiencë, si kryeipeshkvij dhe meshtarë". Libri biblik, që shpreh më së miri kulturën e takimit, është ai i Veprave të Apostujve, ku gjejmë historinë e Rrëshajëve, "mbi të cilën bazohet siguria e krishterë se qeniet njerëzore mund ta kuptojnë njëra-tjetrën dhe të jetojnë të bashkuar" në marrëdhënie vëllazërore e solidare. Kulturën e takimit e gjejmë edhe në shkrimet e Shën Palit apostull e në Librin e Zbulesës, i cili rrëfen takimin e fundit të njerëzimit me hyjnorin, që na kujton rëndësinë e dëshmisë. “Vërtet, për të promovuar kulturën e takimit, diplomati i Selisë së Shenjtë duhet të jetë dëshmitar autentik i Ungjillit, veprimtar i palodhur i paqes dhe apostull i apasionuar i pajtimit”.

Poli i Feve në Romë

Për shoqatën “Bamirësia Politike”, konferenca ishte rast për të paraqitur themelimin e Polit të Feve në Romë, në përgatitje të Jubileut të ardhshëm. Në zanafillën e kësaj nisme qëndron, në radhë të parë, vetëdija për rëndësinë e dialogut ndërmjet kulturave dhe feve, por edhe prania në rritje e anëtarëve të feve të mëdha botërore në Romë, qytet, që duhet të jetë pikë referimi për kulturën e takimit. Poli i Feve ka një qëllim të përbashkët me diplomacinë: t’i shndërrojë fetë nga burime konflikti në mjete të paqes, të solidaritetit e të vëllazërimit njerëzor.

21 qershor 2023, 13:29