Kërko

Kardinali Giorgio Marengo, Mongoli Kardinali Giorgio Marengo, Mongoli

Gallgher në Mongoli, në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe

Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare do të qëndrojë në vendin aziatik deri më 6 qershor. Ai kremtoi meshën në kryeqytet, ndërsa sot e nesër, ka takime me drejtues institucionalë. Kardinali Marengo: vizita e Papës do të inkurajojë besimtarët e misionarët

R.SH. – Vatikan

 Njëzet e katër orë pasi Salla e Shtypit e Vatikanit njoftoi se Papa Françesku do të shkojë në Mongoli nga 31 gushti deri më 4 shtator, dje, 4 qershor, filloi vizita e kryeipeshkvit Paul Richard Gallagher në vendin aziatik, mision i përgatitur prej kohësh, në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe me Selinë e Shenjtë. Ai do të qëndrojë në vend deri të martën.

Mesha dhe takimi me misionarët

 Programi triditor i imzot Gallagher filloi me meshën në katedralen e Shën Pjetrit dhe të shën Palit në Ulan Bator, kryeqyteti i vendit, pasuar nga një takim me bashkësinë misionare vendase. Sot, takimet me autoritetet mongole, fillimisht me ministren e jashtme, znj. Batmunkh Battsetseg, pastaj, me kryeministrin Luvsannamsrain Oyun-Erden. Nesër, përfaqësuesi i Vatikanit do të bisedojë me presidentin e Mongolisë Ukhnaagiin Khürelsükh, më pas, do të shkojë në Muzeun Kombëtar Genghis Khan, strukturë moderne e përuruar vitin e kaluar, ku ekspozohen mbi 12.000 artefakte historike mbi perandorinë e Genghis Khan dhe të pasardhësve të tij.

Kardinali Marengo: Papa do të inkurajojë besimtarët e misionarët

Ndërkaq, Mongolia priti me gëzim të madh lajmin e shtegtimit të Papës Françesku në vend. Në mikrofonin e Radio Vatikanit - Vatican News, prefekti apostolik i Ulan Batorit, kardinali Giorgio Marengo, shpreh kënaqësinë për këtë udhëtim të 43-të të Atit të Shenjtë, që do të takohet me bashkësinë e vogël të besimtarëve, rreth 1500 vetë, pas Portugalisë, ku do të shkojë në fillim të gushtit për Ditën Botërore të Rinisë.

 “Është me rëndësi të madhe! – thotë kardinali për vizitën e Atit të Shenjtë. – Së pari, e pritëm konfirmimin zyrtar me gëzim dhe mirënjohje të thellë. Të gjithë thonë: ‘Sa lajm i mirë!’ Vërtet, ky udhëtim është shenjë shumë e rëndësishme për Kishën në Mongoli, shenjë e vëmendjes dhe e afërsisë së Papës për bashkësinë tonë të vogël e të re. Prefektura Apostolike e Ulan Batorit, e cila mbulon gjithë territorin e vendit, ka rreth 1500 besimtarë katolikë vendas, përveç të huajve të paktë të pranishëm këtu për punë apo për detyra diplomatike.

Bashkësia misionare përbëhet nga 75 burra dhe gra, që përfaqësojnë 10 kongregata fetare dhe 27 kombësi. Janë gjithsej 29 meshtarë, nga të cilët 2 janë vendas; 36 murgesha, 6 rregulltarë jo meshtarë dhe 3 misionarë laikë. Kemi nëntë vende kulti të regjistruara zyrtarisht. Kisha në Mongoli është e varfër dhe e vogël, - vijon kardinali Marengo - ne jemi pak, nuk kemi shumë fonde. Por në bashkësitë e vogla ka një vëmendje të madhe për njëri-tjetrin dhe lidhjet ndërmjet njerëzve janë autentike, vëllazërimi është spontan, sepse secili ia do të mirën tjetrit! Ka diçka nga Kisha e orëve të para. Formalisht, Kisha në Mongoli ka lindur vitet e fundit, por në një botë që ndryshon me shpejtësi dhe në një vend me histori të gjatë, gjurmët e pranisë së krishterë mund të gjenden në periudha të ndryshme. Njerëzve, që vijnë për të na vizituar nga jashtë, u bën përshtypje shpesh ajo, që unë do ta quaja ‘freski shpirtërore’. Si misionar, që i ka shërbyer kësaj Kishe për rreth njëzet vjet, unë mund të dëshmoj për këtë freski”.

Bashkëjetesa ndërfetare i ka rrënjët në politikën tolerante të khanëve

Të krishterët në Mongoli janë pakicë. “Bashkëjetesa ndërfetare është trashëgimi që vjen nga larg dhe i ka rrënjët në politikën tolerante të khanëve mongolë (shek. XII) – nënvizon kardinali Marengo. - Krishterimi njihej dhe praktikohej që rreth vitit njëmijë dhe ne rilidhemi në mënyrë ideale me atë traditë të lashtë. Vitin e kaluar kremtuam 30-vjetorin e parë të pranisë së Kishës Katolike në vend, në epokën bashkëkohore. Dialogu ndërfetar është pjesë e ungjillëzimit, jo aq si strategji, por si mjet dëshmie për Kishën. Marrëdhëniet ndërfetare janë si miqësia, histori e bazuar gjithmonë në besimin reciprok, që forcohet me kalimin e kohës. Jetojmë së bashku, për të ecur së bashku. Nocioni i pakicës lind nga jashtë, por këtu njerëzit nuk e mendojnë kështu. Ata mendojnë më tepër si të jetojnë me besnikëri ndaj Ungjillit çdo ditë”.

05 qershor 2023, 13:45