Kërko

GMG Lisbona 2023 GMG Lisbona 2023

Dita Botërore e Rinisë në Lisbonë, programi i udhëtimit të Papës

Kalendari i takimeve të Papës që do të udhëtojë në Portugali nga data 2 deri më 6 gusht 2023 për edicionin e 37-të të Ditës Botërore të Rinisë u njoftua sot nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Të shtunën 5 gusht takimi i Papës, në mbrëmje, me të rinjtë në parkun Tejo, në programin e ditës edhe një vizitë në Shenjtëroren e Zojës së Fatimes ku do të lutet me të rinjtë e sëmurë.

R.SH. - Vatikan

Momenti më i rëndësishëm i shtegtimit të Papës në Portugali, me rastin e Ditës së XXXVII Botërore të Rinisë 2023, do të jetë në mbrëmjen e së shtunës, 5 gusht, me të rinjtë e mbarë botës në Parque Tejo të Lisbonës, pas vizitës në Shenjtëroren e Zojës së Fatimës. Sipas programit të shpallur nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Ati i Shenjtë Françesku do të mbajë nëntë fjalime dhe dy homeli, do të ketë takime me institucionet e Portugalisë, Kishën lokale dhe mbi të gjitha me të rinjtë e shumtë që në Lisbonë priten nga e gjithë bota për këtë ngjarje.

Të mërkurën më 2 gusht mbërritja në Portugali

Papa do të niset në orën 7.50 të mëngjesit të së mërkurës së 2 gushtit nga aeroporti Fiumicino i Romës dhe do të mbërrijë në orën 10.00 në bazën ajrore Figo Maduro në Lisbonë. Menjëherë pas kësaj, Ati i Shenjtë do të pritet nga Presidenti i Republikës së Portugalisë Marcelo Rebelo de Sousa në Pallatin Kombëtar të Belèm. Gjithanjë në lagjen Belèm të Lisbonës, në qendrën kulturore, Papa do të takohet me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik. Në orën 16.45 në nuciaturën apostolike në Lisbonë, takimi i Papës me kryeministrin dhe në orën 17.30, në kuvendin a manastirin e famshëm Jerònimos, do të kremtojë lutjet mbrëmësore me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, rregulltare, seminaristët dhe punëtorët baritorë të Kishës katolike të Portugalisë.

Të enjten më 3 gusht ceremonia e hapjes së Ditës Botërore të Rinisë

Të enjten në mëngjes, Papa Françesku do të takojë studentët në Universidade Catòlica Portuguesa. Më pas ai do të largohet nga Lisbona për në Cascais, aty do të përshëndesë të rinjtë e Scholas Occurentes që kanë selinë e tyre pikërisht në këtë vend. Pasdite, kthimi në kryeqytetin portugez për ceremoninë e hapjes së Ditës Botërore të Rinisë, e cila do të zhvillohet në parkun Edoardo VII.

Të premten më 4 gusht Udha e Kryqit me të rinjtë

Disa të rinj nga Dita Botërore e Rinisë do të rrëfehen nga Papa në sheshin "so Impèrio" në Belèm paraditen e së premtes së 4 gushtit. Vetë Françesku, rreth orës 9.45, do të shkojë në qendrën e famullisë kishtare "de Serafina" për të takuar përfaqësuesit e disa qendrave të ndihmës dhe bamirësisë, caritasit. Në orën 12 dreka me një grup të rinjsh në nuciaturën apostolike në Lisbonë, ndërsa në orën 18 Papa do të kryesojë Udhën e Kryqit me të rinjtë në parkun Edoardo VII.

Të shtunën më 5 gusht vizita në Fatime dhe vigjilja e DBR-së

Shenjtërorja e Zojës së Fatimes do të vizitohet nga Papa mëngjesin e së shtunës së 5 gushtit. Ati i Shenjtë Françesku do të niset nga Lisbona me helikopter për në stadiumin e Fatimes në orën 8 dhe në orën 9.30 do të lusë uratën e Rruzares së Shenjtë me të rinjtë e sëmurë në Kapelën e Shfaqjeve të Zojës së Bekuar. Rreth mesditës pritet kthimi në kryeqytet të Portugalisë. Po këtë ditë, më 5 gusht, janë në program edhe dy takime tjera: në orën 18.00 takimi i zakonshëm privat me anëtarët e Shoqërisë së Jezusit (Jezuitë) në Colégio de S. João de Brito dhe në orën 20.45, siç u përmend, vigjilja e takimit me të rinjtë nga mbarë bota në Tejo Park.

Të dielën Mesha e Shenjtë dhe kthimi në Vatikan

Mesha e Shenjtë për Ditën Botërore të Rinisë do të kremtohet përsëri nga Papa në parkun Tejo të dielën më 6 gusht në orën 9. Pasdite Papa do të ketë një takim me vullnetarët e DBR-së në "passeio marìtimo" në Algès, përpara ceremonisë së lamtumirës në bazën ajrore Figo Maduro. Fluturimi i kthimit do të niset në orën 18.15 dhe do të mbërrijë në aeroportin Fiumicino, në Romë, në orën 22.15.

 

06 qershor 2023, 13:15