Kërko

Gesù  e lo Spirito Santo- Vangelo Gesù e lo Spirito Santo- Vangelo

Shpirti Shenjt na liron nga frika e na bën ta ndjejmë veten në dorën e Hyjit dashuri

Festa e Rrëshajëve na ndihmon të kuptojmë edhe përmasën universale të popullit të Zotit, që nuk njeh më kurrfarë kufiri as të racës, as të kulturës, as të hapësirës, as të kohës. Rrëshajët, simbol i besëlidhjes së re pas asaj të Sinajit, i dhurojnë njerëzimit ‘aftësinë’ e mirëkuptimit reciprok, aftësinë të flas të njëjtën gjuhë e t’i kapërcejë përçarjet e Kullës së Babelit, simbol i shkatërrimit, i grindjeje mes njerëzve.

R.SH. / Vatikan

Në solemnitetin e Rrëshajëve, këtë të diele, Kisha Katolike kujton ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi Shën Marinë e mbi apostujt. Kështu një atmosferë solemniteti Rrëshajësh ndjehet në Kishën e mbarë botës së krishterë, për të kremtuar dhe përjetuar ardhjen e Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt dhe Marinë, mbledhur në Çenakull.

Pesëdhjetë ditë pas Pashkëve, plotësohet misteri i Pashkëve të Krishtit Zot, realizohet premtimi, që Jezusi u pati bërë dishepujve të vet: pagëzimi në Shpirtin Shenjt dhe dikimi nga lart i pushtetit, për t’ia kumtuar me bindje e forcë Ungjillin - Lajmin e Mirë mbarë popujve. Në këtë ngjarje të Rrëshajëve, apostujt u shndërruan nga njerëz të thjeshtë në dijetarë, pasi Shpirti Shenjt i dha secilit karizma, apo dhurata të veçanta, që i ndihmuan më vonë në misionin e përhapjes së Fjalës së Zotit.

Me ngjarjen e Rrëshajëve, pra, përmbushet plani i Hyjit për krijimin e një populli të ri dhe lind Kisha. Është Shpirti i Hyjit që zbret mbi Apostujt, ai që krijon Kishën universale, e jo vullneti i njeriut. Lind kështu një familje e bazuar jo më mbi lidhjet e gjakut, por mbi besimin në Jezu Krishtin. Apostujt flisnin menjëherë në të gjitha gjuhët, pikërisht sepse, që në themelimin e saj, Kisha është menduar si universale, pra për të gjithë, pavarësisht nga ndryshimet ndërmjet vendeve e njerëzve.

Atë çka ajri është për jetën biologjike, Shpirti Shenjt është për jetën shpirtërore

Liturgjia e Rrëshajëve, ndalet kryesisht tek figurat, me të cilat paraqitet Shpirti Shenjt. Nga rrëfimi i Rrëshajëve që ofrojnë Veprat e Apostujve, Shpirti Shenjt paraqitet me figurën e stuhisë e të zjarrit. 

Stuhia përshkruhet si erë e fortë. Kjo metaforë na bën të mendojmë për ajrin, që e dallon planetin tonë nga të tjerët e falë të cilit jetojmë. Ajri e Shpirti Shenjt janë të dy të domosdoshëm, pa ta s’mund të ketë jetë. Atë çka ajri është për jetën biologjike, Shpirti Shenjt është për jetën shpirtërore të njeriut, e ashtu siç ekziston ndotja atmosferike, që helmon mjedisin dhe qeniet e gjalla, ekziston edhe ndotja e zemrës dhe e shpirtit, që e helmon dhe e nxin jetën shpirtërore.

Më pas zjarri, figurë tjetër e Shpirtit Shenjt, për të cilën na flasin Veprat e Apostujve. Zjarrin e vërtetë, Shpirtin Shenjt, e solli mbi tokë Jezu Krishti. Ai nuk ua rrëmbeu zotave, si bëri Prometeu, sipas mitit grek, por u bë ndërmjetës i ‘dhuratës së Hyjit’, duke nxjerrë për ne hirin e aktit më të madh të dashurisë: vdekjen e vet mbi kryq.

Kjo na bënë të kuptojmë sa i rëndësishëm është Shpirti Shenjtë në Kishë e në jetën e besimtarit. Ai pra, Shpirti Shenjtë Hyj është protagonisti i vërtetë i Kishës dhe është Ai që ia mundëson Kishës e besimtarit të përshkojë historinë e të pasurohet me mirësi, drejtësi, paqe. Kisha, pra, para së gjithash është pranim i dhuratës së Shpirtit të Zotit, Shpirtit të dashurisë. 

Shpirti Shenjt është shpirti i Kishës.

Festa e Rrëshajëve na ndihmon të kuptojmë edhe përmasën universale të popullit të Zotit, që nuk njeh më kurrfarë kufiri as të racës, as të kulturës, as të hapësirës, as të kohës. Rrëshajët, simbol i besëlidhjes së re pas asaj të Sinajit, i dhurojnë njerëzimit ‘aftësinë’ e mirëkuptimit reciprok, aftësinë të flas të njëjtën gjuhë e t’i kapërcejë përçarjet e Kullës së Babelit, simbol i shkatërrimit, i grindjeje mes njerëzve.

Shpirti Shenjt është shpirti i Kishës. Ç’do të ishte Kisha pa të. Do të ishte sigurisht një lëvizje e madhe historike, një institucion i ndërlikuar e i fuqishëm shoqëror, ndoshta një lloj agjensie humanitare: e në të vërtetë, kështu e mbajnë ata, që nuk e shikojnë me syrin e fesë. Në realitet, në natyrën e saj të vërtetë e edhe në praninë e saj të mirëfilltë historike, Kisha brumoset e udhëhiqet gjithnjë nga Shpirti i Zotit të vet. Është një trup i gjallë, që merr jetë pikërisht nga Shpirti i padukshëm hyjnor.

Shpirti Shenjt zanafilla e Kishës

Në këtë solemnitet, Kisha i fton të gjithë besimtarët të kthehen tek zanafilla e Kishës, e të imenjohen në misionin ungjillëzues, secili sipas dhantive që ka fituar pikërisht nga Shpirti Shenjt, i cili porsi lum e përshkon historinë për ta ushqyer Kishën e çdo njeri me hirin e Zotit, duke bërë të frytshme jetën, me mirësi, bukuri, drejtësi e paqe. Ky pra, është misioni që Kisha në festën e Rrëshajëve, ia beson sot besimtarëve kudo në botë.

 

27 maj 2023, 10:42