Kërko

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, paraqet në Universitetin Ca' Foscari të Venedikut librin "Magjisteri i Gjon Palit I. Një studim historik dhe teologjik përmes letrave arkivore" Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, paraqet në Universitetin Ca' Foscari të Venedikut librin "Magjisteri i Gjon Palit I. Një studim historik dhe teologjik përmes letrave arkivore"

Parolin: magjisteri i Papës Luçiani, vështrim profetik mbi plagët e botës

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, paraqet në Universitetin Ca' Foscari të Venedikut librin "Magjisteri i Gjon Palit I. Një studim historik dhe teologjik përmes letrave arkivore" redaktuar nga Stefania Falasca dhe Flavia Tudini: "Luçiani bëri që Kisha të ecte përpara në shtigjet e Ungjillit, të misionit, të varfërisë, të dialogut, të bashkimit. Të gjitha, 'armë' të frytshme në një epokë të trazuar, e cila edhe sot, nën delirin e pushtetit, fsheh etjen e pakufishme për paqe"

R.SH. – Vatikan

Magjister i ndërprerë nga vdekja e papritur, por i gdhendur në histori për largpamësinë dhe për karakterin e profecisë, aktual edhe në këto kohë të errëta luftërash. Në Venedik, ku Albino Luciani shërbeu si patriark për gati dhjetë vjet e, pikërisht në universitetin prestigjoz Ca' Foscari, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kujtoi magjisterin dhe mesazhin e Papës Gjon Pali I, gjatë 34 ditëve të papnisë së tij. Magjister tejet aktual, pohoi kardinali, i cili është edhe kryetar i Fondacionit të Vatikanit kushtuar Papës venecian, shpallur i lum nga Françesku, më 4 shtator 2022. Parolin paraqiti librin "Magjisteri i Gjon Palit I", vëllim, që në nëntitull përmbledh punën e saktë dhe skrupuloze të kryer nga redaktoret Stefania Falasca, gazetare dhe zëvendëskryetare e Fondacionit Gjon Pali I dhe Flavia Tudini, profesoreshë në Universitetin Roma Tre: “Një studim historik dhe teologjik përmes kartave arkivore”.

Studimi arkivor

Pikërisht ato dokumente arkivore – shkrimet e autografuara dhe materialet dokumentare nga viti 1929 deri më 27 shtator 1978, ruajtur nga Fondacioni - kanë shërbyer për studimet e viteve të fundit mbi Papën Luçiani dhe trashëgiminë e tij kishtare, kulturore, shpirtërore, përtej çdo rrëfimi të rremë mbi vdekjen e tij të papritur. Trashëgimi, e cila ishte edhe në qendër të Ditës së Studimit kushtuar Magjisterit të Gjon Palit I, më 13 majin e vitit të kaluar, realizuar në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë Dogmatike të Universitetit Papnor Gregorian. Kardinali Parolin e kujtoi konferencën e asaj dite si rast “ për të përshkuar dhe për t’u thelluar në vijat kryesore të magjisterit të Gjon Palit I, duke u nisur nga burimet arkivore dhe nga ato gjashtë ‘ne duam’ të Papës së lum në mesazhin Urbi et orbi, shqiptuar një ditë pas zgjedhjes, më 27 gusht 1978, e parashikuar në programin e papnisë”.

Paqja si përparësi

Papni, nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, që ka pasur në qendër paqen, siç pohon Falasca në parathënien e librit: “Favorizimin e pajtimit dhe të vëllazërimit ndërmjet popujve, duke ftuar që të bashkëpunohet për arritjen e përhapjen e paqes aq të pambrojtur në këtë botë të trazuar dhe për frenimin e nacionalizmave”. Paqja, impenjimi ekumenik dhe ndërfetar, që dëshmohet nga takimet me përfaqësuesit e Kishave jo katolike, janë shtyllat e papnisë së shkurtër të Papës Albino Luçiani. Vështrimi i tij mbi plagët dhe të këqijat e botës, nënvizoi nga ana e tij, kardinali Pietro Parolin, është profetik edhe për ditët e sotme, kur bota vuan nga lufta, pasi vjen nga feja e popullit të krishterë, të cilit i përkiste.

Kardinali përmendi thirrjet e shumta për paqen në Lindjen e Mesme, sidomos, atë të Engjëllit të Tënzot të 10 shtatorit 1978, kur Gjon Pali I “u kërkoi lutje për paqen të gjithë krerëve të feve të ndryshme, duke përmendur edhe Kuranin, së bashku me Shkrimet e Shenjta të krishtera”. Impenjimi i tij qe edhe konkret. Parolin kujtoi bisedimet për paqen ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, mbajtur në Camp David, në vitin 1978 e të gjitha përpjekjet e mëtejshme të Papës Luçiani për të siguruar angazhimin e Selisë së Shenjtë për paqen në Lindjen e Mesme, por edhe që Kisha, “lajmëtare e përvuajtur e Ungjillit për gjithë popujt e tokës”, të kontribuonte dhe të kontribuojë në krijimin e “një atmosfere drejtësie, vëllazërimi, solidariteti dhe shprese, pa të cilën bota nuk mund të jetojë”.

Armët e Papës Luçiani

Armët e propozuara nga Albino Luçiani, nënvizoi kardinali Parolin, janë aktuale edhe sot, kur, pavarësisht nga deliri i gjithëpushtetit, bota ende ka etje të pakufishme për drejtësi e paqe. Ato janë: kthimi tek Ungjilli, misioni, kolegjialiteti ipeshkvnor, shërbimi ndaj më të varfërve, dialogu me botën, bashkimi i të krishterëve, dialogu ndërfetar dhe kërkimi i paqes.

24 maj 2023, 14:22