Kërko

Santuario di Fatima c Santuario di Fatima c

Papa në gusht në Lisbonë për DBR-në, etapë në Shenjtëroren e Fatimës

Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni, konfirmon datat e udhëtimit të Françeskut në Portugali nga 1 deri më 6 gushti i ardhshëm. Planifikohet, gjithashtu, edhe një vizitë në Shenjtëroren mariane, vizituar edhe në vitin 2017, në njëqindvjetorin e dukjeve në Cova de Iria

R.SH. / Vatikan

Parashikohet edhe një ndalesë në Shenjtëroren e Fatimës gjatë shtegtimit të Papës në Lisbonë të Portugalisë, me rastin e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë. Njoftimin e dha drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, duke sqaruar: “Me rastin e ditës së ardhshme botërore të Rinisë dhe duke pranuar ftesën e autoriteteve civile e kishtare të Portugalisë, Shenjtëria e Tij Papa Françesku do të udhëtojë në Lisbonë nga data 2 deri më 6 gushti i ardhshëm. Më 5 gusht do të vizitojë Shenjtëroren e Fatimes. Është vizita e dytë papnore në Shenjtëroren Mariane, cak shtegtimi për mijëra shtegtarë, vit për vit!

Herën e parë Françesku e vizitoi më 12 e 13 maj 2017, me rastin e njëqindvjetorit të Dukjeve të Zojës së Bekuar në Cova da Iria.

Është Dita IV Botërore e Rinisë e kryesuar nga Jorge Mario Bergoglio, pas asaj në Brazil (2013), Krakov (2016) dhe Panama (2019). Ngjarja e madhe, ku mblidhen miliona të rinj nga të gjitha kontinentet këtë vit - siç u përmend - zhvillohet në kryeqytetin portugez. Fillimisht e planifikuar për vitin 2022, siç njoftoi Papa Françesku më 27 janar 2019 në Panama, Dita XXXVIII Botërore e Rinisë u shty një vit për shkak të urgjencës së koronavirusit. Tema e zgjedhur është "Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim" (Lk 1:39), një verset nga Ungjilli i Lukës, që na kujton vizitën e Marisë tek kushërira e saj Elizabeta.

22 maj 2023, 11:20