Kërko

Pope Francis Pope Francis

Papa emëron pasardhësin e tij të dytë në Buenos Ájres

Françesku ka caktuar Imzot Jorge Ignacio García Cuerva si kryeipeshkëv metropolitan të kryeqytetit argjentinas. Po sot Ati i Shenjtë ka emëruar gjithashtu një ipeshkëv ndihmës në dioqezën e Romës dhe dy ipeshkvij ndihmës në dioqezën e Porto të Portugalisë

R.SH. / Vatikan

Në vitin 2013, pak ditë pas zgjedhjes së tij në selinë e shën Pjetrit, Papa Bergoglio e zgjodhi imzot Polin si pasardhësin e tij në drejtimin e kryedioqezës së Buenos Ájresit, duke e krijuar më pas kardinal në koncistorin e shkurtit të vitit 2014. Pas dy dekadash, në moshën 75-vjeçare, Kardinali Marco Aurelio Poli largohet nga drejtimi i kryedioqezës së kryeqytetit argjentinas dhe sot, më 26 maj, Papa Françesku ka emëruar metropolit të ri imzot Jorge Ignacio García Cuerva, 55 vjeç, aktualisht ipeshkëv i Río Gallegos.

Jetëshkrimi

Shkelqësia e Tij, Imzot Jorge Ignacio García Cuerva lindi më 12 prill 1968, në Río Gallegos. Pas përfundimit të studimeve në fakultetin e Filozofisë dhe Teologjisë, në Seminarin e Dioqezës së San Isidros, u shugurua meshtar më 24 tetor 1997. Mori liçencën në Teologji, duke u specializuar në Historinë e Kishës dhe në Drejtësinë Kanonike, pranë  Pontificia Universidad Católica "Santa María de los Buenos Aires" në Argjentinë e, më pas edhe titullin e avokatit në Universidad Católica de Salta (UCASAL), gjithnjë në Argjentinë.

Kreu këto detyra: vikar-famullitar dhe famullitar i Nuestra Señora de la Cava në Beccar; famullitar i Santa Clara de Asís, në Tigre; Promovues i Drejtësisë në Gjykatën Ndërdioqezane të San Isidro, Merlo-Moreno; Nënkryetar i Caritas-it Dioqezan; Delegat dioqezan për kujdesin baritor të burgjeve dhe kapelan i qendrave të ndryshme pendestare në Provincën e Buenos Ájres.

Më 20 nëntor 2017 u emërua ipeshkëv titullar i Lacubaza dhe ndihmës i Lomas de Zamora, duke marrë shugurimin ipeshkvnor më 3 mars 2018. Më 3 janar 2019 u emërua ipeshkëv i Río Gallegos. Aktualisht është anëtar i Dikasterit  vatikanas të Ipeshkvijve dhe Zëvendës-Kryetar i Komisionit Ndërkombëtar Baritor të Burgjeve (ICCPPC).

26 maj 2023, 17:57