Imzot Paglia: Humanae vitae dhe reflektimi i teologëve e gjenerimi i marrëdhënieve njerëzore
R. SH. / Vatikan
55 vjet më parë, më 25 korrik 1968 Papa Pali VI botonte enciklikën "Humanae Vitae", e cila la një gjurmë të thella në ndërgjegje të besimtarëve dhe të të gjithë njerëzve vullnet mirë. Ende sot flitet për risinë dhe trashëgiminë e kësaj Enciklike, po fjala kyçe për të kuptuar Humanae vitae "është dashuria". Një akt magjistar i Papës Palit VI që pa dritë në një nga momentet më delikate të historisë së fundit, veçanërisht në vendet perëndimore.
Më 25 korrik 1968, Pali VI nënshkroi Encyclical Humanae vitae, kështu Kisha mori një pozicion duke ripohuar dhe mbrojtur jetën e njeriut sipas vizionit të krishterë, vizionin e martesës dhe dinjitetin e saj, pikërisht në momentin kur ai vizion do të synohej të anulohej në emër të ‘lirisë’.
“Kjo Enciklikë duhet lexuar edhe sot, për aktualitetin që ka, sepse ka të bëjë me gjenerimin e marrëdhënieve njerëzore", pohon imzot Vincenzo Paglia, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, duke reflektuar me Vatican News mbi disa probleme kryesore, shtruar për zgjidhje nga Humanae vitae e Palit VI, në qendër të një konference në Romë, organizuar nga Katedra Ndërkombëtare e Bioetikës Jérôme Lejeune ( 19 dhe 20 maj).
Imzot Paglia, në të kaluarën keni pohuar se bioetika të shtyn të reflektosh mbi temën e jetës në të gjitha aspektet e saj. Sot thirremi të përballojmë shpëtimin e planetit dhe të njeriut e përmasa e bioetikës globale kërkon aleancën ndërmjet të gjitha shkencave. Në këtë kuptim, duke parë dokumentet e Kishës, cili është vlerësimi juaj për Enciklikën Humanae Vitae, 55 vjet pas botimit të saj?
Dëshiroj të ndalem tek një aspekt, që e konsideroj themelor. Po kujtoj lidhjen ndërmjet seksualitetit, dashurisë bashkëshortore dhe breznisë, temë shumë aktuale e Humanae vitae. Pohimi duhet kërkuar në n. 9, ku Pali VI kujton katër "karakteristikat" themelore të dashurisë bashkëshortore: "dashuri plotësisht njerëzore, domethënë në të njëjtën kohë e ndjeshme dhe shpirtërore”; "dashuri totale, domethënë një formë shumë e veçantë miqësie personale", "dashuri besnike, deri në vdekje", "dashuri e frytshme".
Dashuria bashkëshortore, si e tillë, është e frytshme. E kapërcen me një goditje të vetme çështjen shekullore të marrëdhënies ndërmjet përfundimeve të martesës, përfundimit parësor (prolis generatio et educatio) dhe atij dytësor (mutuum adiutorium dhe remedium concupiscentiae). Në këtë mënyrë, fekonditeti i brezit mendohej si karakteristikë e përhershme e dashurisë bashkëshortore dhe jo si shtesë e mëvonshme e saj. Siç e kemi kuptuar urtisht sot, është e nevojshme të pyesim veten se si problemi i shtruar nga Humanae vitae, mund të vazhdojë të ushqejë kuptimin e lidhjes ndërmjet seksualitetit, dashurisë bashkëshortore dhe brezit, e cila duket më qartë parë në dritën e këndvështrimit personalist.
E kjo është arsyeja që më nxit të besoj se është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të reflektojmë dhe të diskutojmë mbi këtë temë, siç e ka përsëritur edhe vetë Papa Françesku, e pikërisht për temën e kontraceptivëve, duke na kujtuar se “detyra e teologëve është kërkimi, reflektimi teologjik”. Nuk mund të bësh teologji me një “jo” përpara. Atëherë Magjisteri do të thotë: "Jo, ju shkuat më tej, kthehuni". Por zhvillimi teologjik “duhet të jetë i hapur, teologët janë aty për këtë”. (Konferenca për shtyp në fluturimin e kthimit nga Kanadaja, 29 korrik 2022).
Cili është mesazhi dhe vlera e Enciklikës?
Në Humanae vitae, njohja e lidhjes së pandashme ndërmjet dashurisë bashkëshortore dhe riprodhimit, nuk do të thotë se çdo marrëdhënie bashkëshortore duhet domosdoshmërisht të jetë e frytshme. Me këtë pohim, Enciklika citon hyrjen e Piut XII në Alokucionin e famshëm për mamitë, në vitin 1951. Pikërisht për këtë arsye Pali VI pohon se riprodhimi duhet të jetë «me përgjegjësi» dhe - siç dihet - tregon me metoda natyrore mënyrën e realizimit të kësaj përgjegjësie. Më pas, në thirrjen pas-sinodale Familiaris consortio, Gjon Pali II do të nënvizonte nevojën e reflektimit teologjik për të thelluar - përtej profilit thjeshtë biologjik - vlerën antropologjike dhe morale të "zgjedhjes së ritmeve natyrore": në fakt, kjo "përfshin pranimin e kohës së njeriut, domethënë të gruas, e me këtë edhe pranimin e dialogut, respektit të ndërsjellë, përgjegjësisë së përbashkët, vetëkontrollit» (32d).
Në paragrafin 14 të Humanae vitae, Pali VI pohon se çdo mjet që pengon riprodhimin është i paligjshëm, ndalim që do të krijonte një “distancë" ndërmjet besimtarëve dhe Magjisterit. Çfarë mendoni ju?
Nga ana ime, jam dakord me çdo mendim të Humanae vitae. Nuk do të gjeni askënd tjetër më të vendosur e më këmbëngulës se unë, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e jetës njerëzore. Mendoj se kjo Enciklikë duhet lexuar sot me aktualitetin e saj, që ka të bëjë me gjenerativitetin e marrëdhënieve njerëzore. Përballemi me sfida epokale: në vitet 1960 'pilula' dukej se ishte e keqja absolute. Sot kemi sfida edhe më të mëdha: jeta e gjithë njerëzimit është në rrezik, nëse nuk ndalet spiralja e konflikteve dhe e armëve, e nëse nuk qetësohet shkatërrimi i mjedisit. Dëshiroj të ketë një lexim që integron Humanae vitae me enciklikat e Papës Françesku (dhe të Gjon Palit II) si dhe me Amoris laetitia, për të hapur një epokë të re të humanizmit integral. Integral, duke braktisur leximet e pjesshme. Për më tepër, kardinali Zuppi, në mesazhin e tij për konferencën, shkruan se është “shumë e rëndësishme të shmangim procedimin në qarqe të ngushta dhe homogjene, të cilat në fund do të kishin synimin të ripohonin qëndrimet e pjesëmarrësve, pa sinqeritet dhe dialog të mirëfilltë”. Është e vërtetë, sepse - po e përsëris - sot sfida e vazhdimit, mbrojtjes e zhvillimit të jetës njerëzore duhet të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes, siç na mësojnë Laudato si' dhe Fratelli tutti.
A është e mundur të lidhet, dhe nëse po, Enciklika Humane Vitae me Nxitjen Apostolike Amoris laetitia?
Lidhja është familja. Duke u pozicionuar si paradigmë gjeneruese e marrëdhënieve themelore antropologjike, familja konsiderohet si "motori i historisë", shkollë e vërtetë jete, e hapur për shoqërisë dhe botën, "laborator" marrëdhëniesh njerëzore dhe përgjegjësie civile. Kështu, brez pas brezi, familja lidhet ngushtë me botën dhe transmeton mënyrën për të banuar në të, jo me zotërim dhe sundim despotik, por me përgjegjësi, sipas stilit të asaj ekologjie integrale që përshkruan Papa Françesku në Enciklikën Laudato si’. Në këtë horizont, ne mund ta kuptojmë më mirë edhe lidhjen e thellë ndërmjet familjes dhe Kishës. Papa Françesku e shpreh këtë në kapitullin e tretë të Amoris laetitia, kur pohon se "Kisha është familje familjesh" (AL 87) dhe shton: "Kisha është e mirë për familjen; familja, e mirë për Kishën" (87).