Kërko

Lutje Zojës së Sheshanit

Maria e ngre lart të Birin Jezus,/duke ia paraqitur botës me krahë hapur,/në një gjest dashurie e mëshire./ T’i lutemi Marisë t’i ndihmojë katolikët në Kinë,/që të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm/ të kësaj dashurie përdëllyese në mes të  Popullit të tyre/e të jetojnë shpirtërisht të bashkuar/ me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha”.

R.SH. / Vatikan

Sot, gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku e kujtoi kështu Festën e 'Zojës së Sheshanit', kremtohet sot më 24 maj nga katolikët në Kinë, të cilët e lusin 'Zojën Ndihma e të Krishterëve', e nderuar në Shenjtëroren e Sheshanit, në Shangai:

“Në shtatoren, që lartohet mbi Shenjtërore,

Maria e ngre lart të Birin,

duke ia paraqitur botës me krahë hapur,

në një gjest dashurie e mëshire.

T’i lutemi Marisë t’i ndihmojë katolikët në Kinë,

që të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm

të kësaj dashurie përdëllyese në mes të  Popullit të tyre

e të jetojnë shpirtërisht të bashkuar

me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha”.

 

Më 24 maj 2013 Papa Françesku i pati drejtuar këtë lutje Zojës së Sheshanit: 

“O Zoja jonë e Sheshanit,

 ndihmoi katolikët kinezë!

Bëji impenjimet tyre të vështira,

përherë e më të çmuara para syve të Zotit

e premto të rritet gjithnjë më shumë

dashuria e pjesëmarrja e Kishës në Kinë,

në udhën e Kishës universale”.

 

Ndërsa më 24 maj 2008, Papa Benedikti XVI i drejtohej Zojës së Sheshanit me këtë lutje:

“O Virgjër e Shenjtnueshme, Nënë e Fjalës së Mishëruar e Nëna jonë,
e nderuar me titullin “Ndihma e të krishterëve”

në Shenjtëroren e Sheshanit,
nga e cila i drejton sytë, plot dashuri, mbarë Kisha që është në Kinë,
po vijmë sot para teje për të kërkuar mbrojtjen tënde.
Silli sytë nga populli i Hyjit e priji me dashuri amtare
në rrugët e së vërtetës e të dashurisë, që të jetë në çdo rrethanë
tharm i bashkëjetesës plot harmoni ndërmjet gjithë nënshtetasve.
Me atë ‘po’ plot bindje që shqiptove në Nazaret, ti i lejove
Birit të amshuar të Hyjit të mishërohej në kraharorin tënd virgjëror
e të hynte kështu në historinë e Shëlbimit,
në të cilën bashkëpunove me përkushtim durimtar,
duke pranuar që shpata e dhimbjes ta shporonte shpirtin,
deri në orën e fundme të kryqit, kur ndenje mbi Kalvar
drejt në këmbë, pranë Birit tënd, i cili vdiste, që njeriu të jetonte.
Që atëherë ti u bëre, në një mënyrë krejt të re, Nënë
e të gjithë atyre, që e mirëpresin në fe Birin tënd, Jezusin,
që pranojnë ta ndjekin pas, duke marrë kryqin e tij mbi shpinë.
O Nënë e shpresës, që në errësirën e së Shtunës së Madhe u nise
me besim të patundur drejt agimit të Pashkëve,
jepu bijve të tu aftësinë për të dalluar në çdo situatë,
sado e errët që të jetë, shenjat e pranisë së dhembshur të Hyjit.
O Zoja jonë Ndihmëtare, ndihmoi të gjithë ata që në Kinë,
në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan,
të mos të kenë kurrë më frikë t’i flasin botës për Jezusin e Jezusit për botën.
Në shtatoren që sundon mbi shenjtërore, ti e ngre lart Birin tënd,
ia paraqet kështu botës me krahë hapur në shenjë dashurie.
Ndihmoi katolikët kinezë të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie,
duke i mbajtur të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha.
Nëna e Kinës dhe e Azisë, lutu për ne, sot e përgjithmonë e jetës. Amen!
              

24 maj 2023, 14:14