Kërko

 Il logo del Congresso Eucaristico Internazionale in Ecuador Il logo del Congresso Eucaristico Internazionale in Ecuador

Kongresi Ndërkombëtar Eukaristik në Quito: paraqiten logoja dhe himni

Në selinë e Konferencës Ipeshkvnore u prezantua himni zyrtar i manifestimit me temë “Vëllazëria, për të shëruar botën”. Në logo simbolet e kryqit, zemrës, hostes dhe kryeqytetit ekuadorian

R.SH. / Vatikan

"Vëllazëria për të shëruar botën" është tema e Kongresit të 53-të Ndërkombëtar Eukaristik (KNE 2024) që do të kremtohet në Quito, Ekuador, nga 8 deri më 15 shtator 2024 e do të kulmojë me kremtimin e Statio orbis. Tema frymëzohet nga shprehja ungjillore “Ju jeni të gjithë vëllezër” (Mt 23,8), e cila të kujton përvojën aktuale sinodale të Kishës së thirrur për t'u bërë vend vëllazërie, përfshirjeje, përkatësie të përbashkët dhe mikpritjeje të përhershme.

Më 10 maj logoja dhe himni zyrtar i Kongresit u paraqitën në selinë e Konferencës Ipeshkvnore Ekuadoriane. Lajmet për ngjarjen mund të ndiqen në faqet e internetit të Komitetit Përgatitor dhe Komitetit Papnor për Kongreset Ndërkombëtare Eukaristike.

Logoja

Në logo të Kongresit të 53-të Ndërkombëtar Eukaristik simbolet janë kryqi, zemra, hostia dhe qyteti i Kuitos. Kryqi i Krishtit - shpjegohet në një shënim të Komitetit Papnor për Kongreset Ndërkombëtare Eukaristike - hyn në korpin e botës për të shëruar plagët e hapura nga mëkati: mosbindjen ndaj Zotit, shfrytëzimin e të afërmit shpërdorimin e krijimit. Ai është boshti i ri i historisë. Atje ku njerëzimi  shkarkoi dhunën më të egër kundër Qengjit të Hyjit, pikërisht atje Zoti derdhi begatisht dashurinë e tij përmes shenjave të ujit dhe të gjakut, që rrodhi nga brinjët e shporuara të Krishtit në Kryq. I Kryqëzuari është i Ngjalluri. Me krahë hapur, i përqafon të gjithë si vëllezër të pajtuar me Atin.

Zemra e hapur e Krishtit në Kryq është burim i dashurisë që i bën të gjitha gjërat të reja. Plaga e tij nuk kullon më vdekje, por është gurrë jete dhe pajtimi. Plagët e hapura të të Ngjallurit janë plagët e reja të dashurisë që shërojnë, këtu dhe tani, të gjitha plagët ende të hapura të urrejtjes, armiqësisë, dhunës dhe vdekjes.

Simboli i Eukaristisë

Hostia kujton Eukaristinë, kulmi e burimi i gjithë jetës së krishterë. Drita e Eukaristisë i jep një drejtim të ri historisë njerëzore, sepse Zoti vazhdon të mbledhë popullin e tij, nga Lindja në Perëndim, duke e bashkuar rreth Fjalës së jetës dhe Bukës së gjallë që zbriti nga qielli. Eukaristia është lidhje vëllazërimi: aty ku mëkati na mohon si vëllezër, kremtimi eukaristik na mbledh në të njëjtën tryezë si bij të të njëjtit Atë.

Qyteti i Quitos

Më në fund, Quito, qytet në fund të botës, në gjerësinë gjeografike zero, po hap çadrën për t'u bërë qytet i pamasë eukaristik, ku jemi të ftuar të gjithë për të marrë pjesë në këtë ëndërr të madhe të vëllazërisë së shpenguar dhe të shëruar nga dashuria e përkryer e Krishtit, dashuri që  na prin, dashuri që në këtë orë të historisë na ndihmon të rifitojmë vetëdijën se: “Ju jeni të gjithë vëllezër”.

22 maj 2023, 12:23