Kërko

Joaquin Navarro Valls e Papa shenjt Gjon Pali II Joaquin Navarro Valls e Papa shenjt Gjon Pali II

Karol Wojtyla, në këndvështrimin e zëdhënësit të tij

Botohen kujtimet e ish-drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Joaquín Navarro-Valls, mbi Papën Gjon Pali II, si zëdhënës i të cilit shërbeu për më se 20 vite me radhë. Libri, publikuar pas vdekjes së Navarro-Valls, jep informacione personale për profilin njerëzor të shenjtit polak, por është edhe tekst i vlefshëm në nivelin historiografik e i vyer për ekspertët e komunikimit institucional

R.SH. – Vatikan

A është thënë e shkruar gjithçka për Gjon Palin II? Natyrisht, shtrirja e jashtëzakonshme e asaj papnie dhe roli i tij si protagonist absolut në historinë e shekullit XX, bëri që çdo fjalim dhe çdo gjest publik i Papës polak të rrëfehej, të interpretohej dhe të komentohej vazhdimisht. Megjithatë, kujtimet e zëdhënësit të tij karizmatik, Joaquín Navarro-Valls, publikuar pas vdekjes, në Spanjë, nga Editorial Planeta me titullin "Mis años con Juan Pablo II" (Vitet e mia me Gjon Palin II) na japin një këndvështrim ndryshe për Karol Wojtyla-n, të pasur me anekdota dhe histori të pabotuara, që na njohin më mirë me profilin njerëzor të shenjtit. Për “shënimet personale", të mbledhura për më se njëzet vjet nga Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, janë kujdesur një grup profesorësh nga Fakulteti i Komunikimit të Universitetit Papnor të Shenjtes Krygjë (universitet i Opus Dei-it, anëtar i të cilit ishte edhe Navarro-Valls). Në krye të grupit, Diego Contreras, i cili në paraqitjen e librit voluminoz, gati 600 faqësh, nënvizoi se “El Portavoz” pati kërkuar që - "nëse ishin me interes për ndokënd" - kujtimet e tij të botoheshin vetëm pas vdekjes (korrik 2017). Kjo, theksoi Contreras, edhe për të mos lejuar që përvoja e tij të interpretohej si ndonjë "model" komunikativ i Selisë së Shenjtë, pikërisht në kohën kur po vihej dorë mbi riorganizimin e komunikimit vatikanas.

Dëshmi e çmuar personale

Pavarësisht se jo i vogël, libri lexohet rrjedhshëm dhe emocionon. Shkrimi i Navarro-Valls, i cili, para se të mbërrinte në Vatikan në vitin 1984, ishte gazetar i vlerësuar i së përditshmes spanjolle ABC, është i qartë dhe bindës, na lejon të "shikojmë" jo vetëm protagonistin e tregimeve të tij – Papën, që e deshi si të ishte i ati - por edhe disa nga personalitetet më të rëndësishme të Kishës Katolike pas Koncilit II të Vatikanit, nga Nënë Tereza te Ratzinger, nga Casaroli te Tauran. Jo më pak interesant, përshkrimi i figurave të mëdha historike, që Navarro-Valls takoi në ato vite, nga Regani te Gorbaçovi, nga Havel te Fidel Kastro, që e bëjnë tekstin interesant edhe nga pikëpamja historiografike. Çka bën përshtypje që në faqet e para është lidhja e ngushtë me Karol Wojtyla-n (dhe me bashkëpunëtorët e tij), konsoliduar në kohë nga takime të panumërta, jo vetëm për punë, si edhe nga pushimet e kaluara në mal me Papën (në Trentino dhe më pas në Valle d'Aosta), të cilat janë, ndoshta, pjesa më e bukur e gjithë veprës. Ky besim, që kishte tek ai Gjon Pali II - vëren Navarro-Valls në shënimet e tij, para se t'ia kalonte stafetën zëdhënësit tjetër të vlerësuar, Át Federico Lombardi – i dha mundësinë të maste gjithnjë “pulsin e gjërave dhe ta përshtaste gjithçka komunikonte". Zëdhënësi i atëhershëm i Vatikanit pranon se ishte "i privilegjuar" për marrëdhëniet e drejtpërdrejta me Papën, por edhe më shumë, për faktin se kishte mundësi të shihte “nga afër një njeri të shenjtë”.

Edhe në vuajtje, me Karol Wojtyla-n

Dëshmia e shenjtërisë së Karol Wojtyla-s është filli, që përshkon krejt vëllimin. Navarro-Valls thekson, me admirim dhe emocion, se çdo situatë, të vogël apo të madhe në jetën e tij personale dhe çdo vendim në shërbimin e tij pjetrin, Gjon Pali II ia besonte Zotit, duke e lëshuar krejtësisht veten në dorë të tij. Pavarësisht nëse i duhej të përgatiste ndonjë takim, ndonjë udhëtim të vështirë, ose bëhej gati për t’u shtruar në spitalin Gemelli ("Vatikani numër 3"), Papa nuk e humbi kurrë qetësinë dhe as humorin e tij të mirë, veçori tjetër, që shfaqet me gjithë gjallërinë e saj në këto kujtime. Sigurisht, Gjon Pali II ishte edhe njeri si gjithë të tjerët, prandaj, jo i pandjeshëm para ngjarjeve të jetës e kjo shihej në shqetësimin për luftërat e shumta, që shpërthyen gjatë papnisë së tij të gjatë - e Navarro-Valls e vëren këtë – luftëra që Papa polak u përpoq t’i ndalë me çdo mënyrë, edhe me nisma që jo gjithmonë pëlqeheshin nga të gjithë. Një kapitull më vete janë faqet e shumta kushtuar sëmundjes së Karol Wojtyla-s, disa prej të cilave të prekin për pjesëmarrjen personale të zëdhënësit në vuajtjet e Papës, kur shihte se "atleti i Zotit" po humbiste gradualisht çdo mundësi lëvizjeje e më pas, edhe fjalën, por asnjëherë sigurinë – forcuar nga lutja e vazhdueshme – se Zoti do ta shoqëronte deri në fund të misionit, që i kishte besuar.

Komunikatori nuk duhet të ketë frikë

Së fundi, vëllimi është edhe “manual i çmuar komunikimi institucional", i cili do t'u shërbejë studentëve dhe profesionistëve të sektorit, që duan të njohin "prapaskenat" e punës së një komunikatori të madh të kohës sonë. Navarro-Valls nuk harron të shkruajë propozimet e tij për çka mendon se duhet përmirësuar në komunikimin e Vatikanit dhe, herë pas here, ankohet për një lloj burokratizimi, që nuk e lejon të informojë siç dëshiron. Emblematike, Ajo që shkruan për lindjen e faqes së internetit Vatican.va, nismë e dëshiruar plotësisht nga Gjon Pali II, por e pakuptuar nga një pjesë e Kuries Romake, që e pati pritur me indiferencë. Fjalët, që habisin më shumë janë ato, me të cilat ish-zëdhënësi i Vatikanit pranon gabimet e veta. “Fola shumë dhe keq”, shkruan ai për një rast, në shenjë përvujtërie dhe vetëdije për përgjegjësinë e madhe që mbante. Navarro-Valls ka qenë edhe kryetar i Shoqatës italiane të Shtypit të Huaj, prandaj, i kuptonte mirë nevojat e kolegëve të tij gazetarë. Ishte njëri prej tyre. Në shënimet e tij, vazhdimisht, nënvizon nevojën e gatishmërisë për të shpjeguar gjithçka ndodh, për të mos pasur frikën e komunikimit edhe në situata të pakëndshme dhe për të kultivuar marrëdhënie të përzemërta me gazetarët, përtej marrëdhënieve të thjeshta profesionale. Një mësim, ky i fundit, ndër më të çmuarit dhe më të qëndrueshmit e zëdhënësit të Gjon Palit II.

08 maj 2023, 15:32