Kërko

L'intervento del cardinale Parolin alla conferenza di Malta sulle cattedrali europee  (Twitter @TerzaLoggia) L'intervento del cardinale Parolin alla conferenza di Malta sulle cattedrali europee (Twitter @TerzaLoggia)

Kardinali Parolin: kur mbron artin, ruan kulturën e shpirtin

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, hapi punimet e “Konferencës Katedralet Evropiane, Maltë 2023. Ekuilibri i ruajtjes me përshpirtërinë": artistët e kanë ndihmuar gjithmonë Kishën për ta përcjellë mesazhin e saj hyjnor në një gjuhë të dukshme.

R.SH. / Vatikan

Të ruash trashëgiminë kulturore, duke ruajtur "marrëdhëniet tejet të thella ndërmjet ruajtjes e përshpirtërisë" dhe duke iu kundërvënë horizontit të kufizuar të "paradigmës teknokratike": kjo është, thënë me pak fjalë, thirrja që Sekretari i Shteti të Vatikanitt, Kardinali Pietro Parolin, ua drejtoi të gjithëve e, veçanërisht, “politikanëve vendimarrës» në mesazhin përurues drejtuar Kryeipeshkvit Savio Hon Tai-Fai, nunc apostolik në Maltë, me rastin e Konferencës titulluar “Katedralet Evropiane, në Maltë 2023. Drejtpeshimi ndërmjet Konservimit, ruajtjes dhe përshpirtërisë”, që vijon që dje (11 dhe 12 maj), në Konkatedralen malteze të Shën Gjonit.

Kardinali Parolin kujtoi se të gjitha përpjekjet për restaurimin dhe ruajtjen e objekteve artistike nuk mund ta shpërfillin “ruajtjen e domethënieve dhe të vlerave historike, kulturore e fetare, që shprehin”. Duke cituar Michelangelo-n dhe Kandinsky-n, nënvizoi se artistët flasin gjithnjë për artin, lidhur ngushtë me shenjtërinë, me "nevojat e shpirtërore", me përgjigjen që i jepet "urisë shpirtërore" të njeriut. Më pas kujtoi se "të gjitha lëvizjet kryesore shpirtërore, duke përfshirë edhe ata që ishin larg fesë, ushtruan ndikim të madh mbi artin në rrjedhë shekujsh".

 «Artistët e  ndihmuan gjithnjë Kishën ta përkthejë mesazhin e saj hyjnor në gjuhën e formave dhe figurave, duke e bërë të prekshme botën e padukshme», e «adhurimi gjeti gjithnjë aleatin e vet të natyrshëm në art». Këtë theksoi Hirësia e Tij Parolin, për të nënvizuar më pas: "Nuk është tepri të pohohet se shkenca e ruajtjes, e bazuar mbi vlera, është për vetë natyrën e saj formë shpirtërore, pasi me kalimin e kohës synon të zgjerojë vlerat që i atribuohen përmasave të prekshme jomateriale të trashëgimisë sonë kulturore”. Mbi këto konsiderata bazohet përkushtimi i Kishës "mbrojtëse dhe kujdestare e artit kishtar" dhe i Selisë së Shenjtë – theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit - për të kujtuar më pas, aderimin e Selisë Apostolike në Konventën Kulturore Evropiane, më 1962, nënshkrimin e Deklaratës Evropiane mbi Objektivat Kulturore në Berlin, më 1984 dhe lindjen e Komisionit Papnor për Ruajtjen e Trashëgimisë Artistike dhe Historike të Kishës, në vitin 1993.

Nga Papa Shën Pali VI kujtoi fjalët drejtuar artistëve në vitin 1964, në Kapelën Sikstine: "Mjeshtria juaj, misioni juaj, arti juaj është pikërisht të merrni thesaret e mbretërisë qiellore të shpirtit dhe t'i veshni rishtas me fjalë, me ngjyra, forma", për ta "bërë të shprehshme të pashprehshmen e kësaj bote, ndjenjën e transcendencës së saj, atmosferën e misterit të saj, e për ta arritur këtë kërkesë me lehtësi e, njëkohësisht, me përpjekje”. Citoi, më pas, edhe një shprehje të përsëritur nga Papa Shën Gjon Pali II: "Artistët marrin pjesë në mjeshtërinë krijuese të Zotit, nëpërmjet veprave të tyre të artit". Nga Komisioni Papnor kujtoi në veçanti ftesën për të "rilexuar" trashëgiminë kulturore të Kishës nga katedralet madhështore deri te objektet më të vogla; nga veprat e mrekullueshme të artit të mjeshtrave të mëdhenj, në shprehjet më të vogla të arteve më të varfra”.

Së fundi, ftesa e Papës Françesku për t’i arsyetuar me termat e "takimit" dhe të ndryshimit të domosdoshëm të mendësisë dhe veprimeve që - kujtoi Kardinali Parolin – përkthehen për këto tema, në një rekomandim të saktë: "Takimi ndërmjet atyre që merren me ruajtjen e pasurisë kulturore nuk duhet kushtëzuar nga paradigma teknokratike që nxit qëndrime, përpjekje dhe shqetësime të gabuara, të kufizuara vetëm në ruajtjen e strukturës fizike të objekteve artistike. Restauruesit dhe kujdestarët e artit kujdesen si për përmasën fizike e të jashtme të trashëgimisë sonë kulturore, ashtu edhe për realitetin e saj imaterial, me ndjeshmëri tejet të lartë”.

Mendimi të shkon sakaq tek breznitë e ardhshme - nënvizoi në përfundim kardinali Parolin - duke kujtuar angazhimin e Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë UNESCO-s për të nxitur bindjen se “përpjekjet për konservimin nuk duhet të synojnë vetëm në ruajtjen e botës së artit, parë si bartëse e bukurisë, por sidomos e mbi të gjitha, si sintezë vlerash fetare dhe shpirtërore, të cilat nuk mund të përjashtohen nga takimi me bashkësinë së cilës i përkasin dhe me rrethanet historike, gjeografike dhe arkitekturore”.

Në përfundim, urimi i kardinalit Parolin që “arti të jetë mjet gjithnjë e më i frytshëm për t'i afruar ata që kërkojnë kuptimin e lajmit ungjillor e të ngjallë tek çdo njeri vullnetmirë atë etje për të bukurën, që e hap shpirtin për të vërtetën e për të mirën”.

12 maj 2023, 11:10